Menaxhmenti i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), i prirë nga drejtori Bahri Nuredini, ka pritur të martën në takim një delegacion të Ofruesit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Shqipërisë “ALBCONTROL”, në krye me drejtorin e Përgjithshëm Mina Kusta si dhe drejtorin e Divizionit për Siguri, Cilësi dhe Sigurim Sokol Ruçi, me ç’rast edhe nënshkruan memorandum mirëkuptimi për krijimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet ASHNA-së dhe ALBCONTROL-it.
Drejtori Bahri Nuredini ka njoftuar kreun e ALBCONTROL-it, me planet dhe projektet që janë duke u realizuar dhe që pritet të realizohen në të ardhmen në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.
“Përmes këtij memorandumi arrihet mirëkuptimi i të dyja autoriteteve që të ndihmojnë njëra-tjetrën në zbatimin e kërkesave ndërkombëtare të rëndësishme për fushën e Shërbimeve të Navigacionit Ajror”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër drejtori i Përgjithshëm i ALBCONTROL-it, Mina Kusta, ka shprehur gatishmërinë e tij që të ofrojë ndihmën e dhe ngritjen e nivelit të bashkëpunimit në mes të ASHNA-së dhe ALBCONTROL-it.
Qëllimi i këtij memorandumi është që palët të ndihmojnë njëra-tjetrën, në zbatimin e kërkesave ndërkombëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil – ONAC, Bashkimit Evropian – BE, EUROCONTROL dhe kërkesave tjera, ashtu si konsiderohen të rëndësishme për fushën e Shërbimeve të Navigacionit Ajror /Menaxhimit të Trafikut Ajror.
Në fund u realizua edhe një vizitë në ambientet e ASHNA-së, me ç’rast drejtori Bahri Nuredini ka falënderuar delegacionin e ALBCONTROL-it për bashkëpunimin dhe ndihmën e ofruar deri më tani.