Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, ai i Skënderajt Bekim Jashari dhe i Vushtrrisë Xhafer Tahiri i kanë dërguar një letër kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ku shprehin pakënaqësi ndaj emërimit të anëtarëve të bordit të Ujësjellësit “Mitrovica”. Tre kryetarët kanë shprehur mospajtimin me këtë emërim duke thënë se politizohet edhe Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Mitrovica”. Me anë të letrës, tre kryetarët kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimin për emërimin e anëtarëve të bordit të Ujësjellësit Mitrovica” dhe krijimi i mundësisë që bordi të jetë profesional e jo politik. Në të kundërtën tre kryetarët kanë deklaruar se do të detyrohen që të ndërprenë çdo bashkëpunim më Ujësjellësin “Mitrovica” që sipas tyre udhëhiqet nga një bord i politizuar.