U formua Mekanizmi Koordinues Kundër Dhunës në Familje në Malishevë

Në bashkëpunim në mes të Komunës së Malishevës, Ministrisë së Drejtësisë -Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës në Familje dhe OSBE-së, të mërkurën u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptim, për institucionalizimin e mekanizmit koordinues kundër dhunës në familje.

Në këtë ceremoni, krahas institucioneve përgjegjëse që janë pjesë e këtij mekanizmi, duke filluar nga komuna, policia, gjykata, prokuroria, qendra për punë sociale, drejtoritë përkatëse komunale dhe organizatat jo qeveritare, ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, zëvendës shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Kilian Wahl dhe zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Naim Qelaj, i cili është edhe koordinator nacional kundër dhunës në familje.

Fillimisht, në këtë ceremoni nga një fjalë rasti kanë mbajtur, Wahl, Begaj dhe Qelaj, të cilët edhe kanë folur për rolin dhe rëndësinë e krijimit të këtij mekanizmi koordinues.

Zëvendësshefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Kilian Wahl, i mori disa shembuj konkret të dhunës në familje, shembuj të cilët arsyetojnë rëndësinë e formimit të këtij mekanizmi dhe rolin që luan ky mekanizëm në luftimin e kësaj dukurie dhe parandalimin e rasteve të dhunës në familje. Ndërsa kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, tha se krijimi i këtij mekanizmi është një mundësi më shumë mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e rasteve, në mënyrë që të ketë më pak raste të dhunës, pavarësisht se Komunën e Malishevës, si dukuri është më pak e shprehur, por kjo ndikon në rritjen e sigurisë dhe eliminimin apo parandalimin e rasteve të dhunës dhe kjo është me rëndësi.

Kurse zëvendësministri Naim Qelaj, foli për rolin dhe rëndësinë që ka ky mekanizëm, si dhe për formimin e këtij mekanizmi edhe në komunat tjera në vend. Sa i përket dhunës në familje, sipas zv/ministrit Qelaj, “kjo në të kaluar nuk është raportuar, dhe ky ka qenë një prej indikatorëve të rritjes së dhunës, pasi as viktimat nuk kanë qenë të mbrojtura, por edhe autorët e dhunës nuk janë dënuar. Edhe sot këto raste mundohen të fshihen, por vetëdijesimi ka rëndësi të madhe, sikur edhe trajtimi i rasteve, dhe në këtë drejtim edhe pushteti lokal, krahas atij qendror, luan rol të rëndësishëm”.

Pas nënshkrimit nga përgjegjësit e institucioneve, Vera Bytyçi, zyrtare për barazi gjinore në Komunën e Malishevës, është zgjedhur koordinatore e këtij mekanizmi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi Komunal i Vitisë mbajti mbledhjen e 11-të të rregullt

Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Vitisë, e njëmbëdhjeta me radhë, janë shqyrtuar …