Adil Fetahu: Një roman për gjenocidin grek mbi Çamërinë

Adil Fetahu: Një roman për gjenocidin grek mbi Çamërinë

(Arben Kondi: “Shën Bartolomeu i Çamërisë”, Tiranë, 2019)

Në përkujtim dhe nderim të mijëra viktimave të Çamërisë martire, në 75-vjetorin e gjenocidit grek ndaj saj –

Vargut të romaneve historike dhe librave tjera për çamët dhe për Çamërinë, shkrimtari i afirmuar dhe çamologu i thekur, Arben Kondi, këto ditë ia shtoi romanin e tij më të ri, të titulluar: “Shën Bartolomeu i Çamërisë”,  me përkushtimin hyrës: “Në përkujtim dhe nderim të mijëra viktimave të Çamërisë martire, në 75-vetorin e gjenocidit grek ndaj saj”. Ky roman ishte një ndër titujt e ri të botimeve në Panairin 21 të Librit, që u mbajt në Prishtinë më 5-9 qershor 2019.

Sikur e thekson autori në fjalinë hyrëse të romanit, këtë ia kushton 27 qershorit të vitit 1944, kur forcat klerofashiste e ultranacionaliste greke, kryen masakra të tmerrshme dhe gjenocid mbi çamët myslimanë të Paramithisë me rrethinë, kur brënda një dite u torturuan, u masakruan, u vranë, u prenë ose u dogjën për së gjallë mbi 673 çamë myslimanë, pa dallim moshe a gjinie.

Bandat kriminale të andartëve  dhe të kriminelëve mercenarë të Kretës, fillimisht mbi njëmijë veta, e më vonë më se pesëmijë veta, nën komandën e gjeneralit famëkeq shqiptaro-vrasës Napoelon Zerva, të cilëve iu printe kolonel Kamara, dora e djathtë e Zervës, heret në mëngjesin e 27 qershorit, të prirë nga udhërrëfyesit vendas, avokatët Stavropullos dhe Strugar, ia mësynë Parmithisë. Mbrojtja e çamëve i pritën me zjarr dhe ua ndalën hovin e nisur, por kjo nuk zgjati, sepse dhespoti Dorotheu, myftiu i qytetit dhe disa tjerë nga paria e vendit, pas një bisede, kishin marrë garancione se çamëve nuk do t’iu mungojë as kimja e flokut as pasuria. Pas këtij garancioni, pushoi zjarri. Telalli i qytetit, me daullën e tij, në çdo rrugë e sokak bërtiste duke thënë se “nuk do të ndodhte asgjë, pasi të gjithë të krishterë e myslimanë bashkë janë vëllezër të një gjuhe e të një gjaku, dhe se jeta do të vazhdonte normalisht”. Pas kësaj, qytetarët dolën në punët e veta, në dyqane e në Pazar. Po a i besohet grekut të pabesë. Për pabesinë e grekut është një thënie e vet grekëve: “Ai që shtrëngon duarët me grekun, le t’i numërojë gishtat”!

Sapo hynë bandat greke në qytet, u dha urdhëri që të gjitha armët të dorëzoheshin në polici. Me këtë do ta pamundësonin mbrojtjen e çamëve. Dhe po atë ditë, filloi ploja,  masakra e kasaphanja për çamët e Paramithisë, pa dallim moshe as gjinie. Ishte urdhëri i  Zervës se “Çamët muhamedanë ose duhet të vriteshin ose duhet të shpërngulëshin të gjithë dhe se në arritjen e këtij qëllimi nuk duhet pasur as mëshirën më të vogël”.  Kriminelët kretanë dhe andartë u sulën si hijenat në rrugët, në oborret dhe në shtëpitë e myslimanëve të Paramithisë. Dëgjoheshin krisma armësh, britma grashë e fëmijësh. Rrugëve shiheshin kufoma, gjak, grupe të grave e fëmijëve që kriminelët i kishin vënë përpara dhe nuk dihej se ku po i shpienin. Prej shtëpive të zbrazura, po plaçkitej gjithçka që ishte e vlefshme dhe pastaj iu jepej flaka.

Romani është i zhanrit historik ndërsa krimet e bandave greke të kryera më 27 qershor, janë të vërteta. Ngjarja e thurur  artistikisht në roman, zhvillohet përmes një galerie personazhesh negative e pozitive, ndër të cilët kryepersonazh është Kristo Griva, një personazh që për vetën e tij nuk e di nëse është grek apo shqiptar; “i dij  të dy gjuhët: shqipen e kam nga nëna, ndërsa greqishtën e mësova në shkollë”, thotë Kristo për vete. ”Unë nuk di shumë historinë, por avokati Spiro Çalluka më ka thënë se isha me rrënjë nga Shpatajt, të cilët jo vetëm se ishin shqiptarë, por në mesjetë ishin princër në Epir. Një gjë e di për vete, se kurrë nuk kam vrarë njeri, kurrë nuk i kam lyer duarët me gjak”. Personazhe tjera pozitive të romanit janë: Haxhi Fejzo, avokati Spiro Çalluka, Mazar e Nuri Dino, prijës të rezistencës çame, mullisi Feim Shaqo, Jasin Sadiku që pajtonte gjaqet dhe ngatërresat, Abedin e Gani Bako, dy intelektualë të shquar, Sali Hafuzi, kryetar i këshillit, Hasan Abdullahu, myftiu i qytetit, Avdulla Kasëmi, Llambro Miho, pronari i furrës së bukës, që përmes Kristit u jepte bukë grave e fëmijëve të burgosur, etj. Ndërkaq, personazhe negative janë: gjenerali famëkeq Napoleon Zerva, kolonel Kamara, nënkolonel Kranji, dhesproti Dorotheu, Vasil Ballumi, Strugari, Çil Popovo, Gaç Pulla, Vëllëzërit Pandezi, Koç Nikolla, Dino Barba, Nikolli Rafti, Kiço Jani, Andrea Katupi, etj.

Kristo Griva ishte një jetim, 16-vjeçar, pa të dy prindët. Sipas rekomandimit të avokatit Spiro Çalluka, që ishte autoritet në Paramithi, Kristo ishte angazhuar si çoban dhe punëtor (me rrogë) në familjen e pasur të Haxhi Fejzos. Ishte punëtor i mirë dhe trajtohej mirë nga i zoti i shtëpisë. Haxhi Fejzo kishte një vajzë të bukur 15-vjeçare (Nazo) dhe një djalë si moshatar me Kriston (Idrizi). Një grup vjedhësish nga Spatari ia kishin rrëmbyer Kristos 10 dele, dhe ia kishin vrarë dy qenët mollosë, me ç’rast ky ishte kacafytur me vjedhësit, por s’kishte mund ta shmangë vjedhjen. Për këtë shkak, Kristin e pushojnë nga puna dhe ai shkon e angazhohet si korier i Shtabit të Zervos në policinë e Paramithisë. Me rastin e mbledhjes së armëve, Kriston e caktojnë për të regjistruar numrin e armëve, dhe për koincidencë qëllon që i pari që dorëzon armën ishte Haxhi Fejzo, të cilin, bashkë me dy të tjerë i  vranë zervistët në rrugë, sapo kishte dalë nga stacioni i policisë ku e kishte dorëzur armën. Kristi si njeri me uniformë policie dhe me armë (revole) në brez, mund të lëvizte rrugëve të qytetit, madje të hynte nëpër oborre e shtëpi, kështu që kishte parë gjithë tmerrin dhe masakrat që kishin kryer andarët dhe kretanët. Ishte tmerruar nga brutaliteti i kriminelëve, kishte dëgjuar krisma e britma brënda shtëpive, disa  prej të cilave digjeshin në flakë, bashkë me njerëzit brënda. Në rend të parë kriminelët zgjedhnin shtëpitë e njerëzve më në zë e të kamur, si ato të Bollatëve e tjera, ku kryenin krimet dhe kishin se çka të plaçkitnin. Kishte parë skena lemeritëse të grave, fëmijëve e pleqëve të masakruar. Kishte parë kokën e prerë të Fiqiriut,  xhaxhait të Nazos, të vënë në hyrje të shtëpisë mbi shkallë, të cilit ia kishin vrarë edhe gruan dhe gjashtë fëmijët e tyre, prej të cilëve Bedrija ishte më e madhja, 15 vjeçe, së cilës ia kishin copëtur gjoksin me dhëmbë e me thika. Fëmijët i kishin prerë si kecat. Të papriturat e Kristos, asaj të marte të zezë, nuk kishin të sosur. Po,si mund të harrohet rasti i berberit, i cili dha shpirt para këmbëve të Kristos me sytë që vështronin sikur kërkonin ndihmë; po mësuesi plak i shqipes që u vra tek çezma Duru; po mullinxhiu Feim Shaqo, të cilit i vranë gruan dhe i përdhunuan vajzën, ndësa gjaku e mielli ishin bërë brum mbi trupin e tij; po vajza dhe gruaja e Bollatëve, të djgura me vajguri; po koka e prerë e Rami Kroit, trupin e të cilit e tërhiqnin zvarrë nëpër të gjitha rrugët e Paramithisë; po vrasja me plumb pas koke e dy pleqëve në Dhrahomi, të cilët nuk kishin pranuar të lëviznin nga pragu i shtëpisë; po duarët e prera të fëmijëve, të ngulura nëpër hunjtë e gardheve; po 24 të vrarët e një familje të madhe në Gardhiq, në mesin e tyre tetë fëmijë; po vajzat e mbytura në puse, për të ikur përdhunimit; po barku i çarë i një nëne shtatzënë dhe fëmija i nxjerrë prej saj i vëndosur në maje të bajonetës, si trofe fitoreje e kriminelëve; po sytë e nxjerrë të vëllezërve Abedin e Gani Bakos? Sa shumë që janë, i kujton Kristo, por nuk kishte mundësi t’iu ndihmojë as t’i shpëtojë. Në këto rrethana muçibrete kishte, mendjen te Nazo, vajza e ish-pronarit të tij, ndaj së cilës kishte një  simpati të veçantë. A mos ishte gjallë e fshehur diku, apo ishte dhunuar e masakruar nga kriminelët? Kristos iu kishte dëftuar në ëndërr Haxhi Fejzo, që i kishte thënë se Nazo është gjallë dhe e kishte lutur ta shpëtojë. Shkoi dhe e gjeti të gjallë në shtëpinë e saj, veçse e katandisur si mos më keq, e tëra e larë në gjakë nga kafshimet e kriminelëve dhe nga krahërori i çarë me thikë. Në ndërkohë vjen një andart mjekërrosh për ta dhunuar përsëri Nazon. Të dy fshehen në një dollap, e kur mjekërroshi nuk e sheh Nazon, fillon ta dhunojë kufomën e nënës së Nazos, Feruze hanëmin, të cilën e kishin vrarë më heret. Kristo nuk mund e duroi atë skenë të paparë e padëgjuar, që të dhunohet seksualisht kufoma, prandaj nxorri armën nga brezi dhe e vrau andartin. Nazon e hipi në kalë dhe mori rrugën për Janinë. Rrugës u ndalën në Dodonë ku e shpallën martesën në atë vend të shenjtë: “Unë Kristo Griva të shpall ty Nazo Fejzo gruan time. Betohem para Perëndisë se do të dua përjetësisht, se do të të qëndroj besnik gjith jetën, në ditë të mira e të vështira”. Kristo hoqi dhe dogji uniformën zyrtare, veshi rroba të babait të Nazos dhe vazhduan rrugën deri në Janinë, e prej atje pas tre muajë udhëtimi nepër dete dhe oqeane, arritën në Amerikë, ku krijuan familje të mbarë, me djemë, nipa e mbesa. Djemtë e tyre, Nasi dhe Ndou, që u bënë pilotë të aviacionit të ushtrisë amerikane, e quan në vend amanetin e të amës, që trupin e saj ta vorrosin në oborrin e shtëpisë në Paramithi, dhe të jatit që ta vorrosin në të njëjtin varr me gruan e tij. Për hollësi tjera të përmbajtjes së romanit, lexonie vet dhe do të shihni se romani “Shën Bartolomeu i Çamërisë”, përkah naracioni dhe përshkrimi i krimeve, është i ngjajshëm me romanin “Tmerri”, të autorit Arben Kondi, për luftën e Kosovës 1999.

* * *

Gjenocidi grek mbi shqiptarët e Çamërisë është kryer në tri faza kryesore dhe në kontinuitet. Faza e parë ishte gjatë Luftës Ballkanike (1912-1914) dhe pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), kur padrejtësisht Çamëria iu la Greqisë, që populli edhe sot e qanë me këto vagje:

“Ti pse klanë moj Çamëri?

Ç’të mos klaj moj Shqipëri,

Gjithë huduti i Çamërisë

I mbeti resto Greqisë”.

Faza e dytë e gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë u zhvillua pas Luftës së Parë Botërore dhe nënshkrimit të Konventës midis Turqisë e Greqisë për shkëmbimin e popullsisë (janar 1923), kur Greqia i detyroi shqiptarët myslimanë të shpërngulën në Turqi, dhe në pronat e tyre i vendosi ortodoksët e ardhur nga Turqia. Faza e tretë u zhvillua gjatë Luftës së Dytë Botërore (1944-1945), kur u vranë, masakruan, dogjën ose u përzunë të gjithë shqiptarët e besimit mysliman, ndërsa ata të besimit ortodoks u “shndërruan” në grekë, pa asnjë të drejtë individuale as kolektive si minoritet autokton shqiptar.

Faza e tretë e gjenocidit që u zhvillua në periudhën 27 qershor 1944 deri në mars 1945-es, ishte akti përfundimtar i spastrimit etnik të shqiptarëve myslimanë nga Greqia dhe asimilimit të shqiptarëve ortodoks. Në atë periudhë prej 9 muajve, u vranë, masakruan e dogjën 673 persona në Paramithi, 1286 në Filat, 192 në Gumenicë, 626 në Pargë dhe shumë të tjerë në fshatrat e Çamërisë. Prej 3242 të vrarëve, 214 ishin gra (76 gra janë marrë peng),745 gra janë përdhunuar, 96 fëmijë të vrarë (32 ishin nën 3 vjeçe).  Në 68 fshatra janë djegur e shembur 5800 shtëpi dhe xhami. (www.gazetaimpakt.com/gjenocidi -grek-ndaj-cameve/,

 Preteksti i gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë u mor kinse 2000 shqiptarë kishin bashkëpunuar me gjermanët gjatë okupimit të Geqisë. Ky pretendim nuk qëndron, jo vetëm se numri i bashkëpunëtorëve nga radhët e shqiptarëve ishte i papërfillshëm, por se për shkak të disa individëve nuk mund të gjykohej një popull i tërë, të masakrohej e të detyrohej me dhunë të shpërngulej nga vatrat dhe pronat e veta. Vet kryekrimineli Napoleon Zerva, me bandat e tij ishte bashkëpunëtori më i ngushtë me ushtrinë okupuese naziste, sikur ishte Drazha Mihajlloviqi  asokohe në Jugosllavi. Ushtria gjermane e kishte ndihmuar Zervën për çarmatosjën e shqiptarëve të Çamërisë. Një motiv i pastrimit etnik ishte edhe zilia dhe lakmia për t’i plaçkitur e rrëmbyer pasuritë, pasiqë dihet se çamët ishin punëtorë të vyeshëm dhe pasanikë të kamur. Ndëkaq, motivi kryesor ishte zhdukja  e përhershme, me rrënjë e me degë,  e shqiptarëve nga Çamëria. Këtë motiv e vërteton vet kryekrimineli Zerva, pak para se të vdiste në njjë spital të Parisit. Ai në një letër që i shkruante më 4 gusht 1953 një mikut të tij (Jani Dani Popovit) e porosiste “t’iu shpjegonte bashkatdhjetarëve grekë se kush e spastroi Çamërinë prej shqiptarëve”. Me letrën e tij, Zerva vet e pranon gjenocidin e kryer ndaj çamëve, kur thotë: “Vdes i qetë, se bëra atë që doja,  pasi lash rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadha, uturima fëmijësh, nuse e gra nudo që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin më shqiptarë…, burra të varur e të shpuar me bajonetë. Gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo më kënaqë mua, ashtu siç kënaqë tërë shpirtërat Helenë”!

Mënyra dhe përmasat e krimeve që ka krye shteti grek ndaj çamëve kanë të gjitha elementet dhe tiparet e gjenocidit. Këtë e ka vërtetuar Arben Kondi në romanet dhe veprat e tjera të tij. Këtë e kanë pohuar edhe historianë  e studjues të huaj, madje edhe ndonjë grekë (Stathis Kalivas, Konstandinos Ciceliqis, etj.).  Historiani grek, Niko Zhangu, për masakrat (gjenocidin) e bandave të Zervës, shkruan: “Duhet të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vie turp për ato që u bënë, sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë”.

Parlamenti i Shqipërisë, në vitin 1994 ka vendosë që 27 qershori të shënohet si “Dita e Përkujtimit të Gjenocidit Çam”. Në këtë datë, çdo vit mijëra shqiptarë marshkojnë drejt kufirit grek, për të treguar se nuk e harrojnë gjenocidin dhe vendin e tyre. Këtë vit, Sivjet Arben Kondi shkon në atë marshim edhe me romanin e tij “Shën Bartolomeu i Çamërisë”.

Shqipëria e Kosova dhe të gjithë shqiptarët kudo që anë, kurrë nuk duhet ta heshtin problemin e çamëve dhe Çamërisë, por ta kenë e ta mbajnë përherë në agjendë të aktiviteteve  profesionale e shkencore,  politike e diplomatike në arenën kombëtare e ndërkombëtare, si çështje e pazgjidhur, që  duhet të zgjidhet patjetër.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …