Filloi ndërtimi i segmentit të dytë të transitit në Malishevë

Të premtën me 21 qershor edhe zyrtarisht ka filluar ndërtimi i segmentit të dytë të rrugës transite, apo rrugës unazore në Malishevë. Në fillimin e punimeve në këtë rrugë ishin të pranishëm, i pari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ministri i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Pal Lekaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, zëvendësministrja e Ministrisë për Tregti dhe Industri, Arberësha Krasniqi, dhe zëvendësministrat e MIT, Idriz Selimaj e Rexhep Kadriu.

“Jemi të kënaqur me këtë investim që Ministri e Infrastrukturës është duke e realizuar në Malishevë, pasi ndërtimi i transitit ka rëndësi të madhe për Malishevën dhe qarkullimin e automjeteve. Po ashtu kjo rrugë ndikon edhe në zhvillimin ekonomik, pasi qarkullimi do të jetë më i lehtë, prandaj e falënderoj ministrinë për këtë investim domethënës për Malishevën”, tha kryetari Begaj, me rastin e fillimit të punimeve në këtë rrugë.

“Këto investime tregojnë angazhimin tonë si ministri, për rregullimin e infrastrukturës në tërë vendin. Malisheva ka përfituar këto investime, ashtu sikur edhe të gjitha komunat në Kosovë dhe ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë me këto investime, që kanë rëndësi dhe ndihmojnë qarkullimin më të lehtë për të gjithë”, tha ministria Lekaj, pas ceremonisë së fillimit të punimeve. Ministri Lekaj, ka përgëzuar kryetarin Begaj, për qeverisjen e mirë që është duke bërë, dhe angazhimin e tij për sjelljen e investimeve në Malishevë.

Rruga transite për qytetin e Malishevës, ka një gjatësi prej 14 kilometra dhe do të kushtoj rreth 4.5 milion euro, ndërsa segmenti i dytë që ka filluar sot, ka një gjatësi prej 4.1 kilometra dhe pritet të kushtoj 959 mijë euro. Po ashtu, sot në fshatin Balincë, është përuruar ura e ndërtuar në rrugën Prishtinë – Pejë, që kalon nëpër Komunën e Malishevës. Kjo mundëson qasjen dhe qarkullimin pa probleme të qytetarëve, të fshatit Balincë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …