leoni

Brigada 121, Brigada spartane e UÇK-së

Ahmet Qeriqi: Brigada 121, Brigada spartane e UÇK-së

Historia e spartanëve të lashtë është përsëritur shpeshherë te popujt që kanë luftuar për liri dhe ajo përmban ne vete heroizmin, sakrificën, dinjitetin dhe trimërinë, strategjinë, qëndresën e paepur dhe shembullin unik të luftës kundër së keqes, barbarisë e mujsharisë sundimtare. Spartane në kuptimin legjendar ishte qëndresa 25-vjeçare e Skënderbeut, e Ali Pashë Tepelenës, e tillë ishte Lufta nacionalçlirimtare kundër fashizmit dhe po e tillë, tipike spartane, ishte qëndresa e legjendarit Adem Jashari dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kemi edhe një Brigadë spartane, e cila mu në qendër të Kosovës, shkroi faqet më të ndritura të luftës sonë heroike kundër barbarisë, kundër një regjimi shtypës e brutal, kundër një makinerie fashistoide, mbi të cilën, më në fund u derdh me rrebesh edhe forca më e madhe ushtarake e botës, sepse barbaria kishte arritur kulmin, por edhe ndëshkimi “botëror” kishte arritur triumfin mbi kuçedrën  sllave.

Brigada 121 Ismet Jashari “Kumanova” ka jetëgjatësinë më të madhe të ruajtjes së kompaktësisë në shtrirjen dhe ruajtjen e territorit, të popullatës së zhvendosur dhe institucioneve të luftës.

Kam veçuar këtë Brigadë në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, në radhë të parë për shkak të realitetit e korrektësisë, për hir të së vërtetës dhe obligimit që ndiejmë për ta zbardhur atë, jo me qëllim të krekosjes  e lavdit të pamerituar, jo me qëllim të zbehjes së qëndresës e heroizmit të brigadave të tjera të UÇK-së, secila heroike në kapacitetin e vet, por me qëllimin e vetëm për të faktuar një të vërtetë shumë të njohur për mijëra luftëtarë të lirisë e dhjetëra mijëra banorë, që kanë mbijetuar luftën në mbulim të kësaj Brigade, ku ka qenë vendqëndrimi më i madh i popullatës së zhvendosur gjatë luftës, në Kosovë.

Bërthama e Brigadës, Ismet Jashari-Kumanova, fillimisht përbëhej nga njësitet, Çeliku, Lumi, Sokolat, Pëllumbat e njësi të tjera vullnetarësh, që kishin vepruar nëpër pika të ndryshme dhe që kishin pasur bazë strehimi e koordinimi të aksioneve në fshatrat strategjike të Rrafshnaltës, që shtrihen prej Gradinës së Llapushnikut e të Berishës, në Fshatin e Ri, Kleçkë, Divjakë, Javor, Dukë, Karaçicë,  Luzhnicë deri në Duhle.

Në anën lindore dhe perëndimore të kësaj Brigade, shtrihen fshatrat prej maleve të Zborcit e Caralevës, duke përfshirë Kompleksin e Blinajës në 7.000 hektarë pyje masive dhe me fshatrat e Drenicës jugore: Pjetërshticë, Krojmir – dy pjesët e fshatit, pastaj, Risinovc, Shalë, Ish-Sedllar, Baincë, Nekovc, Kizharekë, Fushticë e Epërme dhe e Poshtme, Zabeli i Epërm, Leletiq, Mirenë,  Llapushnik, Komaran dhe fshatrat e anës perëndimore, Arllat, Tërpezë, Temeçinë, Lladrovc, Lladroviq, Senik, Bellanicë, Banjë, Ngucat, Bllacë etj.

Kjo kompaktësi territoriale ku gjatë tërë kohës luftës kanë vepruar katër batalionet e kësaj Brigade, është unike në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për  pësimet më të vogla në numër të popullatës civile. Në këtë territor serbët nuk kanë arritur të kryejnë masakra masive, nuk ka ndodhur asnjë rast dhunimi apo kidnapimi në masë.

Duhet vënë në dukje edhe faktin se konfiguracioni gjeografik i kësaj pjese të Kosovës me male të larta dhe pyje të dendura, me gryka e male strategjike, ka bërë të pamundur zbatimin e aksionit serb”patkoi”. Realisht, gjatë luftës, tërë ky territor mbahej në rrethim, me depërtimet të përkohshme në ofensivës serbe të korrikut e gushtit të vitit 1998 dhe të prillit të vitit 1999, por me asnjë vendosje të pikave të përhershme të kontrollit brenda saj. Pikat e qëndrueshme të forcave serbe gjatë kohës së luftës kanë qenë postblloku policor e ushtarak serb, në  Magurë, dhe tjetri në Pishat e Shtimes nga ana lindore, në Komaran  dhe te Kroi i Mbretit nga ana veriore, si dhe në Qafë-Duhle nga ana perëndimore. Pjesa perëndimore prej Duhlës deri në Arllat nuk ka qenë e qëndrueshme me postblloqe serbe, të cilat vazhdimisht janë përpjekur të dalin në Rrafshnaltë dhe gjithnjë kanë ndërruar pozicionet.

Brigada 121

Të veçantat e luftës në Brigadën 121, Ismet Jashari-Kumanova

– Vendosja dhe qëndrimi më i gjatë kohor i SHP të UÇK-së, kryesisht në Kleçkë, Divjakë, Fshati i Ri, Javor etj. Gjatë luftës në këtë zonë kanë zhvilluar aktivitet ushtarake e politik: Zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, i cili ishte strehuar me familjen e tij, pastaj eprorët e lartë të luftës: Ismet Jashari, ( i rënë më 25 gusht 1998) Fatmir Limaj, Tahir Sinani, Agim Çela i rënë në Betejën e Rahovecit në korrik të vitit 1998, Bislim Zyrapi, Idriz Hyseni, Agim Çeku, Dilaver Goxhaj, Ajvaz Berisha, Ajet Kastrati, Ferat Shala, Sokol Dobruna,  Sali Veseli, Haxhi Shala, Ramë Buja, Adem Grabovci, Gani Krasniqi, Bardhyl Tahiri, Naim Maloku, Sadik Halitjaha, Ramë Buja, Naim Bujupi, Sokol Dobruna, Nuri Bega, Ibrahim Mazreku, i rënë më 2 qershor të vitit 1999.  Në intervale kohore edhe:  Hysen Gega, Shaban Shala, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, Milaim Beha (dëshmor) Imer Alushani, i rënë më 25 korrik 1998, pastaj, Besim Mala,  Elez Durmishi, Jetullah Çarri, Zenel Zekolli, Dervish Kastrati, Hilmi Sopi,  e dhjetëra të tjerë….

– Formimi i Njësive Speciale të SHP të UÇK-së me komandant, Tahir Sinanin.

– Vendqëndrimi më masiv i popullatës së zhvendosur gjatë tërë kohës së luftës. Në fund të luftës, në të gjitha grykat e maleve të kësaj pjese dhe në vende të caktuara në kompleksin e Blinajës,  kishte më shumë se 135.000 të zhvendosur.

– Në asnjë nga këto vendqëndrime nuk kanë arritur të depërtojnë forcat ushtarake e policore serbe.

– E vetmja Brigadë gjatë luftës së UÇK-së ku kanë qëndruar dhe kanë zhvilluar aktivitet informativ, prej 4 janarit deri më 21 qershor të vitit 1999,  Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress, dy mediume të themeluara qysh në 13 nëntor të vitit 1998 nga SHP i UÇK-së.

– Funksionimi në kushte lufte i një pjese të Qeverisë së Përkohshme, në Fshatin e Ri deri në mbarimin e luftës.

– Funksionimi i ambulancave dhe i spitaleve ushtarake gjatë tërë kohës së luftës.

Më 2 dhe 3 prill të vitit 1999 nën breshërinë e armëve armike kanë depërtuar në Rrafshnaltë qindra luftëtarë të Brigadave 123 dhe 124 të Zonës Operative të Pashtrikut.  Duke qenë se ishin sfilitur  nga lodhja uria ata ishin shtrinë nëpër dëborë në pamundësi për të qëndruar këmbë.

Për një afat të shkurtë kohor janë mobilizuar shtabet e grykave, ku ndodhej popullata dhe brenda dy-tri orëve, në malet e Fshatit të Ri dhe në ambientet e SHP të UÇK-së në Divjakë  janë dërguar bukë e ushqime, ngarkuar në traktorë e qerre kuajsh  nga të gjitha grykat prej asaj të Krojmirit, Shalës, Nekovcit  e deri te ajo e Kizharekës. Të zhvendosur  kanë dhënë bukën e tyre rezervë, në mungesë të kohës për gatim.

– E vetmja Brigadë që ka ruajtur territorin në të gjitha pikat e luftës, fillimisht në pikat e para, në pozicione, pastaj e tërhequr në pozicionet e dyta, në raste kur ka qenë e pamundshme rezistenca ballë për ballë me forcat serbe.

– Brigada 121, ka luftuar kryesisht në mbrojtje  të territorit dhe popullatës, në disa raste edhe ka sulmuar forcat armike serbe.

– Futje në veprim e dhjetë mullinjve klasikë, me ujë, për bluarjen e  misrit e të grurit, sidomos në tre katër muajt e fundit të luftës. Këta mullinj kanë bluar 24 orë pandërprerë dhe kanë bërë që mielli, gjatë natës të eksportohet në zonat e mbetura nën rrethim edhe jashtë territorit të Brigadës.

Gruri e misri janë bluar në këta mullinj:

Mulliri i Ali Durmish Rizanit si dhe Mulliri i Katunit  në fshatin Krojmir,

ku ishte vendstrehimi më i madh i popullatës në kuadër të kësaj brigade e cila në prag të çlirimit numëronte rreth 30.000 banorë të zhvendosur.  

Mulliri i Demir Smail Gashit, në fshatin Javor.

Mulliri i Haradin dhe Hazir Buçajt në fshatin Lladrovc.

Mulliri i Hazir Murat Gashit në Nekoc.

Mulliri i Ali Ramadan Gashit në Pjetërshticë.

Mulliri në Grykë të Gashit, në Nekoc.

Mulliri e Isuf Banush Hoxhës në Shalë.

Mulliri i Shaban Selim Kastratit, në Vërshec.

Mulliri i Fazli Ymer Jonuzajt, në Senik). (Dilaver Goxhaj: Beteja e Koshares, VII, RKL qershor 2018).

Mulliri i Luftës

Luftëtarët e lirisë dhe popullata e zhvendosur gjatë natës,  depërtonin në shtëpitë e fshatrave të braktisura ngarkonin mbi supe apo në qerre klasike grurin, që kishte mbetur nëpër hambarë dhe e dërgonin për bluar në këta mullinj. Një sasi e madhe grurit, rreth  80 tonë, në korrik të vitit 1998 ishte grumbulluar dhe deponuar në objektin e shkollës së fshatit në Krojmir, pastaj një pjesë e saj ishte marrë nga Komanda e Brigadës, dhe pjesa tjetër ishte tërhequr në Grykën e Krojmirit.

Edhe në shumë vende në zonat që i mbante nën kontroll UÇK-ka ka pasur mullinj, madje edhe mullinj elektrikë, (si në Zonën e Shalës) por në asnjë zonë malore nuk ka pasur në funksion, aq mullinj sa ka pasur në kuadër të terrenit që e mbante nën kontroll, Brigada-Kumanova.

– Në këto zona të zhvendosurish ka pasur edhe mjekë që kanë qëndruar prej fillimi e deri në fund të luftës. Në kushte dhe rrethana të caktuara kanë punuar rreth 100 mjekë dhe personale teknik mjekësor.

– Nga 100 lindjet gjatë kohës së luftës, në Grykën e Krojmirit, ka ndodhur vetëm një dështim, meqë lehona kishte arritur me vonesë në ambulancën e improvizuar të gjinekologjisë. (Mjeku gjinekolog,  Jakup Ismajli).

– Shumë nga fëmijët e lindur asokohe, sot mbajnë emrat Çlirimtar dhe Çlirimtare.

– Nuk është shënuar as edhe një rast i zgjebës apo i ndonjë epidemie karakteristike në kushte dhe rrethana lufte, në vendbanime të tilla të grumbulluara.

– Për të mos e shqetësuar popullatën e vendosur aq dendur, kryesisht me gra, fëmijë e pleq, Shtabi i Brigadës kishte marrë qëndrim që luftëtarët e shumtë që shtegtonin nga një vend në tjetrin, të mos depërtonin nëpër mesin e popullatës, me qëllim të mos ngjallej paniku. ( Komandanti, Zenel Zekolli, intervistë për TV-Diellin, 7. 6. 2019)

– Nuk është shënuar asnjë rast i helmimit nga gjarpërinjtë.

Popullata e zhvendosur në gryka malesh

-Fëmijët, gratë, pleqtë nga radhët e popullatës së zhvendosur nën mbrojtje të kësaj Brigade nuk kanë parë asnjëherë fytyrë polici apo ushtari serb, sepse  në asnjë rast ata nuk janë lejuar të depërtojnë në ato gryka malesh. Në shumë raste popullata e zhvendosur në gryka malesh është goditur nga largësia me raketa dhe armë artilerie dhe ka pësuar dëmtime.

Gjatë tërë kohës së luftës, forcat ushtarake serbe kanë qëndruar vetëm një natë në Krojmir, natën e katër prillit, më 5 prill të vitit 1999, pasi janë sulmuar në dy tri  pika, janë tërhequr  dhe janë vendosur në fund të fshatit Shalë, ku kanë qëndruar deri kah fundi i luftës, me ç rast janë sulmuar edhe nga aeroplanët e NATO-s.

Në territorin që e mbante nën kontroll Brigada 121, Ismet Jashari e Zonës Operative të Pashtrikut,  në maj të vitit 1999, luftëtarët e njësisë Speciale të SHP në koordinim  me komandantët e batalioneve kanë kryer aksionin më spektakolar të luftës në rrëmbimin e minave tokësore nga një kazermë serbe afër Magurës, me të cilat edhe është vendosur fati i luftës në këto anë.

Duke folur për aksionin e rrëmbimit të municionit në deponë e ushtrisë serbe në kodrën e Goleshit afër Magurës, komandanti i Batalionit “Ruzhdi Salihu” i Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova”, Elez Durmishi thotë: “Më 18 maj 1999 isha duke shkuar në komandën e Brigadës, në Kleçkë, së bashku me disa luftëtarë. Në rrugë më ndaloi komandanti Haxhi Shala, i cili ishte bashkë me komandant “Gurin”, Jetullah Qarrin. Ata më thanë se duhej të kthehesha, meqë kishin marrë urdhër për një aksion me rëndësi. U ktheva në Grykën e Krojmirit ku ndodhej popullata civile dhe takova komandantin e njësisë speciale “Tigrat e zi”, Besim Mala. Ndërkohë, nga ai mësova se duhej të fillonte realizimi i planit për rrëmbimin e armatimit në një depo të municionit të forcave serbe, në Golesh. Besimi kishte planifikuar që në këtë aksion, i cili duhej të kryhej gjatë natës, të angazhoheshin pjesëtarë të popullatës civile, të aftë për të bartur municion mbi supe. Filluam mobilizimin në fshatin Pjetërshticë, ku në çdo dhjetëshe nga radhët e popullatës, caktonim nga dy ushtarë, pastaj disa të tjerë i mobilizuam edhe në Krojmir, Shalë, Risinovc dhe nga fshatrat e tjera të kësaj ane. Për një afat të shkurtër u mobilizuan disa qindra pjesëtarë të popullatës civile dhe rreth 50 luftëtarë dhe eprorë të armatosur.

Aksioni ka filluar në orët e mbrëmjes, pasi ishte errësuar. Forcat serbe të pozicionuar te bunkeri me të filluar terri, largoheshin  nga depoja për shkak të sulmeve të mundshme të aeroplanëve të NATO-s.

Ndërkohë, luftëtarët e lirisë afrohen te depoja bunker dhe fillojnë të ngarkojnë mbi supe mina antitank dhe sasi të konsiderueshme të municionit. Ishin tërhequr disa tonë municion. Pasi ishte larguar edhe ushtari i fundit, komandanti Besim Mala kishte dhënë urdhër të minohej e më pas të hidhej në erë bunkeri-depo, ku kishin mbetur shumë raketa të tipit tokë-tokë, predha të kalibrave të ndryshëm dhe municion. Pas disa minutash, xhenierët kishin aktivizuar minat dhe bunkeri ishte hedhur në erë, ndërkohë kishte filluar edhe shpërthimi i qindra predhave. Herë pas herë nga shpërthimi i fuqishëm tërë vendi ndriçohej dhe shumëkush kishte menduar se ishte sulm nga ajri i aeroplanëve të NATO-s.

Shpërthimi i municionit kishte zgjatur rreth 30 minuta. Luftëtarët dhe pjesëtarët nga radha e popullatës civile ishin kthyer të ngarkuar me municion në relacionin Shalë – Krojmir. Municioni ishte grumbulluar në “Grykën e Shpëtimit”, në Krojmir ku ndodheshin të strehuar rreth 30 mijë njerëz nga popullata civile nga fshatrat e Drenicës dhe nga vende të tjera të përfshira në luftë.

Të nesërmen, municioni ishte bartur me xhipa dhe qerre kuajsh në drejtim të selisë së Komandës së Brigadës 121, në Kleçkë, nga ku minat antitank u shpërndanë në të gjitha zonat e luftës së UÇK-së. Me vënien e minave gjatë natës, në të gjitha pikat nga ku kalonin forcat serbe ishte paralizuar forca e motorizuar e armikut. Gjatë ditëve në vijim prej 20 majit e deri më 20 qershor 1999  kanë rënë në ato mina: pizgauerë, tanke, mjete të motorizuara, vetura, xhipa të forcave policore e ushtarake serbe, në të gjitha zonat e luftimeve, e sidomos në pikat strategjike të rrafshnaltës së Berishës, ku ndodheshin të strehuar nëpër luginat e maleve dhe të lumenjve rreth 100 mijë banorë të zhvendosur.

Forcat e motorizuara serbe, të cilat po sulmoheshin nga ajri nga aeroplanët amerikanë dhe anglezë, po hasnin nëpër mina dhe nuk ishin më të sigurta nga ajri, nga ku bombardonin avionët e NATO-s, as nga toka, ku papritmas binin nëpër minat antitank, që ishin rrëmbyer në depotë e tyre.

Aksioni i rrëmbimit të municionit të depon bunker të forcave serbe në Golesh, ka qenë aksioni më spektakular i forcave të UÇK-së gjatë tërë luftës deri më 21 qershor të vitit 1999, kur nga Kosova u dëbuan përgjithmonë forcat ushtarake e policore serbe.

Lufta e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, ka bërë kthesën më të madhe në historinë më të re të kombit shqiptar. Duke qenë një luftë që mori përmasa të përgjithshme, popullore, ajo u kurorëzua me sukses, në radhë të parë sepse faktori popull ishte vetëdijesuar dhe kishte pranuar sakrificën sado e madhe e dhembshme që ishte ajo, me qëllim për t u liruar nga vargonjtë e tiranisë, despotizmit dhe dhunës së shfrenuar e sistematike, që po ushtronte  regjimi kriminal  serb të Milosheviqit.

PO të mos ishte mobilizuar populli, por të mos kishte qëndruar në trojet e veta, por të ishte larguar në tërësi nga vendi, më 11 dhe 12 qershor nuk do festonim 20-vjetorin e çlirimit.

 

 

Literatura:

 

Arkivi i Radio-Kosova e Lirë I II III, Prishtinë 20o9.

Ahmet Qeriqi, Kronikë lufte, I II III,  vepër në dorëshkrim.

Martin Çuni: Reportazhe Lufte, 2001.

Dilaver Goxhaj: Beteja e Koshares, VII, RKL qershor 2019.

Feniksët e lirisë ( 1-17)

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …