Gjatë kësaj tryeze u prezantuan pikëpamjet e shoqërisë civile, nxënësve, prindërve etj., lidhur me atë se a është konsideratë primare interesi më i mirë i fëmijës brenda sistemit arsimor, në kuptimin e legjislacionit, politikave, kurrikulës, ndarjes buxhetore për arsim, organizimit të sistemit arsimor, mësimdhënies dhe edukimit, qasjes pedagogjike, cilësisë dhe infrastrukturës.
Lidhur me qëllimin e takimit, foli Petrit Tahiri, kryesues i Grupit Tematik për Arsim – KOMF. Përderisa Remzije Krasniqi, anëtare e këtij grupi, Agnesa Qerimi, Drejtoreshë e Këshillit Rinor Kosovar dhe Ymret Reshiti, Kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës prezantuan qëndrimet e tyre lidhur me interesin më të mirë të fëmijës në sistemin arsimor. Sipas Krasniqit, organizimi i sistemit arsimor vazhdon të mos ketë për bazë interesin më të mirë të fëmijës. Ajo tha që gjendja psikologjike e fëmijëve nuk konsiderohet e rëndësishme gjatë veprimeve në kuadër të sistemit arsimor. Përgjatë dhjetë viteve të fundit, sistemi arsimor ka pësuar ndryshime të shumta, duke përfshirë ndryshimet e shpeshta kurrikulare, tekste të vjetra dhe jo në përputhje me trendet bashkëkohore e shpesh me përmbajtje të papërshtatshme, diskriminuese madje edhe me gabime të shumta drejtshkrimore dhe gjuhësore, përfshirjen e testeve të reja për nxënësit, shtimin dhe përfshirjen e lëndëve të reja, ndryshimet në procesin e vlerësimit, ndërprerjet e procesit arsimor si pasojë e grevave të mësimdhënësve etj.