Po të kishim njëshin që do të përfaqësonte shumicën shqiptare dhe minoritetet, sigurisht që do të zvogëlohej shumë më shumë krimi i organizuar dhe korrupsioni, llogaritë do të jenë më të pastra, kryetari do t’u jep llogari qytetarëve-jo partive politike.
Si duket të mos-kuptuarit e demokracisë parlamentare, jo, partiake, ka thelluar jazin në mes të qytetarit dhe pushtetarit, dhe qytetari është krejtësisht i zhveshur dhe i pavlerë, ndërsa pushtetari ka monopolizuar çdo gjë, edhe mirëqenien e qytetarit. Të mos-kuptuarit e demokracisë parlamentare do të mbetet zorrë qorre edhe për të ardhmen e Kosovës, prandaj në fazën e thënë tranzitore, ka ndodhur të barrikadohet tranzicioni njëjtë si rrugët në veri, do të ishte shumë më e arsyeshme të bëhen ndryshime “minore” në sistemin zgjedhor, edhe pse preferohet ai i cili është aktual, ai proporcional me lista të hapura; sigurisht që nuk pat dhe nuk do të ketë ndonjë efekt po të mos shtohen kompetencat e kryetarit të vendit dhe ai të zgjidhet drejtpërsëdrejti nga qytetarët.
Kryetari i zgjedhur kështu do të ruante autoritetin institucional dhe do të vendoste për shumë prioritete, duke mbikëqyrur kështu kushtetutshmërinë e vendimeve, ai do të ishte personi më i pranueshëm nga qytetarët. Shumë lehtë mund të amendamentohej propozimi i ri, po që se do të kishte vullnet politik në mes të palëve të interesuara-partive politike. Kështu do të zvogëlohej ndikimi, aq i madh i liderëve partiakë, nga aq shumë parti, do të kishim njëshin që do të përfaqësonte shumicën shqiptare dhe minoritetet, sigurisht që do të zvogëlohej shumë më shumë krimi i organizuar dhe korrupsioni, llogaritë do të jenë të pastra, kryetari do t’u jep llogari qytetarëve-jo partive politike. Arsyeshmëria e propozimit është praktike, ngase sistemi zgjedhor i pas çlirimit ishte një debakël i vërtetë qe u kushtojë shumë shtrenjtë shqiptarëve.
Sistemi zgjedhor proporcional me lista te mbyllura krijoi shoqërinë e mbyllur, papërgjegjësinë institucionale, vjedhjen, korrupsionin, anarkinë. Krijoi brezin e politikanëve servil, ngase të gjithë ishin të zhytur thellë ne vorbullen e krimit, duke vendosur bordet në ndërmarrjet publike sipas kriterit partiak, dhe kështu u përbuzë në skajshmëri kriteri i aftësisë dhe përvojës shumëvjeçare në punë. Edhe tash selitë partiake diktojnë çdo gjë: doganat, policinë, drejtësinë, burgjet, ndërmarrjet publike…, e çuditshme, apo jo? Dhe përsëri “vezirët” politikë angazhohen ta ruajnë statusin e të paprekshmëve, edhe pse gishti tregues i korrupsionit të hapur drejtohet në ta. Tash së fundi kanë filluar të dëgjohen prapë “klithjet” zgjedhore. Horruku partiak për ulëset e lëkurës të të parëve nëpër komunat e Kosovës është i rrastë. Edhe tash ata jo që po e afrojnë qytetarin sovran afër kutive votuese, përkundrazi po e largojnë. Ata vetëm flasin… dhe asnjëherë asgjë nga fjala e qytetarit, edhe ashtu ata aludojnë të krijojnë shurdhmemecin votues. Përçudshëm si mund të luajnë aq lehtë me jetën e qytetarit, me të ardhmen e tij.
Shumica e shteteve të taborit socialist eurolindor e kaluan fazën e tranzicionit me shumë mund, edhe ata të ngulfatur nga vala e krimit dhe korrupsionit. Si duket demokracia parlamentare për vendet e ish taborit socialist ishte trampolinë kërcyese për të krijuar pasuri enorme, duke krijuar kështu nga komunistët pushtetarë më herët, tash te pasurit-kapitalistët ekskluziv. Edhe këtyre ditëve u dëgjuan shumë fjalë për zgjedhjet, procesin zgjedhor, pragun zgjedhor…, tingëllojnë shumë keq fjalët e të përkëdhelurve të shoqërisë, të decentralistëve etnikë, unë nuk kuptoj vërtet domethënien e demokracisë parlamentare dhe sistemin zgjedhor, ashtu si e interpretojnë politikanët vendorë, dhe a duhet që politikanët ta “edukojnë” zgjedhësin?
Dhe çfarë rëndësie kanë asambletë lokale por edhe parlamenti qendror, kur vet sistemi zgjedhor nuk rritë përgjegjësinë institucionale dhe ligjore të unifikimit institucional, por krijon ndarjen politike-segregacionin etnik të komuniteteve-decentralizimin, atij të madh dhe atij minoritar. Menjëherë pas përfundimit të ciklit zgjedhor, adresa e partisë nuk duhet të jetë aq e rëndësishme siç po ndodhë në Kosovë, të zgjedhurit obligohen në kryerjen e detyrave të përditshme, në mbështetje të ligjit, jo të preferencave partiake. Atëherë, nëse është ndryshe, garat zgjedhore dhe listat zgjedhore janë të pakuptimshme, ashtu siç është i pakuptimshëm edhe zgjedhja e asamblesë komunale por edhe e kuvendit qendror.
Lind pyetja nëse ata që kryejnë detyrat me përgjegjësi “shtetërore” nuk i dinë detyrimet e veta? – atëherë atyre duhet t’u jipet përshkrimi i detyrave të punës, përndryshe do të sorollaten pa krye, duke mos ditur vërtet cilat janë detyrat e tyre, për të cilat paguhen nga buxheti i konsoliduar i Kosovës, jo nga arka partiake. Si asnjëherë nuk u shkon në mendje të mendojnë kush i paguan ata, anëtarësia partiake, arka partiake, apo ata paguhen nga tatimpaguesit qytetarë, dhe zakonisht është një logjikë shumë e thjeshtë kush të paguan atij i jep përgjegjësi, pra edhe detyrat e përditshme janë në interes të qytetarit votues, dhe atij që nuk voton, edhe ai është qytetar, e jo në interes të partisë që delegon, duhet kuptuar pra edhe përgjegjësitë në at nivel.