Mbi 1.366 civilë janë vrarë dhe 2.446 janë plagosur gjatë luftimeve në Afganistan, në mesin e tyre 327 fëmijë dhe rreth 150 gra. Shifrat e fundit tregojnë për rënie të numrit të viktimave për 27%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kombet e Bashkuara thanë se e mirëpresin këtë rënie, porse vazhdojnë “ta konsiderojnë nivelin e dëmit që u bëhet civilëve si tronditës dhe të papranueshëm”. Bilanci i përgjakshëm në Afganistan vazhdon, me gjithë përpjekjet e udhëhequra nga Amerika për të arritur marrëveshje me militantët talibanë, që do t’i jepte fund luftës gati 18-vjeçare. Talibanët kontrollojnë gati gjysmën e Afganistanit, më së shumë territor, prej kur Amerika e ka pushtuar këtë vend në vitin 2001. Talibanët, të cilët luftojnë kundër forcave të Qeverisë afgane shkaktuan 52% të viktimave. Në mesin e 985 viktimave civile, që pësuan nga talibanët, ka zyrtarë qeveritarë, pleq fisnorë, punonjës të ndihmës e të tjerë. Forcat pro-qeveritare, ndërkaq, vranë 717 njerëz dhe plagosën 680 – që do të thotë rritje për 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Lufta shkaktoi vdekjen e 144 grave dhe plagosjen e 286 të tjerave. Viktimat fëmijë përbëjnë gati një të tretën e viktimave të përgjithshme civile – me 327 vdekje dhe 880 të plagosur – thuhet në raport.
Kontrolloni gjithashtu
Anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, kritikoi qasjen e Qeverisë ndaj krizave energjetike, në të cilat përfiton Serbia
Anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, kritikoi qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj krizave …