Deputeti i Lëvizjes vetëvendosje, që njëherësh është edhe kryetar i Komisionit për Arsim Ismail Kurteshi, tha se arsimi në Kosovë është në gjendje të rëndë për shkak të mungesës së mjeteve financiare, mungesës së organizimit të mirë dhe për shkak të ndërhyrjeve politike. Ai në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet gjendja në arsim dhe vendimet e MAShT-it, Kurteshi duke iu referuar disa studimeve të publikuara tha se numri i atyre që janë analfabet funksional po rritet. Ai tha se dy muaj para fillimit të vitit të ri shkollor ende nuk dihet se me cilat tekste do të fillojë viti i ri shkollor, me të vjetrat që nuk janë në harmoni me kurrikulën e re apo me të rejat për të cilat ka shumë vërejtje. Kurteshi ka folur edhe për idenë e riorganizimit të shkollave, ku tha se ka shkolla që punojnë me tri ndërrime me 40 nxënës në klasë dhe ka shkolla që punojnë me një ndërrim dhe kanë numër të vogël të nxënësve. Ai tha se ministria e Arsimit në këtë situatë duhet t’i prijë procesit të riorganizimit të shkollave duke pasur parasysh në rend të parë interesin e nxënësve. Sa i përket fëmijëve me nevoja të veçanta ai tha se nuk dihet se sa është numri i tyre që janë të përfshirë në shkolla, duke theksuar se shkollat nuk kanë infrastrukturë të duhur për këta nxënës./KP/
Kontrolloni gjithashtu
Pabarazia, injorimi i shqipes, mos përdorimi i simboleve kombëtare, kanë nxitur luftë të armatosur në Maqedoni, në vitin 2001
Pabarazia, injorimi i gjuhës shqipe, mos përdorimi i simboleve kombëtare, mungesa e përfaqësimi në Parlament dhe në …