Dega e PDK-së në Prizren reagon ndaj veprimit të Kuvendit Komunal të Prizrenit, me rastin e ndarjes së mirënjohjeve në Akademinë Solemne, për 20-vjetorin e Çlirimit të Prizrenit, ku konsiderojmë së nuk është përfillur rregullorja për ndarjen e çmimeve apo mirënjohjeve, të cilën e ka miratuar ky organ. Kjo është bërë pa bërë ftesë publike për shoqatat, organizatat e grupet tjera, në mënyrë që do t’i propozonin njerëzit meritor për çlirimin e Prizrenit. Është e pa pranueshme, aq më tepër kur kjo ndodhi në shënimin e Jubileut të një date të veçantë historike të qytetit tonë. Procesi është jotransparent, pasi as nuk dihet kush dhe mbi çfarë kriteri i ka bërë propozimet.
Po ashtu e konsiderojmë si të papranueshme, që në një ditë si ajo e çlirimit të mos dekorohet edhe komandant Drini, kontributi i të cilit tashmë dihet për çlirimin e Prizrenit.
Po ashtu është dashur që në mesin e të nderuarve të ketë edhe personalitete nga komunitetet joshqiptare, të cilët kanë kontribuuar për Prizrenin.
Përveçse pa kritere ky proces është edhe me ndikime politike.
Tashmë është e qartë se pushteti aktual i Prizrenit, të cilin e udhëheq Vetëvendosja që kritikonte 24-orë, nuk respekton dispozitat ligjore, duke bërë disa shkelje, për vetëm një vit e gjysmë të qeverisjes.
Po ashtu në mesin e tyre nuk gjendet as emri i veprimtarit dhe themeluesit të celulave të para të UÇK-së, dëshmorit të kombit, tash heroit Ismail Kryeziut.
Në këtë rast, mendojmë se nuk duhet ndonjë konstatim i veçantë, që procesi është bërë pa kriter dhe me ndikime politike.
Lista do të ishte tepër e gjatë në rast se do të numëronim emrat e të gjithë meritorëve, të cilët kanë kontribuar për çlirimin e qytetit, por kjo nuk i bënë nderë as atyre e as Komunës, që i ka ndarë, derisa nuk ka përfillje të rregulloreve nga ana e vetë institucionit më të rëndësishëm komunal, i cili i ka aprovuar ato.
Mirënjohje i’u ndanë edhe disa personaliteteve nga fusha të ndryshme, por edhe në këtë rast njësoj pa kurrfarë kriteri, duke lënë jashtë shumë meritorë. A thua askujt nuk i’u kujtua emri i doajenit të mjekësisë kosovare, Primarius Dr. Daut Mustafa?
Konsiderojmë se në këtë proces është dashur të përfshihen edhe personalitete nga komunitetet tjera të Prizren.
Ajo që është vërejtur gjatë mbledhjes solemne e pas saj, janë reagimet e disa kuvendarëve opozitarë, të cilët kanë shprehur habi, kur dëgjonin emrat e të dekoruarave, ndërsa ata nuk kishin dijeni dhe pyesnin njëri-tjetrin nëse kishin votuar një listë të tillë.
Krejt në fund, shtrohet pyetja apo degradohet edhe kjo çështje, meqenëse për ndarjen e dekoratave e mirënjohjeve ka një rregullore komunale, të cilën më i thirruri për ta respektuar është pikërisht institucioni që e nxjerr, në këtë rast Kuvendi Komunal i Prizrenit.