Duke shfaqur opinionin e tij për Gjykatën Speciale, gjatë një interviste për televizionin “Dielli”, juristi, veprimtari dhe studiuesi Adil Fetahu ka deklaruar se kur ka nisur procesi për krijimin e kësaj gjykate, unë kam shkruar për Raportin e Dik Martit i cili është bazuar në gënjeshtra e shpifje të bazuara në dosjet e Serbisë. Kjo do të jetë një e keqe për Kosovën sado që ata përpiqen të thonë se kjo nuk është kundër UÇK-së e luftës së saj. Vetë fakti se janë të akuzuar aktorët e komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e saj po shihet se ku është intenca e kësaj gjykate. Është fatkeqësi që njerëzit tanë nuk kanë qenë vigjilent me kohë sepse ata i shtinë atë ( Gjykatën Speciale) nën kulmin e Kuvendit të Kosovës, me ligj të Kosovës.
Ajo s’ka të bëjë asgjë me Kosovën përveç që është kundër Kosovës. Ata e krijuan atëherë ndonëse kanë mundur që ta prolongojnë krijimin e saj, ta kundërshtojnë por njerëzit shantazhoheshin me të edhe pranuan ta krijojnë këtë Gjykatë, por nuk u kujtuan të kërkojnë edhe dënimin e serbëve që kanë kryer krime lufte në Kosovë. Askund nuk ka gjykatë një nacionale, madje as gjykata fashiste Nyrembergut nuk ka qenë gjykatë një nacionale. Nëse gjykata krijohet për dënimin e krimeve të një lloji, të ndodhura brenda një periudhe të caktuar kohore, atëherë ajo duhet të merret me të gjithë ata që kanë kryer krime brenda asaj periudhe të caktuar. Unë mendoj se kjo Gjykatë nuk është krijuar për të dështuar edhe dikush do të dënohet me apo pa të drejtë.
Serbia është duke bërë përpjekje të mëdha gjatë gjithë kohës për të mbledhur dhe sistemuar sajesa e gënjeshtra, që ajo i quan fakte e gjykata duhet t’i trajtojë e analizojë mirë e mirë ato. Unë dyshoj se kjo gjykatë do ta ndajë shapin prej sheqeri, ka shfaqur shqetësimin e tij publicisti, Adil Fetahu gjatë intervistës për televizionin “Dielli”.