RKL: U nda nga jeta dinjitari i lirisë, atdhetari e veprimtari, Gani Sylaj

Radio-Kosova e lirë i shpreh ngushëllime familjes Syla me rastin e ndarjes nga jeta të atdhetarit, Gani Sylaj

Me rastin e ndarjes nga jeta të atdhetarit, veprimtarit, krijuesit dhe intelektualit, Gani Syla, drejtori dhe stafi i Radios-Kosova e Lirë, familjes Sylaj në Kizharekë e në Prishtinë i shpreh ngushëllime për humbjen e birit të saj, i cili tërë jetën ia kushtoi çlirimit të vendit nga robëria. Me punën dhe aktivitetin e tij të pandërprerë në dobi të kombit me Atdheut, Gani Sylaj do të mbetet shembull frymëzimi për brezat ndërsa jeta dhe aktiviteti i tij i gjithanshëm do të radhitet në mesin e personaliteteve meritore të kombit!

Lavdi jetës dhe veprës së atdhetarit e dinjitarit të lirisë, Gani Syla! thuhet në telegramin e ngushëllimit të Radios-Kosova e Lirë, me rastin e ndarjes nga jeta të atdhetarit, Gani Syla.

Gani Sylaj (1952 – 2019)

Gani Sylaj u lind  më 14 janar të vitit 1952, në fshatin Kizharekë, Komuna e  Drenasit. Shkollën fillore e ka nisur në vendlindje  ndërsa e ka përfunduar në Komoran. Në Prishtinë ka mbaruar Shkollën e Mesme  Normale në vitin shkollor 1971/72. Në vitin 1973 regjistron degën e Filozofi-Sociologjisë në Fakultetin Filozofik, të cilin e ndërprenë në vitin 1974, kur i përkushtohet tërësisht organizimit ilegal në Grupin Revolucionar të Kosovës, më vonë Grupi Marksist-leninist i Kosovës…Në vitin 1979 burgoset dy muaj për kundërvajtje, në Gjykatën komunale në Drenas, ish Gllogoc. Pa mbaruar këtë dënim, në Burgun e Prishtinës, dërgohet në Burgun e Shkupit, ku në vitin 1980 dënohet me 4 vjet burgim. Fillon vuajtjen e dënimit në Burgun e Idrizovës, në Maqedoni deri në shkurt të vitit 1982, kur Sigurimi jugosllav e transferon në Burgun e Prishtinës, për ta dënuar me 12 vjet burg, të cilat i mbajti në burgun e Mitrovicës dhe  në Burgun Hetues të Somborit, në Vojvodinë. Nga burgu është liruar në vitin 1990

Pas burgut, nga viti 1990 – 1994 ushtron disa funksione dhe merret me një sërë aktivitetesh: me iniciativën e kolektivit të shkollës fillore të fshatit të lindjes, zgjidhet drejtor i Shkollës  Fillore. Kur u themelua Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, u zgjodh kryetar për Komunën e Drenasit, ndërsa në kuadër të kryesisë së kësaj shoqatë ishte i ngarkuar edhe me detyra të tjera; në Lidhjen demokratike të Kosovës, anëtar i kryesisë së degës së Drenasit dhe delegat në kuvendin e saj; në Lëvizjen për Republikën e Kosovës, kryetar; Në Këshillin për Financim, anëtar i kryesisë së degës në Drenas dhe anëtar i komisionit të kontrollit në nivel të Këshillit. Një ndër redaktoret e Gazetës “Bashkimi” etj.

 Pas shpërthimit të parë të Jasharëve, së bashku me shokët e burgut etj, merr pjesë në tërheqjen dhe strehimin e qetës së Adem Jasharit (1991).

1994 -2000 pasi i shpëton një ekspedite të policisë serbe, emigron në Zvicër. Fillimisht kryetar i nëndegës së Cyrihut e më vonë kryetar i degës së LDK-së në Zvicrës. Bashkëpunëtor i Ministrisë  së Arsimit në mërgim; Anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Arsimtarëve dhe Pedagogëve Shqiptarë në Zvicër; kryetar i Emergjencës për Zvicër; Kryetar i  degës së Lidhjes së Bashkuar Demokratike në Zvicër etj.

Prill-qershor të vitit 1999, Zëdhënës i UÇK-së dhe Zëvendëskomandant për Zonën e Veriut; anëtarë i Fondit Vendlindja Thërret; 1999-2000, në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, Zëvendësministër i Ministrisë për Emigracion; 2000-2001 drejtor i Agjencisë së Lajmeve “Kosovapress”; 2001-2002, ndjek kursin për organizimin e partive politike në kuadër të NDI-së, (Instituti Nacional Demokratik).

Në vitet 2002-2005.  Kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës për Drenas dhe anëtar i Këshillit Drejtues i PDK-së; Kryetar i Komunës së Drenasit; i certifikuar për pushtetin lokal në Universitetin Georgetown në Uashington, SHBA (2004);

2006-2011. Drejtues ekzekutiv në Shoqatën e ish-të Burgosurve Politikë; 2008-2011 anëtar i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, etj. (http://www.ganisylaj.com/Biografia.aspx)

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …