Skender Demaliaj

Dr. Skënder Demaliaj: Politika e Serbisë, korrik – gusht 1878 dhe coptimi i trojeve shqiptare

(Dokumente të reja arkivore)

Udhëheqësit më të lartë të shtetit serb pranojnë se është zmadhuar territori i saj pas vendimeve të Kongresit të Berlinit.

Jovan Ristiq, Ministër i Jashtëm i Serbisë pohon, më 13 korrik 1878 në Mbledhjen Sekrete të Kuvendit Kombëtar të Serbisë: “Nga Traktati i Shën Stefanit përfitonim 150 milje katrore, nga Kongresi i Berlinit përfitojmë 200 milje katrore, pra 50 milje katrore më shumë, në një kohë që Mali i Zi merr vetëm gjysmën (100 milje katrore), kurse Greqia e Rumania më pak”. (AIH. T. 1. Viti. 1878, f. 15)

Edhe princi i Serbisë, Millan M. Obrenoviç deklaron: “Serbia tani është zmadhuar më tepër se ¼ e territoreve të gjertanishme”. (AIH. T. 2. Viti. 1878, f. 455)

Synimin për t’u zmadhuar, duke ua marrë tokat shqiptarëve, serbët e shprehin në Projektin e Garashaninit e në vazhdim. Garashanin (Ministër i Brendshëm i Serbisë), projektuesi i Serbisë së Madhe, më 1844 i përshkruan shqiptarët si fise të egra, si asimilues e vrasës të serbëve. Ai i rekomandonte shtetit të vet që të mos bënte asnjë aleancë mbi baza ta barabarta me shqiptarët. Teza e tij kryesore ishte: “Serbia duhej të bindej se është ende e vogël”.

Për të përgatitur popullin serb psikologjikisht për luftëra të reja, për beteja të reja, propaganda serbe e ndërtoi dhe e orientoi platformën e saj:

Duke i mëshuar faktit se serbët janë shpërngulur me forcë nga vendbanimet e tyre në Kosovë në vitet 1481, 1690, 1740. Sipas tyre vendin e tyre e kanë zënë arnautët që kanë zbritur nga malet e Malësisë në Prizren, në Gjakovë, në Pejë. Historianët dhe studiuesit serbë shkruajnë: “Qeveria turke do të ishte shumë e kënaqur në rast se në këtë provincë nuk do të kishte kristianë… nga elementët kristianë nuk mund të pritet ndonjë rezistencë kundër vërshimit të arnautëve, pasi kristianët këtu janë shumë të pakët dhe të përçarë: 1 kristian për 6 myslimanë. (AIH. A- IV- 288, f. 21)

Për të sensibilizuar më tej opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar japin shifra të zmadhuara për krimet e shqiptarëve ndaj serbëve: “Vetëm në qarkun e Pejës u vranë në shtatorin e viti 1876 – 126 të krishterë dhe asnjë nga vrasësit, jo vetëm që nuk është dënuar, por as arrestuar. Kristianëve u marrin ushqime, kafshë pune, i kërcënojnë me vdekje, në rast se ndonjëri do të marrë guximin të flasë për shkeljen e besës së tyre. Ata janë të detyruar edhe në ditët e festave të punojnë që në mëngjes herët deri vonë në darkë arat e shtypësve (nënkuptohet të arnautëve shqiptarë), nga frika se do t’i rrahin deri në vdekje si skllevër të vërtetë. (AIH. A- IV- 288, f. 25) Këtë taktikë kanë ndjekur gjithmonë serbët. Mbretëria e Serbisë, më 1899 kishte përgatitur një akuzë ndaj shqiptarëve të Vilajetit të Kosovës dhe atë e drejtoi në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, për “terrorizëm”. Aty paditeshin shqiptarët për 132 “vrasje terroriste” me qëllim që të përgatitet opinioni europian që Vilajeti i Kosovës mund të “civilizohet” vetëm nëse e okupon Serbia. Stambolli ngriti një komision, në përbërje të të cilit ishin: ministri i Punëve të Brendshme, Valiu i Kosovës, dy nëpunës të nahisë, një prift serb dhe një serb vendas për të vërtetuar akuzat, por nuk gjetën asnjë provë se janë vrarë serbë nga shqiptarët. Gjykata Ndërkombëtare shkurt theksoi: “132 akuza – 132 rrena”. Ky dokument u botua më 1889 dhe u ribotua më 1989 me urdhër të Millosheviçit. U përsërit e njëjta akuzë, drejtuar Parisit, Moskës, Londrës etj.

Japin raste të përdhunimit të grave të krishtera, për rritjen e detyrimeve për të krishterët. Sipas analizës së tyre keqdashëse e të qëllimshme: “Të gjitha këto vijnë nga bindja e muhamedanit mbi epërsinë e tij ndaj kristianëve. (AIH. A- IV- 288, f. 7)

Për serbët Kosova e Metohia kanë qenë zonë qendrore e shtetit serb të Nemanjit në kohën e fuqisë së saj më të madhe. Për studiuesit e huaj, por edhe të një pjese të studiuesve serbë, shqiptarët në Kosovë gjithmonë kanë qenë shumicë. Sipas Dr. J. Myler, në vitin 1938: “Peja kishte 12000 banorë, 2400 shtëpi, nga të cilat 130 shtëpi ortodokse (serbe), 20 shtëpi katolike dhe të tjerat muhamedane. Sipas studiuesit Hildending, në vitin 1875: “Gjakova ka 3500 shtëpi shqiptare, 60 shtëpi serbe”. Sipas studiuesit Mihajlloviq, në vitin 1900: “Gjakova ka 4000 shtëpi muhamedane, 60-130 shtëpi serbe… “në Prishtinë në vitin 1900 nga 4000 mijë shtëpi, 3200 janë muhamedane, 531 serbe, 60-70 çifute, të tjerat cigane e çerkeze”. Po sipas studiuesit F. Stankoviq “Në Vushtri në vitin 1900, nga 800 shtëpi 550 janë muhamedane, 250 serbe, ndërsa sipas listës së Metropolit, në vitin 1910, vetëm 210 shtëpi janë serbe. Edhe në Mitrovicë, në Gjilan pjesa dërmuese e popullsisë është shqiptare. (AIH. P-48, f. 155, 156, 159-162)

Sado të mëdha të kishin qenë shpërnguljet e serbëve në vitet 1481, 1690, 1740 do të kishin mbetur më shumë serbë në Kosovë po të ishin autoktonë. Shqiptarët kanë qenë dhe janë shumicë në Kosovë se janë autoktonë, në tokën e tyre dem baba dem. Megjithatë midis kthimit të shqiptarëve e atij të serbëve në Kosovë ka ndryshime. Shqiptarët janë autoktonë, kurse serbët u vendosën si kolonë me forcë në tokat e shqiptarëve, me brutalitet, ua grabitën ato.

Çdokush nuk ka frikë të kthehet në tokën e tij, në shtëpinë e tij në çdo kohë e në çdo moment, në ditë gëzimi, por edhe trishtimi.

Shqiptarëve tokat edhe në vitin 1878, edhe në vitin 1913 serbët ua morrën me forcë me ndihmën e madhe të Rusisë. Jovan Ristiq, Ministër i Jashtëm i Serbisë i pranon lidhjet me Rusinë dhe mbështetjen e saj: “Politika e Serbisë që nga viti 1860 e këtej është orientuar drejt asaj që në aleancë me shtetet lindore: Greqinë, Rumaninë, Malin e Zi të arrihet deri në çlirimin dhe bashkimin e popujve përkatës… Rusia na porosit që asgjë të mos ndërmarim në Drin që të mos e provokonim Austrinë… Informon Kuvendin Kombëtar të Serbisë për kontaktet e Serbisë me Shtabin Rus. (AIH. T. 1. Viti. 1878, f. 2-3)

Ai pranon që nga ky bashkëpunim: “Filloi puna gjallërisht që të paktën Nishi t’i mbetej Serbisë si përfitim më i çmueshëm i yni… Më në fund ja dolëm në krye, gjithnjë në sajë të Carit Shpirtmadh, Aleksandrit dhe kështu Nishi u sigurua” (AIH. T. 1. Viti. 1878, f. 4-5)

Kulmin, gjenocidi masiv serb ndaj popullsisë shqiptare e shënoi në vitet 1876-1878 në rajonet e Nishit, Prokupjes, Kurshumljes, Leskocit etj. U shpërngulën mbi 300 mijë shqiptarë, 600 fshatra u bënë shkrumb e hi, mbi 35 mijë shqiptarë gjetën vdekjen. Spastrimet në Sanxhakun e Nishit (1877-1878) sipas historianit të oborrit mbretëror, Jovan Haxhivasileviç ishin me qëllim që “Serbia të krijohej shtet i pastër nacional serb”.

Ndihmesën e madhe të Rusisë e shpreh me gëzim edhe princi i Serbisë, Millan M. Obrenoviqi: “Cari Shpirtmadh, Aleksandri mori nën mbrojtjen e vet të fuqishme lirinë e të krishterëve të Lindjes, e detyroi Portë Otomane që të heqë dorë nga sundimi i saj mbi Serbinë. (AIH. T. 2. Viti. 1878, f. 455)

“Vëllai i madh rus” siç e thërrasin serbët, u gjend në krah të serbëve sa herë ata pushtonin tokat e të tjerëve, veçanërisht të shqiptarëve, sa herë skllavëronin popuj josllav dhe zbatonin politika të spastrimeve etnike “etnicko çistenje”. Në një letër të Neserbodit për Aleksandër Karagjegjoviçin, më 23 nëntor 1852 thuhet: “Të gjitha privilegjet që gëzon sot Serbia kisha për të thënë se janë paguar me gjak rus”

Ja si ka shkruar peshkopi serb Nikollaj (Velimiroviç): “Ndërgjegjia jonë na bën ne të qajmë, kur qajnë rusët dhe të gëzohemi kur gëzohen rusët. Detyrimi ynë para Rusisë është i madh, ndoshta njeriu i duhet njeriut, ndoshta edhe populli popullit. Por borxhi që ka populli serb para Rusisë është aq i madh, sa atë nuk mund t’ua kthejnë as shekujt e as brezat. Ky është borxh dashurie, e cila me sy të mbyllur shkon drejt vdekjes për të shpëtuar të afërmin e vet. Jezu Krishti thotë: “Nuk ka dashuri më të madhe, se sa ajo kur vë shpirtin tënd për miqtë tuaj.” Cari rus dhe populli rus të papërgatitur duke hyrë në luftë për të mbrojtur Serbinë, nuk mund të mos e dinin që shkonin drejt vdekjes. Por dashuria e rusëve për vllezërit e tyre nuk i bëri të tërhiqeshin para vështirësive, të frikësoheshin prej vdekjes. Por a mund të harrojmë ne ndonjëherë se Cari rus me fëmijët e tij dhe me miliona si vllezërit e vetë shkoi në luftë për të drejtën e popullit serb? Po a mund të heshtim ne ndonjëherë para tokës dhe qiellit se liria jonë dhe shteti ynë i kanë kushtuar Rusisë më shtrenjtë se sa neve vetë?…”

Të gjithë udhëheqësit e lartë serbë nuk janë të kënaqur me tokat shqiptare që kanë përfituar nga vendimet e Kongresit të Berlinit. Ata kanë kërkesa maksimale për t’ju marrë toka të tjera atyre: “ Kërkesa jonë në Kongresin e Berlinit drejtohej drejt Serbisë së Vjetër… Çështja serbe nuk mund të vdesi dhe e drejta e kombit serb nuk mund të shuhet kurrë… Siç e shihni në hartë kërkesat tona hyjnë më thellë në kufijtë e Serbisë së Vjetër… I është kërkuar Kongresit të Berlinit njohja e pavarësisë, si edhe garancia e Europës për Serbinë (pavarësia u njoh, por as ne as Rumanisë) nuk ju dha garancia sepse vetë shtetet e reja lindore duhet të tregojnë forcën e vet vitale”. (AIH. T. 1. Viti. 1878, f. 5)

Si mund të arrihet kjo? Me luftë, me forcën e armëve. Kjo dëshirë, ky qëllim (Serbia e Vjetër si vend i shenjtë për serbët) – është kryefjala e Proklamatës së princit të Serbisë, Millan M. Obrenoviq, më 10 gusht 1878: “Serbë! Më 1 dhjetor të vitit të kaluar për të dytën herë unë ju thirra të merrni armët, këtë radhë ju kam thirrë, jo vetëm në emër të çlirimit të vëllezërve tanë të robëruar, por edhe në emër të pavarësisë së atdheut tonë të dashur të Serbisë… Në hovin tuaj të shkëlqyer, ju duhej vetëm një hap përpara që flamujtë fitimtarë të Serbisë të valëviteshin edhe në Prishtinë, Shkup e Przren, në këto kryeqytete të vjetra të Nemanjiqëve”. (AIH. T. 2. Viti. 1878, f. 454)

Ai edhe më vonë iu drejtohet serbëve të përgatiten për një luftë trevjeçare, për vuajtje të tjera, për beteja të tmerrshme e të përgjakshme. E quan ushtrinë serbe fisnike dhe krenare, ushtri që u dallua për vetmohim, qëndrueshmëri, për kujdes, për disiplinë dhe besnikërinë e pathyeshme dhe shembullore. Proklamatën e përfundon me thirrjen: “Me gjakun tuaj shkruat në flamurin e Takovës një radhë fitoresh të shkëlqyera. Derisa të ekzistojë emri i Serbisë do të përmendet trimëria juaj në Sfeti Nikolla, At Pllanka, Pirot, Kurshumli, Nish, Gërdelicë dhe Vranjë. Rreth 300 topa të armikut, disa mijëra pushkë, batalione të tëra me ushtarë të armikut të zënë robër, me të gjithë oficerët e tyre, miliona municione dhe ushqime janë prova të trimërisë suaj dhe të kryerjes me fisnikëri të detyrës suaj”. (AIH. T. 2. Viti. 1878, f. 457)

Jo pa qëllim ai nënvizon humbjet e armikut në betejat e zhvilluara. Kështu ai hedh poshtë argumentat e Lordit Salisburi se ushtritë serbe e rumune nuk kanë patur suksese luftarake. Edhe princi Gorçakov, edhe Konti Shuvallov ishin kundër Kontit Salisburi. (AIH. T. 1. Viti. 1878, f. 23)

Proklamata e princit të Serbisë ka edhe një nëntekst tjetër: Serbia e fitoi me luftë pavarësinë, do të fitojë në të ardhmen me beteja të përgjakshme edhe “tokat e veta” që ja kishin marrë të tjerët (sipas tyre Porta e Lartë dhe shqiptarët pas Betejës së Fushë-Kosovës , më 1389).

Në Proklamatë përmenden edhe luftimet në Vranjë. Për t’i kaluar tokat e saj Serbisë votuan pro: Gjermania, Austria, Franca, Rusia, kundër votuan: Anglia, Turqia dhe Italia. Udhëheqësit e lartë serbë informojnë popullin e tyre se çështja e kufijve të Serbisë u shty se vendimet duhet të jenë të njëzëshme.

Do t’i realizojnë qëllimet e tyre… do të marrin toka të tjera shqiptare… do të rritet e do të zmadhohet disa herë Serbia… do të krijohet Serbia e Madhe… me ndihmën e Rusisë e të Francës kryesisht.

Siç shprehen vetë udhëheqësit e lartë serbë: “Përjashta marrëdhënie të urta, kurse brenda të forta – këto janë rrugët e vetme, në të cilat mund të lulëzojë Serbia e pavarur” (AIH. T. 2. Viti. 1878, f, 456).

Autori i stydimit është Shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …