Oda e Afarizmit të Kosovës është shumë e shqetësuar me rastin e dokumentit të zbuluar i cili po qarkullon në komunat veriore nga dita e martë, ku bëhet apel tek qytetarët që përkundër mungesave pothuajse të të gjithë artikujve, për asnjë çmim të mos blejnë mallra nga shqiptarët.
Andaj OAK i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve kompetente të ndërmarrin masa ndaj këtyre veprimeve të cilat po dëmtojnë vendin dhe qytetarët e saj.
OAK kërkon shtrirjen e sovranitetit të plotë në territorin e Kosovës dhe personat që e pengojnë këtë të përballen me drejtësinë.
OAK ka kërkuar disa herë dhe kërkon edhe tani që të ndalohet qarkullimi i dinarit, i cili është duke e dëmtuar biznesin vendor dhe është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës (Neni 11 [Valuta] 1. Në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme.).
Shqetësuese për këtë është edhe mosndërhyrja e Bankës Qendrore e cila lejon bankat në Republikën e Kosovës që edhe pagesat e ndryshme dhe marrja e pensioneve të bëhet në dinar. Respektimi i ligjeve është kushti kryesor për një shoqëri demokratike dhe tregti të lirë.