Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, gjatë një konferencë për medie të hënën ka bërë të ditur se për mosakreditimin e tri universiteteve publike, të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, atij të Pejës “Haxhi Zeka” dhe të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, ka vendosur Këshillit Shtetëror i Cilësisë, e jo MAShT-i.“Siç e dini për vendimet e fundit që Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka marrë, e pamë të arsyeshme t’ju njoftojmë se këto nuk janë vendime të MAShT-it pasi Këshilli Shtetëror i Cilësisë merr vendime sipas ligjit në fuqi”, ka thënë Bytyqi, mirëpo ai ka bërë me dije se MAShT-i ka pasur një shkresë nga Agjencia Kundër Korrupsionit ku thuhet se ka shkelje ligjore në përbërjen aktuale të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. “Ne kemi kërkuar nga KShC-ja që të zgjidhen këto çështje. Kjo është në kundërshtim me vendimin që e ka marrë Këshilli Shtetëror i Cilësisë”, ka thënë Bytyqi. Megjithatë ministri Bytyqi ka deklaruar se KSHC-ja e ka shkelur vendimin e MAShT-it pasi që nuk ka dashur të dalë me vendim para datës 22 korrik dhe para se Agjencia Kundër Korrupsionit të marrë vendim nëse ka pasur konflikt interesi në këtë vendim.
