Me vendim të Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, sot Agjencia e Metrologjisë bashkë me Inspektoratin kanë bërë verifikimin e peshojave të mëdha. Verifikimi është duke u bërë para fillimit të sezonit të korrje shirjeve, me qëllim që të mos mashtrohet konsumatori.
Kryeshefi i Agjencisë së Metrologjisë Ferki Fejza ka thënë se qëllimi kryesorë i kësaj vizite është verifikimi i peshoreve në mbrojtje të konsumatorit. Fejza tutje shtoi se inspektimet e tilla do të bëhen edhe në qytete të tjera të Kosovës.
“Qëllimi i vizitës është verifikimi i jashtëzakonshëm për të gjitha pikat grumbulluese dhe fabrikat e miellit në këtë prag të fillimit të korrje shirjes, verifikimi i peshoreve në pika grumbulluese në funksion të mbrojtjes së konsumatorit duke pasur parasysh se kjo është njëra ndër parimet themelore edhe të Ministrisë së Tregtisë dhe të ministrit Endrit Shala. Ky aktivitet është në përmbushje të obligimeve ligjore që dalin nga ligji për metrologjinë”, Kryeshefi Fejza.
Ndërsa kryeinspektori i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla ka bërë thirrje tek grumbulluesit që të bëjnë verifikimin e peshoreve përndryshe mund të gjobiten.
“Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë i bënë thirrje të gjithë grumbulluesve që të bëjnë verifikimin e peshoreve në të kundërtën nëse nuk i bëjnë verifikimin, inspektorati i cili është në terren do të merr masa sipas ligjeve në fuqi”, tha ndër të tjera Kryeinspektori, Lulzim Syla.
Verifikimi i peshoreve do të vazhdojë në mënyrë permanente në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.