Adil Fetahu

Adil Fetahu: Sa dhe si po investon Serbia në Kosovë, në funksion të rikolonizimit?

Në periudhën maj 2013 – maj 2019, Serbia ka investuar mesatarisht  nga 560 deri 570 milionë euro në vit, për mbajtjen e qëndrueshme dhe kthimin (ardhjen) e serbëve në Kosovë. A janë këto investime në funksion të rikolonizimit të serbëve në Kosovë, apo plaçkitja “patriotike” e serbëve  të Kosovës?

 

Raporti përplot gënjeshtra e lavdata

Në Raportin për Kosovën (99 faqe tekst e fotografi) për periudhën  maj 2013- maj 2019, të cilin e shqyrtoi dhe miratoi Kuvendi i Serbisë në mbledhjen e posaçme të mbajtur më 27 maj të këtij viti, ishin dhënë shënime precize, madje me decimale,  për investimet që ka bërë Qeveria e Serbisë, me qëllim të mbajtjes  së qëndrueshme dhe kthimit të serbëve në Kosovë, të cilën ata gjithnjë e quajnë “krahina jugore e Serbisë”! Në atë mbledhje të posaçme të Kuvendit të Serbisë kushtuar, sipas tyre, “Kosovë e Metohisë”, kryetari i Serbisë mbajti fjalim afro  tri orë, në të cilin foli për të gjitha problemet dhe interesat që ka Serbia në Kosovë, nga aspekti: kombëtar e ndërkombëtar, politik e diplomatik, ekonomik e social dhe të sigurisë. Si në tërë diskursin e politikës serbe, fjalimi i Vuçiqit dhe raporti i “Zyrës për Kosovë e Metohi”, gëlonin përplot gënjeshtra, gjysëm të vërteta, insinuata dhe ankesa për pozitën e rëndë dhe padrejtësitë që po përjetojnë serbët në Kosovë, si dhe lavdata për punën e madhe e të suksesshme të regjimit aktual të Serbisë që po bënë për mbrojtjen e tyre dhe të integritetit të Serbisë. Në fjalimin e tij Vuçiq  theksoi problemet me të cilat është ballafaquar Serbia gjatë kësaj periudhe në procesin e dialogut,siç janë: presioni i bashkësisë ndërkombëtare; njohja e pavarësisë së Kosovës; dobësimi i rolit t UNMIK-ut; kalimi i procesit të dialogut nga korniza e OKB-së, nën patronatin e BE-së; vendimi (mendimi) i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë; marrja e disa kompetencave të UNMIK-ut nga EULEX-i; forcimi i kapaciteteve të, siç i quajnë ata, institucioneve të përkohëshme të vetëqeverisjes së Kosovës; fuqizimi i kontrollit të kufirit me Serbinë; kushtëzimi i procesit të integrimit të Serbisë në BE me arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, etj, etj.

Për të ilustruar “bindshëm” pozitën e vështirë dhe “padrejtësitë që po u bëhën” serbëve në Kosovë, në raport jepen shifra “precize”, se në periudhën 2014-2018, kundër serbëve janë kryer 465 sulme me motive etnike; 150 plaçkitje të pasurisë; 45 sulme mbi  objektet kulturo-historike, fetare dhe varrezave; janë sulmuar fizikisht 62 viktima; janë gjuajtur me gurë 30 shtëpi, automjete ose individë,etj.

Serbia  ka investuar në Kosovë 560 deri 570 milionë euro në vit

Pjesa dominuese e raportit për Kosovën ka të bëjë me investimet  të cilat Republika e Serbisë i ka bërë gjatë periudhës gjashtëvjeçare (maj 2013 – maj 2019), për të ndihmuar mbajtjen e qëndrueshme  dhe kthimin  (ardhjen) e serbëve në Kosovë.  Për këtë qëllim strategjik, Serbia ka investua në ndërtimin e shtëpive dhe banesave, në infrastrukturë, rrugë, kanalizime, ujësjellës; në arsim, shëndetësi, kisha,  kulturë;  në bujqësi; në paga “ me shtesën për Kosovën” punëtorëve dhe paga minimale për të papunët; në ndihma sociale; në administratën lokale; në ndërmarrjet publike; në strukturat paralele dhe ato të mbrojtjes civile, etj,etj.

Gjatë debateve të zhvilluara në kuadër të “Dialogut të brendshëm” në Serbi, kryetari Vuçiq në një tryezë (mars 2018) tha se, në forma të ndryshme, Serbia ndanë mjete për Kosovë e Metohi mesatarisht  nga 560 deri 570 miliona euro në vit, apo 1,45 milion euro në ditë. Me atë rast Vuçiqi pranoi se ka pasur (edhe) keqpërdorime në shfrytëzimin e atyre mjeteve, për shkak se Serbia nuk ka mund t’i kontrollojë shpenzimet në terren, prandaj nga keqpërdorimi i tyre, disa individë janë pasurua shumë, e një pjesë e mjeteve nuk kanë arritur atje për ku janë destinuar.

Mjete të konsiderueshme janë investuar edhe për destinime të caktuara, të cilat nuk mund të bëhën transparente, sepse nuk do t’i lejonte bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës, ka thenë Vuçiq. (Nënkuptohet se kjo ka të bëjë me bandat kriminale të strukturave ilegale të policies, ushtrisë dhe organeve të sigurimit të Serbisë, të cilat veprojnë në enklavat serbe, e veçmas në veri të Mitrovicës, v.j.).

Projektet dhe shumat e investuara

Për investimet transparente nga mjetet e buxhetit të Serbisë, jepen shënime precize deri në decimale, në shuma dhe në emër të lëmive, projekteve dhe objekteve për të cilat janë destinuar. Kështu bie fjala, në lëmin e mbrojtjes së kishave dhe të pasurisë kulturore, në periudhën maj 2014-maj 2019, në 56 projekte më të rëndësishme,  janë investuar 417.275.000 dinarë*), thuhet në raportin me shkrim dhe në fjalimin e Vuçiqit.

Në lëmin e sigurimit (ndërtimit, blerjes dhe meremetimit) të shtëpive e banesave dhe të infrastrukturës, në të njëjtën periudhë, nga buxheti i Serbisë janë investuar 1.445.678.021,80 dinarë. Me këtë shumë janë siguruar 1613 njësi banimi, për personat e shpërngulur intern, kryesisht prej pjesëve tjera të Kosovës në pjesën veriore, për të kthyerit dhe për familjet dhe personat socialë. Në këtë shumë hyjnë edhe ndihma që u është dhënë në material ndërtimor 2284 familjeve; ndërtimi i kompleksit rekreativ-shëndetësor “Rajska banja”, afër Zveçanit; ndërtimi dhe rikonstruimi i rrugëve, urave, mbikalimeve, deponive, rrjetit të kanalizimit, tereneve sportive, etj. Në ndërtimin e objekteve të banimit për të kthyerit, janë investuar mjete të shumta edhe nga institucionet e Kosovës dhe organizatat humanitare e donatorë të huaj, veçse për ato nuk jepen shënime në raport.  Megjithatë, efekti i gjithë atyre investimeve është i paknaqshëm sa i përket kthimit të serbëve të shpërngulur (ikur) nga Kosova. Prej vitit 2000 deri në maj të 2019-es, janë kthyer gjithsejt 27.286 veta, dhe ata nuk janë të gjithë serbë, por ka edhe të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptianë. Për shembëll,  në vitin 2015  prej 802 personave të kthyer vetëm 429 kanë qenë serbë, në vitin 2016 prej 582 të kthyerëve serbë  ishin 299, precizon raporti. Serbët e shpërngulur (ikur) janë të dy kategorive: ata që janë shpërngulur jashtë Kosovës, refugjatë që jetojnë në Serbi ose jashtë saj, dhe kategoria tjetër – të shpërngulurit “intern”, brënda Kosovës, të cilët jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, e që në vitin 2016 të tillë ishin 16.577 veta.

Sipas mendimit tonë, janë dy shkaqe përse nuk ka kthim më të madh të serbëve në Kosovë. Shkaku i parë është pasiguria e tyre,  ngase e dijnë ata se çfarë krime kanë bërë ndaj shqiptarëve gjatë luftës (1999), dhe shkaku i dytë është papunësia e madhe në Kosovë. Kthehën kryesisht të moshuarit, pensionistë, të cilët marrin pensione edhe nga Serbia edhe nga Kosova! Të rinjët nuk vijnë, sepse nuk mund të gjejnë punë. Për kthimin e serbëve janë ndërtuar fshatra të tëra me shtëpi të reja, por ato rrijnë të zbrazta; në fshatin Dragolame të komunës së Istogut u janë ndërtuar 60 shtëpi dhe vetëm në 6 prej tyre ka banorë, në Bablak dhe Babush të Ferizajt dhe në Opterushë të Rahovecit janë fshatra me qindra shtëpi të reja, që rrijnë të zbrazta. Ka raste kur vijnë, regjistrohen si të kthyer, i marrin grantet nga 2500 euro, dhe përsëri kthehen në Serbi. Shteti i Serbisë dhe donatorë të jashtëm, po edhe institucionet e Kosovës janë përpjekur të ndihmojnë familjet bujqësore me ndihma të ndryshme për të zhvilluar bujqësinë dhe siguruar  ekzistencën materiale. Për ndihmat që ata kanë marrë nga institucionet e Kosovës dhe nga donatorët e jashtëm, raporti nuk jep shënime, ngase ai bënë fjalë vetëm për investimet nga buxheti i Serbië.

Në kuadër të  programit të  ndihmës  1300 familjeve bujqësore, nga buxheti i Serbisë janë investuar  899.682.022,00 dinarë, me të cilat janë blerë 1.200.000 fidane cilësore të pemëve; 500 mjete të imta e të mëdha të mekanizmit bujqësor; 50 frymë kafshë të trasha; janë ndërtuar shtalla dhe blerë pajime për prodhimet e qumështit. Për realizimin e të mbjellave vjeshtore dhe atyre pranverore,  familjet bujqësore  anekand Kosovës janë ndihmuar me material riprodhues në shumë 183.426.015,oo dinarë. Janë ndërtuar dy fabrika të birrës në territorin e komunës së Zveçanit; për 105 familje të varfëra janë blerë 79 mëshqerra, 359 dele, 22 dhi, 5 traktorë dhe mjete tjera bujqësore.

Në mjetet për investimet në bujqësi dhe zhvillimin rural në komunat dhe vendbanimet serbe, institucionet e Kosovës, në periudhën 2014-2018, kanë  investuar 3.820.262,73 euro, që janë barabar me afro 7 miliardë dinarë të Serbisë. Po, sa mjete u kanë dhënë serbëve në Kosovë organizatat dhe donatorët e vendeve tjera, për këtë nuk bëhet fjalë në raport.

Në projektin e vendbanimit për të kthyerit, “Sunçana dollina” (Lugina e Diellit), që shtrihet në një vend strategjik afër Zveçanit, janë investuar 1.433.894.399,00 dinarë. Projekti përmbanë 135 objekte banimi, për 350 familje, që shpresohet se do ketë së paku 1200 deri 1500 banorë, me infrastrukturë të rregulluar dhe ojbekte përcjellëse: shkollën, kishën, tregun,  terenet sportive, çerdhe për fëmijë. Është investuar në modernizimin dhe digjitalizimin e infrastrukturës dhe rrjetit të telekomunikacionit fiks, atij mobil dhe të mediave  22.425.511.47 dinarë.

Shuma të konsiderueshme të mjeteve janë investuar në lëmin e gjyqësorit, për ndihmë juridike   në mbrojtjën e pronës së individëve,  të subjekteve ekonomike, të kishës ortodokse dhe të vetëqeverisjes lokale në “KeM”.

Investimet në shërbimet publike: arsim, shëndetësi, kulturë zënë vendin më të rëndësishëm në investimet e përgjithshme në periudhën raportuese. Sot në tërë Kosovën ekzistojnë 103 shkolla serbe (68 fillore dhe 35 të mesme), në të cilat i vijojnë mësimet 16826 nxënës (11482 në shkollat fillore dhe 5344 në ato të mesme). Në 10 fakultete dhe 2 shkolla të larta të Universitetit serb që funksionon në Mitrovicë, studjojnë 7500 studentë, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Serbia dhe Mali Zi, diplomat e të cilëve ua njeh Ministria e Arsimit e Kosovës, me ndërmjetësimin e Qendrës Europiane për Çështjet e Pakicave (ECMI), në bazë të Marrëveshjes së Brukselit. Janë 17 institucione parashkollore, të cilat i vijojnë 3239 fëmijë. Të gjitha ato punojnë sipas sistemit arsimor të Serbisë dhe kurrësesi nuk duan të integrohen  në sistemin arsimor të Kosovës, pavarësisht se Kosova  ka investuar në objektet, pajimet dhe pagat e personelit që punojnë në ato shkolla të ciklit fillor dhe të mesëm.  Shumë punonjës arsimor  të atyre shkollave, kanë marrë paga edhe nga buxheti  i Kosovës edhe nga buxheti i Serbisë, bile nga buxheti i Serbisë  kanë marrë paga të rritura 150%, me shtesën “për Kosovë”, në krahasim me pagat mesatare të kolegëve të tyre në Serbi. Investime të mëdha në lëmin e arsimit për serbët e Kosovës kanë bërë edhe organizatat humanitare dhe donatorët e huaj; për shembëll, vetëm Organizata Humanitare e Solidaritetit (franceze) ka investuar 800.000 euro, për renovimin dhe pajimin e shkollave serbe në Kosovë. Po, sa e sa organizata e fondacione tjera kombëtare e ndërkombëtare u japin donacione për arsimin, shëndetësinë, mediat dhe pushtetin lokal të komunave dhe vendbanimeve serbe, dhe ato bëhën pa ndonjë koordinim apo kontrollë nga institucionet e Kosovës!

Në Kosovë funksionojnë dy qendra klinike serbe:  në Mitrovicë dhe në Graçanicë, me disa qendra shëndetësore dhe 26 ambulanta, të cilat veprojnë në kuadër të sistemit shëndetësor të Serbisë, e në të cilat punojnë 4224 punonjës shëndetësorë, që marrin paga nga buxheti  i Serbisë dhe nga donatorë  të ndryshëm, ndërsa 599 të tjerë që nuk punojnë marrin paga minimale (8000 dinarë në muaj). Disa punonjës shëndetësorë marrin paga edhe nga buxheti i Kosovës edhe nga Serbia.  Në Kosovë funksionojnë 5  televizione dhe disa radiostacione, të lidhura në një ndërmarrje publike që quhet “Most” (Ura), me seli në Mitrovicë (veri). Sipas deklaratës së kryetarit të Serbisë, vetëm për paga për serbët e Kosovës, të cilët janë të angazhuar në punë, buxheti i Serbisë ndanë 71 milionë euro në vit.

Përveç ndihmave e donacioneve tjera, nga buxheti i Serbisë ka marrë para në shumë 116.382.990 dinarë,  Dioçeza Rashkë-Prizren, me seli në Kosovë, për kuzhinat popullore që organizon për të varfërit, ndërsa 23 organizata komunale të kryqit të kuq kanë marrë 227.902.360,00 dinarë, kurse për stimulimin e politikës popullative, nënave serbe në Kosovë u janë paguar 54.100.000,00 dinarë, për 5410 fëmijë të lindur. Për objektet dhe manifestimet kulturore janë investuar 193.930.000,00 dinarë, kurse për ndihma  545 familjeve të varfër janë investuar 202.496.340,00 dinarë.  Janë këto shifra të investimeve, me të cilat kryetari i Serbisë lavdërohet për punën që po bënë, dhe premton se për këtë qëllim strategjik kombëtar, Serbia do të investojë në të ardhmën edhe më tepër, sepse ekonomia e saj tash është më e fortë dhe ka mundësi të investojë për serbët në Kosovë.

Gjithë këto investime e ndërtime të shtëpive, fshatra të tëra  të ndërtuara për serbë, edhe aty ku nuk ka pasur serb, ose nuk ka pasur fare vendbanime serbe, siç është rasti me “Sunçana dolina”, “Rajska banja”  e shumë të tjera, janë në funksion të një rikolonizimi të ri të serbëve në Kosovë, sado që aktualisht nuk po ka sukses, për shkaqe dhe arsye të ndryshme. Dhe në këtë rikolonizim po marrin pjesë, me mjete dhe me përkrahje tjetër, edhe bashkësia ndërkombëtare edhe institucionet e Kosovës!

Shqipëria dhe Kosova në 5 vjet, 150.000 euro për shqiptarët në Serbi e Mal të Zi !

Është një thënie popullore: “Më mirë qen i pasanikut, se djalë i fukarasë”! Shqipëria dhe Kosova e varfër nuk kanë mundësi, por as gadishmëri e kurajo për t’i ndihmuar “djemtë” e tyre në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, dhe ata nga varfëria janë të detyruar t’i lëshojnë vendet e tyre e të migrojnë në shtetet e Perëndimit. Trojet shqiptare në Mal të Zi gadi kanë mbetur pa njerëz, sikurse që edhe nga Medvegja e Serbisë janë shpërngulur ose kanë emigruar pothuajse të gjithë shqiptarët. Kur diskriminimit, presionit dhe represionit shtetëror i shtohet edhe papunësia dhe varfëria, atëherë jeta bëhet e padurueshme dhe njerëzit detyrohen të kërkojnë vend ku do të mund të jetojnë më qetë e më mirë. Shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, të varfëra ekonomikisht e të hallakatura politikisht, nuk janë në gjendje as mendojnë për t’iu ndihmuar shqiptarëve të cilët jetojnë në trojet e veta jashtë kufijve të shtetit të tyre. Janë nënçmuese dhe qesharake “ndihmat” dhe “investimet” që Shqipëria dhe Kosova u kanë dhënë shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe atyre në Malsinë e Madhe (në Mal të Zi). Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, në mbledhjen e parë të përbashkët, të mbajtur në Prizren në vitin 2014, patën marrë vendim të formojnë një fond të përbashkët për Luginën e Preshevës. Atëbotë, ndanë 100.000 euro për Maternitetin e Preshevës. Dhe më pastaj u harrua ai vendim e ai zotim. Tek pas pesë vjetëve, Qeveria e Shqipërisë, me buxhetin e vitit 2019, ka ndarë nga 25.000 euro për ndihmë Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi (Bujanovc) dhe atij në Mal të Zi (Plavë). Sa ndihmohet komuniteti shqiptar në ato dy shtete me kaq pak mjete, nuk do koment, ndërsa krahasimi me investimet që bënë Serbia për serbët në Kosovë, është i pakuptimt: ajo investon për serbët në Kosovë afro 1,5 milion euro në ditë, ndërsa dy shtetet shqiptare – për 5 vjet investuan 150.000 eruo për shqiptarët jashtë shtetit!

 

Keqpërdorimet apo “plaçka patriotike serbe”

Raporti i analizuar më sipër është për periudhën 2013-2019, prej kur ka ardhur në pushtet partia e Vuçiqit dhe vet Vuçiqi ishte nënkryetar, pastaj kryetar i Qeverisë , ndërsa tash është kryetar i  Serbisë.  Po për serbët e Kosovës kanë investuar edhe regjimet e tjera, para këtij të Vuçiqit. Dhe si rendom, regjimi i ri hulumton të gjejë dobësitë e regjimit paraprak, që ta denigrojë atë dhe të ndërmerr masa kundër bartësve të keqpërdorimeve. Kështu, për shpenzimet buxhetore dhe investimet e regjimit paraprak, në periudhën midis vitit 2000 deri 2012, Kuvendi i Serbisë më 8 prill 2013, formoi  një Këshill Anketues, të përbërë prej 14 deputetëve të partive të ndryshme, me detyrë për të vërtetuar faktet  dhe gjendjen mbi shpenzimin e mjeteve të buxhetit të Serbisë në “Kosovë e Metohi” në periudhën e viteve 2000 deri 2012. Këshilli Anketues kishte për detyrë të vërtetojë: a) a është bërë shpenzimi i mjeteve në pajtim me aktet ligjore dhe nënligjore; b) a janë shpenzuar mjetet për destinimet e caktuara dhe në kushte të njëjta për të gjithë shfrytëzuesit; c) a janë shfrytëzuar mjetet sipas planeve dhe projekteve të caktuara; d) si është bërë kontrolli i qarkullimit të mallrave që vijnë nga Serbia në Kosovë, të  cilat ishin të liruara nga  tatimi në vlerën e shtuar; e) a janë bërë furnizimet me mallra dhe kryerja e punimeve në pajtim me ligjet; f) a është tjetërsuar pasuria të cilën e kanë pasur “ndërmarrjet shtetërore”; g) sa mjete ka ndarë buxheti i Serbisë në periudhën e viteteve 2000 deri 2012, për “Kosovë e Metohi”, për çfarë destinimesh dhe kujt i janë dhënë ato.

Pas punës njëvjeçare që ka kryer Këshilli Anketues, ka hartuar raport detaj (68 faqe) dhe e ka miratua më 24 prill 2014, në të cilin në mënyrë shumë të detajuar ka paraqitur shifra e fakte për shumat e investuara, projektet, shpenzimet dhe keqpërdorimet e konstatuara. Kundër  atij raporti ishte vetëm   ultranacionalisti Millan Ivanoviq, nga Mitrovica, me arsyetimin se raporti po i poshtëron dhe paraqet serbët e Kosovës si  hajna dhe keqpërdorues të mjeteve të buxhetit të Serbisë. Dhe vërtetë, raporti ka përmendur me emër e mbiemër shumë kepërdorues dhe fajtorë tjerë të keqpërdorimit të mjeteve të investuara, jo vetëm nga radhët e serbëve të Kosovës, por edhe përgjegjës të qeverisë së Serbisë, dhe ka rekomanduar ndërmarrjen e hetimeve dhe masave ligjore kundër keqpëdoruesve.

Në raportin e Këshillit Anketues, është vërtetuar se në periudhën e viteteve 2000 deri 2012, nga buxheti i Republikës së Serbisë janë investuar në Kosovë 229.402.814.198,00 dinarë, apo 2.834.887,345,14 euro. Ato mjete janë ndarë:

-për sanimin e pasojave të termetit që ndodhi në Anamoravën e Gjilanit (14 prill 2002),

-për blerjen ose ndërtimin e shtëpive dhe banesave për kuadro dhe për të shpërngulurit intern në rrethin e Mitrovicës,

-për ndërtimin e objekteve të infrastrukturës,

-për ndërtimin e objekteve për kthimin e qëndrueshëm të personave të shpërngulur,

– për veprimtaritë publike: arsim, shëndetësi, kulturë, vetëqeverisje lokale dhe ndërmarrjet publike.

Mjetet buxhetore të investuara në Kosovë kanë shkuar përmes  ministrive të caktuara, përmes fondeve dhe përmes  Qendrës Koordinuese për “Kosovë e Metohi”. Në të gjitha linjat e shpenzimit të mjeteve janë konstatuar  paligjshmëri dhe keqpërdorime  të mëdha në forma e mënyra të ndryshme dhe në shuma të mëdha. Përgjithësisht llogaritet se janë keqpërdorur më se 300.000.000,00 euro, në lëmi, në projekte dhe në objekte të ndryshme. Raporti ka precizuar shumat e mjeteteve të keqpërdorura në të gjitha veprimtaritë dhe në të gjitha projektet dhe objektet për të cilat janë ndarë mjete. Ato keqpërdorime janë bërë në mënyra të ndryshme. Bie fjala, nga mjetet për sanimin e pasojave të termetit në Anamoravë, u janë ndërtuar shtëpi (edhe) personave në vendbanime të pa goditura nga termeti, apo personave të cilët nuk jetojnë fare në Kosovë. Është abuzuar me kategorizimin e shkallës së dëmtimit të objekteve, me çmimet fiktive për material ndërtimor, me rritjen e çmimit të ndërtimit për meter katror. Nga 200 familje të goditura nga termeti, është rritur numri në 1900 i shtëpive për rekonstruim dhe ndërtim të ri të objekteve.

Për blerjen, ndërtimin,  rikonstruimin  dhe adaptimin e shtëpive dhe banesave në Mitrovicë, për të shpërngulurit intern janë shpenzuar 370.426.224,00 (rreth 15 milionë euro), duke keqpërdorur në mënyra të ndryshme: përmes ndërmjetësimit në shitblerje (prej shqiptarëve), në rritjen e çmimit për meter katror; 16 shtëpi  të blera as që kanë ekzistuar në terren, ndërsa për 5 lamela, me 80 banesa, ësht[ shtruar vetëm pllaka e themelit, që tash iu shërben fëmijëve për të lozur fotball!

Keqpërdorimet më të mëdha janë bërë në lëmin e shëndetësisë, arsimit dhe pushtetit lokal. Në shëndetësi kanë marrë paga të dyfishta, edhe nga  buxheti i Serbisë, paga  me shtesën për Kosovë, edhe nga buxheti i Kosovës. Madje, 727 punëtorë shëndetësorë që nuk kanë punuar në Kosovë, por në Serbi, kanë marrë pagat e rritura me shtesën për Kosovë. Kishte 1288 punëtorë shëndetësorë në Kosovë të paangazhuar në punë, që merrnin paga minimale (11.083,00 dinarë në muaj), nga ana tjetër punësoheshin të tjerë, qoftë në bazë të mitos, apo sipas parimit: “Ti mua, unë ty”. Më se 112 punëtorë shëndetësorë, me në krye dr Stojan Sekuliq, punonin në dy-tre vende pune: në Qendrën Mjekësore dhe në Fakultetin e Mjekësisë në Mitrovicë, merrni nga dy-tri paga, me shtesën për Kosovë, iu paguheshin kontributet për sigurim pensional  nga dy institucionet, e kur kanë dalur në pension, kontributet e njenit burim i kanë marrë të gatshme, përnjëherë! Në Qendrën Mjekësore në Mitrovicë,në periudhën 2009-2013, janë punësuar 157 punëtorë, të cilët kurrë nuk kanë punuar në  shëndetësi (ata mund të jenë caktuara në detyra të ndryshme ilegale e kriminale, si roja të urës, barrikadistë, e çka jot jetër, v.j.). Në Shtëpinë e Shëndetit në Graçanicë, ku Rada Trajkoviq ishte u.d. së drejtorit, janë keqpërdorur 2.045.680,00 dinarë, për punët e mikrobiologjisë, dhe 21.309.544,26 dinarë të dedikuara për paga nënave në pushm të lindjes.  Në shëndetësi janë keqpërdorë mjete në bazë të rritjes së çmimeve të barnave dhe materialeve. Këshlli Anketues ka konstatuar dhe evidentuar keqpërdorim të mjeteve në të gjitha institucionet shëndetësore serbe, të cilat janë financuar edhe nga buxheti i Serbisë edhe nga ai i Kosovës.

Edhe në lëmin e arsimit janë keqpërdorë mjete të shumta të destinuara për  ndërtim, adaptim, pajisje, paga. Përveç shkollimit të lartë, edukimi parashkollor dhe arsimi fillor dhe i mesëm është financuar edhe nga buxheti i Serbisë edhe nga buxheti i Kosovës, ndërsa për ndërtimin, adaptimin dhe pajisjet, mjete të shumta kanë dhënë edhe fondacione e donatorë  të vendeve të ndryshme dhe aso ndërkombëtare. Poashtu, keqpërdorim të mjeteve ka pasur në ndërtimin e infrastrukturës: rrugë, kanalizime, ura, mbikalime, etj, pastaj në 14  institucione të kulturës, të cilat tash e kanë selinë në Serbi, dhe kanë vetëm nga një drejtor, janë shpenzuar mjete të konsiderueshme pa kryer kurrëfar funksioni as veprimtarie. Në vetëqeverisjen lokale janë financuar organet e përkohëshme ekzekutive, fiktive, edhe për ato komuna ku nuk ka asnjë serb, si psh.në Kaçanik, Skënderaj, Gllogovc, Suharekë, Deçan, Shtimje, ndërsa evidentohen nga 6 të punësuar në to dhe marrin paga me shtesën për Kosovë!

Nga keqpërdorimi i mjeteve të investuara, qoftë nga buxheti i Serbisë apo ai i Kosovës, janë financuar veprimtari ilegale e kriminale të strukturave banditeske serbe të cilat kanë vepruar dhe veprojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, por edhe në enklaavat dhe në kishat e manastiret në pjesët e tjera të Kosovës; janë pasuruar një numër i caktuar i njerëzve, të cilët tash zhvillojnë biznese dhe contrabandë, qoftë në kufirin Kosovë-Serbi, apo brenda Kosovës dhe brenda Serbisë. Ato banda kriminale e ata “plaçkitës patriotë” sot udhëheqin politikën destruktive e kriminale të serbëve të Kosovës, në bashkëveprim me strukturat shtetërore të Serbisë, e kundër Kosovës. Keqpërdorimi i gjithë atyre mjeteve nuk ka mund të bëhet pa dijen dhe pjesëmarrjen edhe të profileve të larta nga strukturat e shtetit të Serbisë, dhe natyrisht se në tërë atë masë, mund të ketë  marrë pjesë edhe ndonjë shqiptar i prirur për kontrabandë dhe krim të organizuar.

____

*)Kursi mesatar i dinarit ndaj gjatë periudhës raportuese ka pasur ndryshme, por jo aq të mëdha: 2014,  1 euro= 117 dinarë; 2015,  1: 120,73; 2015 = 1:123, 12; 2016 = 1:123,12; 2017 = 120,5; 2018=1;119, dhe 2019=1:118 din.).

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …