Para se të filloja të shkruaja disa fragmente të shkurta nga jetëshkrimi i Jeton I. Dedushajt, të vetmit dëshmor të luftës së UÇK-së nga Vuthajt e Plavës e Gucisë, por jo edhe të vetmit luftëtar, ashtu siç do të më tregojnë prindërit e tij, babi Idrizi, nëna Bjeshka dhe i vëllai, Kastrioti, më ishte kujtuar një fragment i poezisë së poetit të njohur, me prejardhje nga po kjo trevë, nga Nokshiqi historik, Qerim Ujkani:
Ardhacakë të përçudshëm në tokën time
Historinë nisen
edhe nuk bëjnë histori lufte njëherë nga fillim
Bëjnë histori krimi…
Këtë histori krimi regjimi serb e kishte filluar që në vitin 1877/78 dhe rifilluar, si sa e sa herë më parë, edhe në fund të viteve të tetëdhjeta dhe në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, kur Kuvendi i Serbisë do ta suprimojë atë gjysmë autonomie çfarë e kishte Kosova, ndonëse ky institucion serb nuk ia kishte dhënë atë, kur do t’ua marrë të drejtën shqiptarëve t’i drejtojnë institucionet politike, kulturore dhe të qeverisin me resurset e veta ekonomike, me ç’rast do t’i largojë të gjithë të punësuarit shqiptarë nga puna, me përjashtim të ndonjë këmbëthyeri, veprim ky që rrezikonte ekzistencën e tyre dhe të familjeve të tyre, kur i kishte përzënë nxënësit dhe studentët shqiptarë nga shkollat dhe fakultetet, për arsye se nuk kishin pranuar të mësonin se shqiptarët kanë zbritur nga mali, se janë ardhacakë në Kosovë, tezë serbe e gati dy shekujve më parë, por e përsëritur edhe sot e kësaj dite nga krerë shtetërorë serbë, ndaj kishte helmuar mijëra nxënës shqiptarë, duke synuar kështu, jo vetëm zhbërjen e identitetit kombëtar të shkollës shqipe dhe serbizimin e saj, por edhe t’i detyronte të rinjtë shqiptarë të hiqnin dorë nga shkollimi dhe ta braktisnin vendin. Edhe atëherë kur shqiptarët e kishin organizuar mësimin e pavarur shqip duke i shndërruar shtëpitë në shkolla, policia serbe, sipas instruksioneve të marra nga Beogradi, do t’i përndjekë, ndalojë e torturojë nxënësit dhe studentët shqiptarë, kudo që arrinte.
Këto krime, që ishin bërë të përditshme dhe gjithnjë e më të rënda, të riut vuthjan, Jeton Dedushajt, do t’ia shtojnë urrejtjen ndaj robërisë dhe do t’ia rrënjosin në mendje mësimin e përsëritur aq herë në histori se liria nuk dhurohet, por fitohet, e kishin bërë të kuptojë se çlirimi i Kosovës nuk arrihej me fjalë, se rruga paqësore që propagandohej nga qarqe të caktuara shqiptare, ishte rrugë e nënshtrimit të plotë, nënshtrimit të turpshëm. Ndaj, ëndërr e tij e madhe do të bëhet liria dhe çlirimi i atdheut. “Jetonin ma ka falë Zoti natën e Ni Majit 1975. Gzimin për lindjen e tij s’di ta thom me fjalë, por jam gëzue edhe për atë se ditëlindja e tij përputhej me këtë festë që e festojnë krejt populli. Para tij i kam pas tri vajza, dy prej të cilave më patën dekë pas lindjes. Për këtë, djalit ia qitëm emnin Jeton. Me jetue, m’u rritë…Tanë katuni është gzue për lindjen e tij. Si thmi ishte i shnoshë dhe shumë i gjallë, tanë e dojshin dhe kënaqeshin me lazdrimet e tij”, fillon të tregojë nëna, Bjeshka. Atëbotë, askujt nuk i kishte vajtur mendja se rruga që do të zgjedhë Jetoni kur do të rritej, sakrifica sublime e tij, do ta përjetësojnë emrin dhe kujtimin e ndritshëm për të.
Kjo rrugë jetësore e tij, nuk ishte e rastit. Jetoni ishte i lindur në një trevë që ka një histori të ndritshme të rezistencës së paepur shekullore për mbijetesë dhe të luftërave për liri dhe ishte rritur me rrëfimet për trimërinë e burrave dhe burrëreshave të kësaj ane e, veçmas, për trimërinë e Bajram Musës Dedushaj, i cili kishte marrë pjesë në betejën e Nokshiqit 1879/80, njërës ndër betejat më të ndritshme për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, me rrëfimet për krimet e ushtrisë e xhandarmërisë serbe e malazeze, për ekzekutimin, në mes të fshatit Vuthaj, të Çung Tahirit e Isuf Zymerit Dedushaj, në qershor të vitit 1951, të cilët më parë kishin pranuar të vdisnin si burrat se sa t’i tradhtonin miqtë e shtëpisë, me rrëfimet e trimit rugovas, Haxhi Cukës, për torturimin e të burgosurve shqiptarë në burgjet serbe, që i kishte përjetuar edhe vetë Haxhiu. Të gjitha këto rrëfime do të bëhen shkollë e jetës për Jetonin. Ndaj që si i ri, kur ndodhte t’ia shihte revolen ndokujt që s’e njihte, dyshonte mos është spiun dhe thoshte se do ta vriste kur të rritej, tregon babai Idrizi.
I rritur në një frymë të tillë, dhuna që kishte përjetuar edhe vetë drejtpërsëdrejti, do t’i jep fund pritjes së mëtejme të tij për t’ju bashkuar luftëtarëve të lirisë.
Një ditë, derisa kthehej nga shkolla së bashku me një shok të vetin, të dy nxënës të gjimnazit “Bedri Pejani” të Pejës, i ndalë patrulla e policisë. Pasi kishin parë se me veti kanë libra dhe fletore, i kishin kontrolluar duke i provokuar dhe pyetur se ku i vijojnë mësimet, si i kanë emrat mësimdhënësit e tyre…Përgjigjja e tyre se nuk po kuptonin çka po i pyesnin, ngase nuk dinin serbisht, i kishte revoltuar keq policët, të cilët kishin filluar t’i godisnin me shpulla, grushte. Duke parë se edhe më tej nuk flisnin dhe s’jepeshin, ua kishin shqyer librat dhe copat e fletëve ua kishin futur në gojë duke i urdhëruar t’i gëlltisnin. Goditjet me shpulla e grushte, Jetoni dhe shoku i tij e kishin përballuar disi, por futjen e fletëve të librit në gojë e kishin përjetuar si fyerje dhe poshtërim të rëndë edhe të shkollës, edhe të mësimdhënësve… E si mund të gëlltiteshin librat? – do e përsërisë shpesh Jetoni. Me siguri se ky rast ia kishte përkujtuar emrat e martirëve të shkollës e librit shqip, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Shtjefen Gjeçovin…
Që nga ajo ditë, Jetoni kishte ndryshuar. Çdo herë kur i vinin shokët në shtëpi, flasin për sjelljen e policisë serbe, për dhunën që ushtronte ndaj popullsisë, flisnin se gjendja e tillë nuk mund të durohej, se i gjithë populli do të duhej t’i bashkohej UÇK-së, se edhe ata po e prisnin rastin të shkojnë në luftë, t’u bashkoheshin djemve dhe vashave shqiptare që, si pararojë e zgjuar e Atdheut, me kohë ishin përgatitur dhe kishin formuar UÇK-në, me të vetmin qëllim – sendërtimin e idealit të shumë brezave të atdhetarëve, çlirimin dhe bashkimin e atdheut.
Dhe, pa kaluar shumë kohë nga Epopeja e Prekazit, më 5, 6 e 7 mars 1998, epopeja e cila lartësoi historinë tonë të rezistencës e luftës për liri, mijëra djemve e vashave që do t’i bashkohen radhëve të UÇK-së, do t’i bashkohet edhe Jetoni.
Më 5 maj 1998 e kishte veshur uniformën e UÇK-së, i kishte ngjeshur armët e lirisë, duke e ndier vetën për herë të parë të lumtur e të lirë.
Stërvitjet ushtarake i kishte bërë në Gllogjanin historik, në vatrën qëndrestare të historisë sonë më të re, ndërsa si luftëtar i denjë i UÇK-së do të kalitet në zjarrin e luftës në Logjë, Gllogjan, Maznik, Pozhar, Lumbardh, Shqiponjë fushën e betejës një. Nga beteja në betejë, ai do të dallohet si ushtar trim i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, të cilën e udhëhiqte komandanti Ramush Haradinaj. Shpirt luftaraku që ishte, Jetoni nuk mund të përmbahej pa u pozicionuar në vijat e para të frontit prej nga do ta merrte në shenjë më qartë armikun. Kështu ishte pozicionuar dhe kishte luftuar edhe më 5 qershor 1999, në fshatin Shqiponjë, ish-Dashinoc të Deçanit, por një predhë kobzezë e hedhur nga pozicionet e armikut, do t’ia lë ëndrrën përgjysmë. Vetëm pak ditë para se të mbaronte lufta, kishte rënë heroikisht në fushëbetejë Të njëjtën ditë, bashkëluftëtarët e tij do ta varrosin me nderime të rastit, në fshatin Maznik. “Edhe përpara fliste me shokë për luftën. E lëvdonte shumë komandantin, Ramushin, dhe thoshte se nuk ka asi trimi, se do të bëhet ushtar i tij”, vazhdon të tregojë babai, Idrizi. “Përpiqesha t’ia ndërroja mendjen duke i thënë se ishte i ri, se s’kishte përvojë, por kur e pashë nuk e kishte ndërmend të më dëgjojë, i thash se nëse nga çdo familje shkon nga një anëtar, na do të shkojmë dy”.
E, Jetoni, i ishte përgjigjur prerazi se babai duhej të mbetej të kujdesej për familjen, se vëllai ishte i vogël e motra ende e re, dhe nuk duhej ta linte familjen të binte në dorë të serbëve se ja çfarë po bëjnë…
Babait, Idrizit, nuk i kishte mbetur tjetër përveç se të pajtohej duke i thënë: “Si ta ketë shkrue Zoti!”.
Një ditë, duke buzëqeshur, i kishte thënë nënës t’ia përgatiste rrobat se “Djali po të shkon në luftë”. Zemra e nënës nuk kishte duruar, kishte shpërthyer në lot. Kur i kishte thënë se së shpejti do të bëhet mirë, se do ta martonin me vajzën, e cila e donte aq shumë, Jetoni i ishte përgjigjur se do të martohej vetëm pasi të çlirohet Kosova. Ashtu duke treguar si për diç që kishte ndodhur pak çaste më parë, sytë i mbushen lot, por kur Kastrioti, tani djali i vetëm i saj, ia përkujton amanetin e Jetonit, duke i përbirë lotët, vazhdon të tregojë: “Gjatë gjithë kohën nuk isha e qetë. Ishte fort i mirë e thojsha: A thua ma pshton Zoti, se njerëzit e mirë vriten në luftë. Tutesha se diçka me thojke përmrena se Jetoni …, por meniherë merresha me ndoni punë dhe i çojsha metë gjeti”.
Të nesërmen kur ishte nisur Jetoni, ishte nisur edhe ajo pas tij. Pas disa hapash, Jetoni e kishte ndalur duke i thënë të kthehej menjëherë, përndryshe do t’i jepte fund jetës aty për aty. Ja ku po më presin shokët, e mos më korit i kishte thënë prerazi. “Kur ma ka kthye shpinën, s’di sa kohë kam met si e pa krye, tue kqyrë mos po e shoh edhe ni herë, por s’e pash ma kurrë. As në rivarrim s’kam guxue me shkue…’’
Para se të shkonte në luftë, ndërhyn Kastrioti, Jetoni me shokë kishin menduar ta nisnin luftën aty, në lagjen e tyre, t’ua zinin pritën policëve serbë që patrullonin, por u kishte ardhur urdhri të mos vepronin ashtu për shkak se lagjja kishte shumë banorë e policia do të hakmerrej keq. Kastrioti tregon se në luftën e UÇK-së kanë marrë pjesë edhe dy vëllezër të nuses së tij, Mahiri, tani dëshmor, dhe Visari, luftëtari më i ri në luftën e Logjës.
Lajmin e hidhur për rënien e Jetonit e kishin marrë në Shkodër, tregon babai Idrizi, duke shtuar se kurrë në jetë nuk e kishte ndier vetën më ngushtë, por gruaja i kishte dhënë zemër, e kishte forcuar. “Duhej të qëndrojshim e të e të mos koriteshim se aty kishte shumë të përzanë nga Kosova, disa prej të cilëve i kishin humbë të afërmit e shumë prej tyne nuk dishin gjë për fatin e familjarëve. Përveç kësaj ishim të vendosun në ni dhomë të përshtatun të Kombinatit të duhanit bashkë edhe me një familje tjetër. Ato ditë jem kenë as në tokë, as në qell. Prej mërzie s’dishim çka me ba, po njeri s’ po diqte prej mërzie”.
Fjalët e mia duket se ua zbusnin sadopak dhembjen, ndonëse isha i sigurt se plagët e dhembjes i shëron vetëm dheu.
Tani trupi i Jetonit pushon në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.
Aty është rivarrosur me pëlqimin e prindërve dhe të familjes, më 24.8.1999. “Vendosem të rivarroset aty ku i ka shokët”, tregon babai, Idrizi. “E kam nie vetën disi të letuem kur kam pa se nuk iu kishte prishur fare trupi. Thojshe se dje ka hi n’ dhe”, shton ai.
Duke dëgjuar rrëfimet për jetën dhe veprën e heroit të vetëm nga Vuthajt, sytë më shkojnë te dekoratat, medaljet dhe mirënjohjet e shumta që stolisin dhomën ku gjendeshim, si : Urdhëri Luftëtar i Lirisë ‘’Adem Jashari’’- për trimëri në luftë, Dekorata “ Shkëlzen Haradinaj”…
Tani portreti i heroit Jeton Dedushajt e zbukuron edhe Shtëpinë e kulturës në Vuthaj, ku është krahas portreteve të personaliteteve historike, të pushkës dhe të pendës, të Ali pashë Gucisë, Jakup Ferit, Josip Relës, Esat Mekulit, Rexhep Qosja e shumë emërndriturve tjerë të Plavës e Gucisë, vënë me rastin e shënjimit të njëzetvjetorit të pavdekësisë. (Binak Ulaj)