isuf ismaili

Isuf Ismaili: Martin Çuni shkrimtar e veprimtar i shquar, por edhe i lidhur me botën e fëmijëve e të rinjve

(Kumtesë e lexuar në Zyrih të Zvicrës, më 22 qershor 2919 me rastin e përurimit të disa veprave letrare të shkrimtarëve Martin Çuni e Avni Azizi).

Përurimi i veprave letrare është një nga veprimtaritë  e veçanta kulturore, që sjellin një shije e harmoni të madhe në jetën njerëzore. Vepra letrare në njërën anë dhe veprimtaria, kritika e shëndoshë, evidentimi i përbërësve të krijimtarisë së një autori, të disa autorëve apo të veprave të veçanta të tyre sjellin dobi e interes jo vetëm për të krijuesit e ri, për dashamirët e veprave artistike, por edhe për vetë autorët, veprat e të cilëve merren në shqyrtim, në analiza, në përurime dhe këndvështrime kritike.

Padyshim krijimtaria letrare qëndron në majat e pasurisë artistike, që rrok përbërësit më të shumtë të jetës së gjallë njerëzore, botës së veçantë të shkrimtarëve, të cilët me krijimtarinë e tyre futen thellë në  ndërgjegjen njerëzore, sidomos të të gjithë atyre që provojnë për të përvetësuar, lexuar e shijuar veprat letrare, ndaj kështu i shërbehet pikërisht pasurisë shpirtërore duke dhënë mundësi, por edhe harmoni përgjithësisht jetës kulturore.

Veprimtaria letrare e krijuesve shqiptarë është e pasur në të gjitha trojet shqiptare, por edhe se cilët krijues në trojet shqiptare kanë të përbërësit e përbashkët, gjuhën e gjallërinë e të shprehurit në shqipen e bukur letrare, si dhe trajtimet në botën e përbashkësisë shqiptare, por natyrisht edhe veçantitë e trajtim ngjarjeve të  dhe temave e zhvillimeve ku ndodhin ato ngjarje.

Një veprimtari e veçantë, qoftë si veprimtari artistike, qoftë si kuptim dokumentar i ngjarjeve sa të dhembshme aq edhe të rëndësishme, që ngërthen në vete edhe karakterin e qëndrueshmërisë krenare të bijve e bijave më të mirë të kombit shqiptar në burgjet jugosllave, të ngjarjeve heroike e luftarake shqiptare, por edhe të porosisë përçuese te masat e gjëra shqiptare është edhe vepra e shkrimtarit, veprimtarit, atdhedashësit, luftëtarit të lirisë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, gazetarit të Radios Kosova e Lirë Martin Çuni.

Martin Çuni duke qenë një veprimtar i shquar, duke qenë ish i burgosur për veprimtari atdhetare, pa hezituar fare u radhit në shërbim të luftës heroike të UÇK-ës, ai veproi në dy mediat e luftës çlirimtare në “Radion Kosova e Lirë” e në agjencinë “Kosovapress”. Ai veproi pa u ndalur, përshkoi me këmbë fshatra e  vendet të shumta të Kosovës shqiptare duke dhënë informacione e duke përshkruar ngjarje nga frontet e luftës, duke bërë intervista me luftëtarë e komandantë të UÇK-ës, me familjet e dëshmorëve me njerëzit e përkushtuar e familjet e shëndosha shqiptare, që ishin vënë në shërbim të luftës çlirimtare. Ai veproi me shkrimtarin, veprimtarin, atdhedashësin shquar e drejtorin e Radios Kosova e Lirë, profesorin e nderuar Ahmet Qeriqi, me veprimtarët e shquar Nezir Murtaj, Nysret Pllana etj.

Martin Çuni ka shkruar, ka vepruar, ka luftuar, ka folur e ka krijuar ashtu bukur, veçantë, me dashurinë e përkushtimin e pashoq të një veprimtari e atdhedashësi shqiptar të një atdhedashësi e luftëtari stoik. Vepra e tij sa letrare, poetike, prozaike, informative, përshkruese, dokumentare është e pasur dhe veçantë në letërsinë e krijimtarinë e sotme kulturore shqiptare, ajo qëndron në majat e kurorës së krijimtarisë së mirëfilltë.

Përmbledhja “Lulet e jetës” të shkrimtarit Martin Çuni është një vepër që brenda saj ngërthen ngjarje e komunikime sa emocionale, të dhembshme me botën fëmijërore, aq edhe të rëndësishme në planin e përshkrimeve atdhetare e qëndresës krenare në burgjet jugosllave, duke i treguar pushtuesit jugosllav se lidhshmëria e karakterit shqiptar është një përçues jo vetëm admirues por edhe i pathyeshëm i botës së të rriturve dhe vazhdimësisë së tyre me fëmijët, me fëmijët shqiptarë të cilët ishin e do jenë ata që do të trashëgojnë jetësimin e idealeve të lirisë e bashkimit të Shqipërisë dhe tërësisë së saj të natyrshme.

Siç ka vënë në dukje profesor Ahmet Qeriqi kjo vepër e Martin Çunit është e veçantë, sepse, tregimet e poezitë “janë shkruar në qelitë e burgjeve gjithnjë në rrethana specifike dhe si të tilla mbajnë vulën e kohës, ato kanë edhe vlera të mirëfillta letrare e artistike, pedagogjike e arsimore, sepse janë shkruar me një përmbajtje qëllim të tillë”.

Në këtë vepër siç u vu dukje, më sipër emocionet e dhembja janë disa nga përbërësit e tregimeve dhe poezive, letrave që Martin Çuni jua dërgon fëmijëve të tij Agronit e Teutës. Në letrën e datës pesë shtator 1983 Martin Çuni, duke përshëndetur fëmijët e tij shpreh dashurinë e urimin e veçantë për ditëlindjet e Agronit e Teutës. Vetëkuptohet dhembja, emocioni, babai në burgje jugosllave i shpreh urimet për fëmijët e tij, për ditëlindjet e tyre. Këtu ja vlen të ndalemi dhe të analizojmë se sa të rëndësishme janë shkrimet e tilla për brezat e rinj, që ata të mësojnë se për lirinë për idealet e shëndosha njerëzore, kombëtare shumë prindër atdhetarë e veprimtarë të shquar janë burgosur nga jugosllavët dhe janë ndarë me dhembje të madhe nga fëmijët e tyre me vite të tëra. Këto janë sakrifica të mëdha e të dhembshme, por krenare për të fituar lirinë e për të jetësuar idealet e fuqishme shqiptare. Martin Çuni  duke shkruar kështu kalon nga përshkrimet, porositë e vlerat të tjera pedagogjike, letrare tek porosia e madhe që ka vepra letrare e kulturore në jetësinë e idealeve të shëndosha kombëtare e njerëzore njëkohësisht.

Në letrën e 10 qershorit të vitit 1985, që Martin Çuni jua dërgon fëmijëve të tij, përralla që e përshkruan është jo vetëm e rëndësishme për botën fëmijërore, por edhe një porosi e një e ndërlidhje për moshat madhore, sidomos kur e përshkruan qyqen e cila i lëshon vezët në çerdhet e shpendëve të tjerë.

Poezia e tij edhe në këtë përmbledhje është metaforike e rimuar, se edhe fëmijët e duan harmoninë metaforike,  rimën e muzikalitetin, përveç fantazisë, personifikimit e vlerave të tjera që bota fëmijërore i pëlqen.

I uroj shkrimtarit e veprimtarit të shquar Martin Çuni, të mos i pushojë dora e pena, por të shkruajë e të botojë edhe vepra të tjera të shquara, siç ka shkruar e botuar deri më tani!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …