Përpjekjet këmbëngulëse të pozitës, pastaj shefit të BE-së, Zhbogar, ambasadorit të Amerikës, Delawie, ambasadorit anglez, O’Conelli e të tjerë, për zgjedhjen e Hashim Thaçit në postin e kryetarit të Kosovës, po e përshkallëzojnë situatën politike dhe të sigurisë në vend. Thaçi e ka përkrahjen e “partnerëve” ndërkombëtarë, ndoshta shumë më tepër për shkak të bashkëpunimit me Serbinë, në Bruksel, që konsiderohet si hap drejt normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, pavarësisht se Kosova në këto bisedime e marrëveshje ka humbur dhe po humb territore dhe sovranitet. Thaçi nuk e ka përkrahjen e shumicës në vend, nuk e ka madje as përkrahjen e partnerit bashkë-qeverisës, nuk e ka përkrahjen mbarë popullore për të qenë një kryetar konsesual, edhe pse të tillë nuk kemi pasur asnjëherë.
Këmbëngulja e pozitës për ta emëruar Hashim Thaçin në postin e Kryetarit të Kosovës, në kohën e acarimit ekstrem të marrëdhënieve të Qeverisë me Opozitën, në kohën e protestave masive dhe tani protestave ditë e natë para Qeverisë e Kuvendit, është hapi më i pamatur dhe më i rrezikshëm që është ndërmarrë ndonjëherë në vendin tonë. Në një situatë të tillë, dikush, me apo pa vetëdije po hedh benzol në zjarr, në vend se të hedh ujë. Kjo situatë, në një shtet të pa konsoliduar sikur është Kosova mund të jetë fatale dhe fajtori për krejt çka mund të ndodh do t’ i faturohet pikërisht koalicionit qeveritar, por edhe atyre që me këmbëngulje po e përkrahin një kandidat që, pavarësisht meritave që mund të ketë, pavarësisht përkrahjes së një pjese të elektoratit, është politikan shumë kontrovers, inatzi, hakmarrës, cinik dhe krejtësisht i papërshtatshëm për të qenë, sikur thuhet, “figurë unifikuese”.
Këto përpjekje të koalicionit qeverisës për ta emëruar me çdo kusht Thaçin në postin e të parit të Shtetit, madje edhe me një çmim të kacafytjes dhe revoltave të pakontrolluara, të cilat mund të rezultojnë me shpërthime të papritura, janë përpjekje që nuk mund të garantojnë paqe e siguri në vend. Nëse dikush mendon se me ndihmën e Policisë, EULEX-it dhe KFOR-it mund ta nënshtrojë vullnetin e shumicës së popullit dhe jo vetëm të opozitës, atëherë kot flasim për institucione të lira, demokratike e dokërra si këto. Përjashtimi i opozitës nga Kuvendi, nxjerrja e deputetëve nga salla me ndërhyrje policore, arrestimi dhe dënimi i shumicës së deputetëve të opozitës dhe i qindra aktivistëve, prania e shtuar e policisë kudo në institucione janë indikatorë të mjaftueshëm për të konkluduar se këtu po instalohet një pushtet autarkik, policor, në esencë njëpartiak për nga mendësia e qeverisjes dhe me prejardhje e përmbajtje nga ish-nomenklatura komuniste jugosllave. Rikthimi në pushtet dhe në postet më me rëndësi të Shtetit i ish-kuadrove antikombëtare, me prejardhje politike e ideologjike nga ish regjimi titist-milosheviqian, jo vetëm që nuk krijon asnjë bazë elementare për paqe, zhvillim e prosperitet, por minon të gjitha të arriturat e vendit dhe çlirimit nga vargonjtë e robërisë, e cila u arrit falë gjakut të derdhur për liri dhe luftës shekullore kundër okupimit. Po shihet se dikujt gjakimi për pushtet ia ka verbuar sytë dhe pasojat, në rastet si këto, dihet se ku e katandisin vendin, por edhe ata që duan ta zaptojnë dhe ta mbajnë pushtetin me çdo kusht.
Pushteti nuk merret me forcë, thonë ata, por me votë. Dhe kur merret me votë, atëherë qeverisja u dashka të mbrohet me çdo kusht dhe me çdo çmim, pavarësisht keqqeverisjes, korrupsionit dhe sjelljes së vendit buzë greminës. Qeveria dhe institucionet e Shtetit nuk kanë mandat fiktiv të domosdoshëm, 4-vjeçar, nëse gjatë mandatit shkelet Kushtetuta, shkelet sovraniteti i vendit, shkelen ligjet që i ka miratuar vetë Kuvendi. Në raste të tilla kudo në botën demokratike kërkohet dorëheqja e Qeverisë dhe kudo në botën demokratike bien qeveritë e korruptuara. Nëse nuk bien, nëse nuk tërhiqen, por mbahen në pushtet me anën e policisë dhe mbështetjes së politikave të caktuara ndërkombëtare, atëherë lindin fenomene autokrate dhe diktatoriale si Idi Amini, Bashar Assadi, e të tjerë si këta. Të tillët nuk i duhen Kosovës. Sa më parë të t’ i thërrasin arsyes dhe ta kuptojnë këtë, do të jetë aq më mirë për ata dhe për të gjithë ne.
Është koha për reflektim realist dhe jo për trashje të inateve, armiqësive dhe mujsharisë së egër e primitive të klaneve e bajraqeve feudale.