Zeqir Bekolli

Zeqir Bekolli: RRËFIME TRISHTUESE PËR NJË DRAMË DHE TRAGJEDI NJERËZORE

(Enver Dugolli, “Qark i (pa) mbyllur burgjesh”, botim i Shoqatës së ish- të Burgosurve Politikë, Prishtinë 2019)

 

Jeta është plot kthesa, peripeci, dama e tragjedi. Jeta është roman, film me ngjarje që ndonjëherë nuk mund t’i përthekojë edhe mendja e njeriut. Se është e tillë, këtë e dëshmon fare mirë vepra e Enver Dugollit, “Qark i (pa) mbyllur burgjesh”, botim i Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë të Kosovës. Rrëfimi i autorit, i nisur me anëtarësimin e tij në organizatën Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e  Kosovës, sikur përbën një dritare më vete, të një rrëfimi që kalon nëpër disa faza të një rruge përplot zigzage e sakrifica të njeriut dhe bashkëvuajtësve të tij, që përjetuan rreziqe, nëpër burgjet serbe dhe arritën t’i mbijetojë ato. Mbështetur në një ideal rinor, që për synim kishte lirinë e Kosovës, Dugolli rrëfimin  e nis me një sinqeritet, të bazuar në realitetin nëpër të cilin po kalonte një popull i tërë. I etur dhe i gatshëm për liri dhe i bindur, se në rrugën e tij të gjatë e të mundimshme do të përballej me lloj-lloj sakrificash, ai, nuk qante kokën për rreziqet , sepse ishte thellë i bindur në idealin e tij për një Kosovë të lirë, jashtë çizmes serbe. Ajo që të bie në sy, me këtë rast është fakti se kësaj rruge Enveri i hyri pa u trembur, me bindjen e plotë se liria e Kosovës nuk vinte në pjatë, por për të duhej sakrifikuar, ashtu siç sakrifikuan gjenerata e gjenerata. Edhe, ai, sikur edhe të rinjtë tjerë, e donte jetën, familjen, fëmijët, por dashuria për atdheun dhe ideali për liri, sikur i tejkalonte këto dashuri. Autorin nuk do të arrijnë ta thyejnë as çelitë , as burgjet, as torturat e as situatat tragjike, kur jetën dhe vdekjen i ndante vetëm një fije floku. Kjo, është karakteristikë e idealistëve, e njerëzve të pathyeshëm dhe revolucionarë. Kjo përshtypje gjatë leximit të librit krijohet edhe për karakterin e vet autorit, por edhe të figurave të mëdha, personazhe në këtë libër, siç ishte edhe profesor Ukshin Hoti, që kaluan nëpër kazamatët serbe, që u ngjanin atyre të Hitlerit.

Njohja me komandantin legjendar Adem Jashari

Torturat në burgjet e Lypjanit, të Prishtinës, të Dubravës janë edhe një dëshmi më shumë për vuajtjet që përjetuan të burgosurit tanë, disa prej të cilëve nuk dolën të gjallë prej atje, madje ka prej tyre, që nuk iu dihet as varri, siç është rasti i dr. Hafir Shalës, nga komuna e Drenasit. Enveri ishte njëri ndër organizatorët e demonstratave të vitit 1981, në komunën e Drenasit, i arrestuar dhe i burgosur për këtë veprimtari. Lë përshtypjen se nga modestia, ai kalon shkaras, nëpër këtë ngjarje, kurse rrëfimit të tij i jep dimensione interesante nga takimi i parë me Adem Jasharin dhe Grupin e tij të rezistencës, në dasmën e vëllai të Jakup Nurës, në fshatin Prelloc të Drenicës, më 1992. I rrëmbyer nga atmosfera e krijuar me atë rast, atij do t’i shërbejë edhe si frymëzim për të quar më përpara misionin e nisur qyshkur ishte fare i ri. Në atë dasmë, ai pa gatishmërinë e vëllezërve Adem e Hamëz Jashari, por edhe të Grupit të rezistencës, për luftën e armatosur e cila përkonte edhe me synimet e vet autorit. Ndoshta, këto motive të asaj nate të pa harruar do ta motivojnë edhe më shumë Enverin për të mos i dhënë lak rrugës së nisur.

Asnjë torturë dhe asnjë izolim, sipas përshkrimit të autorit, nuk do ta thyejnë, jo vetëm Enverin, por edhe të burgosurit tjerë të cilët të pa nënshtruar iu bënë ballë të gjitha torturave dhe tragjedive, që ndodhen para syve të tyre. E rëndësishmja e këtij libri është edhe fakti se Enveri, sikur edhe shumë të burgosur tjerë janë dëshmitarë se intelektuali Ukshin Hoti, ishte në mesin e tyre edhe në Dubravë, dhe dy ditë para se t’i skadonte afati i përfundimit të burgut, është nxjerrë nga Dubrava, i gjallë. Me këtë, autori dëshiron të thotë se përgjegjësia për fatin e tij bie mbi ushtrinë dhe policinë serbe. Pos situatave dramatike të përshkruara nëpër burgjet anë e kënd Serbisë, Dugolli një pjesë të madhe do t’ia kushtojë transferimit dhe qëndrimit në Burgun e Dubravës, në muajin prill 1999, kur tashmë kishin nisur bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe.

Grumbullimi i të burgosurve shqiptarë dhe i pengjeve të luftës në burgun e Dubravës, në këtë libër, del qartë se ishte skenar i ushtrisë, policisë serbe dhe kriminelit Milosheviq , për t’i krijuar rrethanat për hakmarrje dhe vrasje me përmasa të burgosurve politikë shqiptarë. Fillimisht ushtria dhe policia serbe burgun e Dubravës e kishin përdorur si kazermë për nevojat e tyre ushtarake dhe ky rast u bë shkas i bombardimeve të NATO-s. Për të ardhur te qëllimet e veta kriminale, Serbia kishte goditur edhe median shqiptare, duke krijuar terrin informative në terren, dhe si pasojë e kësaj njohuritë për veprimet e makinerisë ushtarako-policore serbe në terren vështirë se deshifroheshin. Në këtë plan, kjo makineri vrastare, në mënyrë  tinzare kishte planifikuar likuidimin e të burgosurve dhe pengjeve shqiptare, duke pritur shkasin e volitshëm, bombardimet e NATO-s mbi objektet e burgut. Fill pas këtij rasti, ushtria e policia serbe nisën hakmarrjen e planifikuar duke vra e plagosur të burgosurit politikë. Përshkrimet e këtyre skenave janë tragjedi më vete, vetëm ai që i ka përjetuar mund t’i besojë.

Solidaritet në mesin e të burgosurve

Kjo periudhë përbën edhe dramën kryesore, për jetë a vdekje të njerëzve duarthatë, përballë një makinerie vrastare, por edhe të përpjekjeve te të burgosurve për të ndihmuar të plagosurit, por edhe për ta shpëtuar vetën. Në mesin e personazheve që luftonin për jetë a vdekje, autori përmend edhe shumë emra nga radhët e të burgosurve të cilët edhe në ato rrethana përpiqeshin të shpëtonin jetë njerëzish, falë guximit dhe sakrificës së tyre. Torturat dhe sakrificat do të vazhdojnë edhe pas tragjedisë së Dubravës, në burgjet serbe, ku ndodhi rebelimi. Një kaptinë autori ia kushton edhe njërit prej liderëve të Lëvizjes Studentore, Albin Kurtit, njohjes me të në burg, por edhe qëndresës së tij përballë torturave serbe.

Konsideroj se me këtë libër, autori ka arritur me sukses ta nxjerrë në sipërfaqe fashizmin serb të manifestuar në raport me shqiptarët. Mu për këtë ky libër ia vlen të lexohet, sepse aty mund të shihet një realitet i përshkruar nga njeriu, që mbi supet e veta përjetoi gjithë atë dramë dhe tragjedi të cilën mund ta shkaktojnë vetëm shovinistet serbë. Mbi të gjitha, për këtë dhe ngjarjet, që shkruhen dhe përmenden në libër, duhet të shkruhen libra të tërë në mënyrë që gjeneratat të njihen me të vërtetën nëpër të cilën kaloi populli ynë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …