Hysen Ymeri, Koloneli që stërviti çlirimtarët e Kosovës

Hysen Ymeri, Koloneli që stërviti çlirimtarët e Kosovës

Koloneli i Ushtrisë së Shqipërisë, Hysen Ymeri, u nda nga jeta në moshën 72-vjeçare pas një sëmundje bukur të gjatë.

Jeta dhe vepra e tij ka qenë spartane, jo vetëm në kuptim mitologjik të fjalës. Ka qenë jeta e njeriut, i cili kurdoherë qëndroi vertikalisht, i pathyeshëm dhe i paepur  në rrugën e tij jetësore në shërbim të kombit e atdheut. Ai i takonte gjeneratave të ushtarakëve të kalitur fizikisht dhe shpirtërisht për të qenë dalëzotës jo vetëm të Shqipërisë  së cunguar, e cila rrezikohej nga të katër anët nga armiqtë,  por edhe të Atdheut në tërësi, pjesëve që kishin mbetur nën okupim, e disa nga ato ende lëngojnë nën regjimet e fqinjëve grabitçarë. Dhe në këtë rrugë të gjatë, përplot sakrifica e rreziqe, shquhen më  qëndrestarët, ata që kurrë nuk jepen, ata që kurrë nuk ligështohen e nuk thyhen, në asnjë moment, në asnjë rrethanë…

Duke qenë i çiltër dhe i dashur për nga natyra, komunikues, i hareshëm, serioz, trim, besnik  dhe i pajisur me virtyte burri, kolonel Hysen Ymeri, të bënte për vete, jo me imponim e fjalë të mëdha, por me thjeshtësi, maturi e vetëpërmbajtje. Ashtu kishte lindur nga gjeni i familjes, ashtu ishte edukuar  gjatë shkollimit,  ashtu kishte jetuar, në një mes oficerësh, të cilët kishin ngarkuar  mbi supe barra të rënda, por kurrë nuk ishin  ankuar, sepse atdheu i robëruar dhe i copëtuar kërkonte sa më shumë sakrifica, për ta zënë  hapin me kohën, për të kaluar mbi shekujt e robërisë, që kishin lënë pasoja e vurrata të shumta në të gjitha segmentet e jetës shqiptare.  Idealistët e tillë kurrë nuk i kanë munguar popullit, por kanë qenë e kanë mbetur yje të pashuar, në qiellin shqiptar. Ata nuk panë pritur se çfarë dhurate apo grade do të bëjë Shteti për ta, por e kanë pyetur dhe e pyesin veten, çka kam sot  për kombin e për atdheun tim!.

I tillë më ka mbetur në kujtesë, kolonel, Hysen Ymeri, me që cilin kam pasur rast të njihem, përmes mikut të tij dhe veprimtarit të njohur, kolegut tim  të çmuar, Isuf Ismajli.

Ishte në mesin e oficerëve, e cili në kazermat e Shqipërisë së bashku me Ylli Micin, Agron Dhimarkon, Kastriot Hoxhën  e të tjerë kishte stërvitur, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin dhe shumë eprorë e ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ja si e përshkruan një fragment të kujtimeve të Hysen Ymerit, Bashkim Koçi, në një shkrim të publikuar në “Dita”. Kanë kaluar plot 20 vjet nga rënia e Komandantit Legjendar të UÇK-së dhe Heroit i Kosovës Adem Jashari. Ai qëndron atje në Prekaz pranë 59 emra dëshmorësh, të gjithë pjesëtarë të familjes Jashari. Unë jam kështu, sepse shpreh atë që kam brenda– thotë Kolonel, Hyseni. Dhe me fjalën “brenda” dëshiron që prishjen në fytyrë, hidhërimin që ndjen për çka tregoi,  t’ia përcjellë shpirtit, atij që e ka munduar dhe e mundon për  lidhjet që ruan me Kosovën dhe familjen e Adem Jasharit. Atje, në Prekaz, por edhe në të gjithë Kosovën,  atë e njohin, si Baca Cen. Ai tregon  ngjarje e episode, shumë nga të cilat e bëjnë të ndjehet mirë, krenar, e mbushin me emocione të një realiteti krejt tjetër, që nuk e ka gjetur këtu, në Shqipëri. Pas gjakut, thotë Koloneli, gjëja më e mirë që një burrë mund të japë, janë lotët e tij. Unë kam qarë për Adem Jasharin, për Kosovën, për të gjithë ata djem që ranë në luftë për çlirimin e saj, por qenia në krye të njëmijë burrave  me njëmijë flamuj, kur morëm nusen e djalit të Adem Jasharit, Lulëzimit, jam ndjerë si shqiptari më i vlerësuar në botë.  Adem Jashari  na ka bërë të ndjehemi të gjithë nga pak heronj.

Ky konstatim i kolonel Hysen Ymerit kjo dëlirësit shpirtërore, emocionale, ky atdhetarizëm i kulluar zbulon më së miri shpirtin e tij idealist, shpirtin e njeriut që digjet  si kandil për të ndriçuar të tjerët. Nuk thuhet kot se kandili ndriçon gjithçka përreth por veten e lë në hije. I tillë ishte Hysen Ymeri, i mirë dhe i dashur për të gjithë, idealist, besnik, atdhetar i përkushtuar për kombin e atdheun, pa menduar fare për veten, duke mos i tradhtuar idealet, sikur bënë disa të tjerë, me rastin e përpjekjeve për ta prishur dhe për ta katandisur shtetin shqiptar, për qëllimet tyre të mbrapshta e antikombëtare.

Ai kurrë nuk iu nënshtrua lakmisë për të qenë gjithnjë në pozitë madje edhe për të avansuar në këmbim të flakjes së idealit. Po si mund ta flakte atë ideal kur ai kishte stërvitur veçmas, Adem Legjendarin e UÇK-së dhe të mbarë kombit, i cili jo vetëm që flijoi vetën, por për atdhe luftoi dhe  flijoi edhe më të dashurit, sepse të gjithë tok ishin nisur në rrugën pa kthim drejt lirisë, në rrugën me moton e njohur idealiste shqiptare, Ecim para vëlla, kthim prapa s’ ka.

Miku dhe ushtari i tij, i cili ishte stërvitur në Shqipëri me grupin e Adem Jasharit, Isuf Ismaili, duke shkruar për Hysen Ymerin ndalet në një segment të karakterit e temperamentit të tij, dhe konstaton:  Kur rrëfen Hysen Ymeri për ushtrinë, për përkushtimin ndaj detyrës, për krenarinë e oficerit, patjetër mendja na vete për të krijuar lidhshmërinë e natyrshme të ushtrisë me shpatën  e Skënderbeut, me luftën dhe heroizmat e tij, me gjoksin e Mic Sokolit, e Selam Labit, që shfaqën madhështinë e heroizmin e bijve të devotshëm të atdheut, duke u hedhur mbi grykën e topave të armiqve, me kërcimin e Vojo Kushit mbi tankun e armikut, me Adem Jasharin, komandantin legjendar i UÇK- ës që u stërvit edhe nga komandant Ceni, nga Kastriot Hoxha dhe pedagogët të tjerë të Akademisë Ushtarake në Tiranë.

Në përurimin e librit studimor  të kolonel Halil Katanës, “Tri dimensionet e luftës së UÇK-së”, 15 vjet më parë në Prishtinë, në fjalën e tij, kolonel Hysen Ymeri, para qindra pjesëmarrësve kishte folur për forcën dhe kapacitet ushtarake që kishte disponuar armata e  Shqipërisë, jo vetëm për mbrojtën e vet, por edhe për t iu shkuar në ndihmë vëllezërve  që jetonin nën Jugosllavinë e asaj kohe. Ne kishim futur në veprim vetëm divizionin e Kukësit dhe kishin stopuar në kufi përparimin e ushtrisë jugosllave, por kishim edhe 80 divizione të tilla. Ishte lufta e NATO-s që na hyri në mes, sepse po të kishim luftuar të gjithë ne, po të ishte futur Shqipëria në luftë  me kapacitetet ushtarake që dispononim dhe me 7 milionë shqiptarët në Ballkan, nuk do të kishte kurrë farë nevoje për NATO-n, megjithëse se unë e çmoj këtë Aleancë, e cila parandaloi një gjakderdhje shumë fish më të madhe. Qarqe të caktuara  ndër ne e kanë  mbiçmuar forcën e Serbisë, pa një analizë të vërtetë ushtarake, në krahasimin e forcave. Madje ne kishin forcën morale, sepse nuk po shkonim për të pushtuar një popull, por për t’ i çliruar shqiptarët nga një regjim barbar dhe vrasës të fëmijëve, pleqve e grave.

Përgatitja arsimore ushtarake e kolonel, Hysen Ymerit, ishte e nivelit akademik ushtarak. Gatishmëria e tij për të qenë kurdoherë  në shërim të atdheut, ishte edukata që e kishte marrë gjatë shkollimit atdhetar mbi të gjitha, pse jo edhe partiak ashtu sikur tërë një popull në Shqipërinë Socialiste për 45 vjet jetë shoqërore e kombëtare. Përkushtimi për komb e atdhe, për çlirimin e viseve shqiptare dhe bashkimin e tyre ishte ideali, që nuk e kishte anashkaluar  kurrë. Andaj në këto segmente të formimit të tij profesional dhe intelektual, Hysen Ymeri shkëlqeu edhe më shumë me faktin se nuk i tradhtoi ato ideale, nuk lejoi veten të bëhet pre e mujsharëve të politikës për ndonjë përfitim apo favor të rastit, por i qëndroi besnik deri në fund popullit, që e lindi e rriti dhe e edukoi, i qëndroi besnik idealeve kombëtare me një stoicizëm të pashembullt të dinjitarit të paepur…

Kosova, Shqipëria e krejt Atdheu nuk do ta harrojë kurrë birin e vet besnik.

Respekt e lavdi jetës dhe veprës së kolonel, Hysen Ymerit!

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

  1. 7. 2019

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …