Ismet Azizi: Bashkëpunimi i partizanëve me çetnikët, për ta okupuara Sanxhakun

Ismet Azizi: Bashkëpunimi i partizanëve me çetnikët, për ta okupuar Sanxhakun

Pas mbrojtjes së suksesshme të Pazarit të ri në vjeshtën e 1941, Milicia Myslimane luajti rol të madh edhe në betejën për mbrojtjen e Senicës, kësaj radhe nga forcat partizane.

Me qëllim të zgjerimit të territorit të kontrolluar nga serbo komunistet, partizanët, më 22 dhjetor 1941, kryen një sulm kundër Senicës. Në atë kohë, nuk kishte njësi gjermane aty, prandaj qëllimi i sulmit ishte për të zënë pozitë më të mirë dhe për të depërtuar në Mal të Zi e Kosovë. Në këtë kohë aty ishte vetëm njësiti i Milicisë Myslimane (emërtim për grupet e pavarura lokale të armatosura, në fshatrat e banuara me shqiptarë dhe boshnjakë në Sanxhak, gjatë Luftës së Dytë Botërore). Sulmi partizan filloi në ora 6:00. Në këtë sulm morën pjesë Batalioni i Sanxhakut – Moravicës, Batalioni i Çaçakut dhe Batalioni i Beogradit.

Qyteti nga partizanët praktikisht u mor pa luftë, por për shkak të operacionit të përgatitur keq, bashkëpunimit të dobët të batalioneve partizane dhe parashikimeve të pasakta për disponimin te popullatës myslimane të fshatrave përreth, përpjekja për të pushtuar Senicën u shndërrua në një humbje serioze. Udhëheqësit vendës, Hasan Zvizdiq (më vonë do jetë pjesëmarrës i Lidhjes së Dytë të Prizrenit), Xhemo Koniçani, Hoxha Sulejman Paçarizi dhe të tjerë, u organizuan kundër forcave partizane nga rrethinat e Senicës dhe nga Peshteri nga rrethi i Tutinit e Pazarit të Ri. Njësitë partizane në Senicë kishin 52 të vdekur, 25 të plagosur dhe 18 të kapur, ndërsa në radhët e Milicisë Myslimane ka pasur 30 të vrarë dhe 60 të plagosur.

Për rezistencën e sanxhaklinjëve, një historian shkruan: “Se beteja për Senicën paraqet kulmin e një procesi të gjatë të rezistencës së shumicës dërmuese të myslimanëve (boshnjakëve dhe shqiptarëve) ndaj komunistëve, dëshmon edhe refuzimi i marrëveshjes nëpërmjet negociatave, rezistenca e ashpër e ofruar nga pothuajse i gjithë rajoni i Senicës (me mbështetjen e myslimanëve nga rrethet e Tutinit dhe Pazarit të Ri)”.

Për sjelljen e pushtetarëve shqiptarë, aty ku ushtronin pushtetin gjatë Luftës së Dytë Botërore, më së miri tregojnë dokumentet e Agjencisë Amerikane të Inteligjencës: “Nën regjimin shqiptar në Kosovë, serbët dhe malazezët gëzonin të drejtat e përfaqësimit nëpër gjykata kundër shkeljes nga shqiptarët. Edhe nëse shkelej, shteti do të intervenonte në favor të tyre. P.sh. në vitin 1944, një ushtar i forcave shqiptare vrau një serb në shenjë hakmarrje. Xhafer Deva urdhëroi personalisht që vrasësi të pushkatohet në vendin ku e kishte kryer krimin. Por, edhe komunistët kishin filluar të lëshonin rrënjë në Kosovë përmes futjes së përçarjes në mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Kryesisht serbët e malazezët kishin treguar prirje për t’iu bashkuar komunistëve“.

Popullata e Sanxhakut ishte e kërcënuar seriozisht nga forcat çetnike, në radhët e të cilave ishin rekrutuar vullnetarisht serbët vendorë. Qëllimi i rreshtimit të tyre në radhët e formacioneve çetnike, ishte gjenocidi mbi popullatën boshnjake e shqiptare, plaçkitja dhe djegia e vendbanimeve të tyre.

Autori boshnjak Esad Rahiq, shkruan për diçka që shumë pak është e njohur: “Kah fundi i tetorit, u arrit marrëveshja mes çetnikëve dhe partizanëve të aradhes së Kopaonikut për të sulmuar së bashku Pazarin e Ri. Marrëveshja ishte që çetnikët të sulmojnë qytetin nga veriu, verilindja dhe veriperëndimi, ndërsa partizanët nga jugu dhe jugperëndimi. Shtabi i aradhes partizane të Kopaonikut, nën komandën e Sveta Trifunoviqit, dërgoi dy çetat e veta në Rogoznë më qëllim që të bllokojnë rrugën Mitrovicë – Pazar i Ri dhe për të parandaluar depërtimin e mundshëm të shqiptarëve në këtë drejtim. Kur njësitë partizane prenë rrugën e përmendur, atje erdhi një grup çetnikësh të Kolashinit nën komandën e Todor Dobriqit dhe Todor Çukiqit. Ata kërkuan nga Sveta Trifunoviq që partizanët të kalojnë nëpër Bërgjan poshtë Tërnavës dhe përgjatë rrugës t’i kallin shtëpitë. Meqë partizanët nuk e bënë një gjë të tillë, këtë punë e bënë çetnikët. Ata, duke djegë shtëpitë e boshnjakëve në Tërnavë, Bërgjan, arritën pranë varrezave Gazillar. Aty filluan të pinë dhe të dëfrehen. Partizanët, gjatë kësaj kohe, në heshtje kanë shikuar çfarë janë duke bërë çetnikët, duke mos u përpjekur për të ndihmuar fshatarët boshnjake”.

Partizanët morën pjesë në sulmin kundër popullatës boshnjake të rrethit të Dezhevës. Partner i koalicionit të tyre në këto veprime luftarake ishin formacionet çetnike, aleatët e tyre të atëhershëm. Të nesërmen partizanët kërkuan komandantin çetnik Cvetiq, për t’u marrë vesh për bashkëpunimin e mëtejshëm. Në të njëjtën ditë, te partizanët erdhën përfaqësuesit e popullatës serbe nga Pazari i Ri dhe i informuan në lidhje me përforcimet e mëdha që kishin mbërritur nga Kosova, gjegjësisht nga Drenica. Balancimi i forcave në terren dukshëm kishte ndryshuar në favor të mbrojtësve të Pazarit të Ri. Partizanët ishin të vetëm për shkak se ish-aleatët e tyre, çetnikët e Cvetiqit, ishin tërhequr nga veprimet e mëtutjeshme. Partizanët u tërhoqën më 1 nëntor 1941.

Atë çfarë nuk arritën formacionet çetnike në Sanxhakun lindor, iu shkoi përdore, në pjesët tjera të Sanxhakut, në atë perëndimor, përkatësisht në Krahinë e Bihorit në vitin 1943.

Në lidhje me situatën në Qarkut të Mitrovicës, në raportin e të autorizuarit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Filiks Bencler, dërguar MPJ-së thuhet (sipas historianit Hakif Bajrami): “Drejtuesit kryesorë shqiptarë (mendohet në Xhafer Devën, Ibrahim Lutfiun etj.) deri më tash e kanë refuzuar çdo përpjekje italiane për infiltrim në rajonin e Mitrovicës. Përfaqësuesit shqiptarë nga Jeni Pazari, sipas dëshmive shqiptare, e kanë pasur për detyrë të vetme që të kërkojnë ndihmë nga gjermanët; i kanë evakuuar edhe të burgosurit serbë dhe shumë keq e kanë rrezikuar realitetin e balancës, me ç’rast lokalitetet shqiptare janë ndarë nga ato serbe me kufi të hekurt. Dhe, sipas informatës së Kariskomandaturës Mitrovicës, Milicia shqiptare nga Mitrovica ka dërguar forca në Jeni Pazar, duke i furnizuar me municion dhe armatim për mbrojtje. Në fund të tetorit 1941, rreth Jeni Pazarit gjendeshin pjesët e aradhes komuniste të Kopaonikut (serbe). Në koordinim me komunistët edhe forcat çetnike të Drazha Mihaloviqit, me qëllim që, së bashku, ta luftojnë popullsinë shqiptare dhe për këtë kishin bënë marrëveshje Tito me Drazhën. Ekziston dokumenti i marrëveshjes. Lidhur me këtë, për shkak të tërheqjes taktike të çetnikëve, shtabi i aradhes komuniste të Kopaonikut u detyrua që forcat e veta t`i evakuojë kah Rashka, sepse nuk mundën pa çetnikët t`u përballojnë forcave shqiptare që kishin shkuar andej për ta mbrojtur Pazari e Ri. Çetnikët e Drazha Mihaloviqit, nga 4 deri më 21 nëntor dhe nga 5 e deri më 11 dhjetor 1941, do të ndërmarrin sulm brutal ndaj Jeni Pazarit për t`i shfarosur shqiptarët, por pa sukses, sepse andejpari kishte shkuar e tërë djalëria shqiptare dhe ishte vënë nën komandën e patriotit Aqif Blyta”.

Mbrojtja e Pazarit të Ri u organizua nga Aqif Blyta së bashku me 12 kryekomandantë shqiptarë ku ishin Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Hoxhë Visoka, Mehmet Xhakja, Musli Dumoshi, Bislim Bajgora, Vëllezërit Selaci, Ukë Toverlani, Iliaz Bajrami, Ajet Mirofci, Ferhat Nishefci me disa çeta speciale etj. Lidhur me këtë, informatat nga terreni dëshmojnë se në Pazarin e Ri gjatë nëntorit 1941, ishin 3,154 shqiptarë mirë të armatosur. Të gjithë këta ishin nga zona e okupimit gjerman, por kishte dhe dy çeta nga viset e okupimit italianë. Armatimi i tyre ishte i lehtë: pushkamitralozë me municion të mjaftueshëm (14), pushkë 2,452 dhe bomba për sulme nga afërsia e pozicionimit frontal.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …