Aktiviteti gjurmues e hulumtues që ka zhvilluar dhe po zhvillon Radio-Kosova e Lirë dhe luftëtarët e lirisë në diskreditimin e politikave poltrone, antikombëtare, është thelluar sidomos në gjurmimin dhe zbulimin e fakteve e argumenteve që hedhin dritë mbi aktivitetin e komunistëve shqiptarë e shqipfolës, kundër kërkesës për Kosovën Republikë dhe kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Duke qenë se recidivet e asaj politike, sot në kushte dhe rrethana të reja po mbrohen nga bijtë e bijat e atyre komunistëve, shumica syresh tashmë të vdekur, apo të tillë që janë buzë varrit, duke qenë se liria e Kosovës po rrezikohet nga mendjet e tilla retrograde dhe nga bashkëpunimi që ata kanë pasur dhe kanë me shërbimet sekrete serbe, duke qenë se të tillët, jo vetëm që nuk janë ndëshkuar për veprat e tyre të liga kundër kombit e Atdheut, por janë rikthyer në punë e aktivitete në të gjitha institucionet e vendit, është e rrugës, që të paktën, me gjuhën e fakteve, me dokumente e argumente të kohës, me gojën e vetë, të dalin në dritë të vërtetat, jo për të diskredituar familjet e tyre, por ata vetë, pse jo edhe familjet që nuk kanë bërë “diferencim politik” ashtu sikur kanë bërë baballarët e tyre kundër bashkëkombësve prej vitit 1945 e deri në qershor të vitit 1999.
Liria dhe pavarësia e Kosovës ka nevojë të lahet e të lustrohet nga idiotizmi dhe kolaboracionizmi i së kaluarës, ka nevojë të pastrohet dhe të dihet mirë kush ka bashkëpunuar dhe kush ka denoncuar, kush ka vrarë demonstrues, kush i ka rrahur dhe i maltretuar ata, kush i ka shantazhuar, diferencuar e izoluar familjet e tyre.
Adresa e Radios-Kosova e Lirë është e hapur për të gjithë ata që ofrojnë fakte e argumente të shkruara, por edhe gojore e argumente të tjera me qëllim për ta denoncuar politikën antikombëtare dhe antishqiptarë të komunistëve jugosllavë.
Në këtë faqe interneti, do të afishojmë të gjitha materialet, faksimilet, shkrimet e kohës, denoncimet verbale dhe të gjitha faktet e argumentet e tjera relevante që hedhin dritë mbi të vërtetën, me qëllim për të mos e harruar të kaluarën nga e cila kemi ardhur në të sotmen në rrugë drejt së ardhmes.
Lufta e komunistëve të Lypjanit me rrethinë kundër demonstratave dhe revoltave të vitit 1981
Çka hedhin në dritë “Proces-verbalet nga mbledhjet e Kryesisë së Konferencave komunale të Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Lypjanit” prej vitit 1981 deri ne vitin 1990?
Në proces-verbalet e mbledhjeve të komunistëve të Kosovës, të cilat i ka siguruar RKL, ruhen dëshmitë faktike, argumentet shkrimore, ku janë shënuar bisedimet që janë zhvilluar gjatë “Mbledhjeve të Komitetit” sikur thuhej shkurt, duke nënkuptuar mbledhjet e Kryesisë së Konferencave komunale të Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës.
Këto procesverbale janë lënda e këtij fejtoni të gjatë, që ka për qëllim zbardhjen e fakteve dhe argumenteve të shumta lidhur me veprimtarinë antishqiptare të regjimit komunist jugosllav, veçmas pas demonstratave të Marsit e Prillit të vitit 1981, kur e tërë Jugosllavia, të gjitha institucionet e saj kishin ndërmarrë aksionin e përgjithshëm për dënimin dhe diskreditimin e kërkesës së shqiptarëve liridashës të vendit lidhur me avansimin e pozitës kushtetuese të Kosovës.
Në fushatën e ashpër dhe diskredituese kundër kërkesës për Kosovën-Republikë, ishin inkuadruar po thuajse të gjithë shqiptarët që i shërbenin pushtetit, që gëzonin favore të caktuara dhe të cilët në pikëpamje ideologjike kishin pranuar Jugosllavinë si shtet të tyre, kishin pranuar të ashtuquajturin bashkim vëllazërim të shqiptarëve me kombet dhe kombësitë e Jugosllavisë dhe ishin deklaruar haptas kundër krijimit të Republikës së Kosovës dhe kundër bashkimit të saj me Shqipërinë.
Pas leximit të këtyre procesverbaleve të shkruara nga procesmbajtësit e caktuar, kryesisht të shkruara në gjuhën serbe, por edhe në gjuhën shqipe, vërehet lufta e ashpër ideopolitike që bënte kreu i RSFJ-së, sikur thuhej në shkatërrimin e “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar’, si dhe lufta ideologjike e subversive kundër Republikës së Shqipërisë, e cila ishte akuzuar se qëndronte prapa programit të demonstruesve dhe kërkesës për Kosovën Republikë, ku do të bënin pjesë të gjithë shqiptarët e trojeve të robëruara.
Diferencimi ideo-politik në mesin e shqiptarëve, i udhëhequr nga kreu komunist i Jugosllavisë kishte për qëllim që luftën kundër shqiptarëve liridashës ta bënin vetë shqiptarët, por duke u mbështetur në programin e platformës jugosllave, e cila kishte për qëllim ta shfrytëzonte momentin historik për fillimin e fushatës strategjike, afatgjate në reduktimin e Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974 dhe më në fund edhe pezullimin e saj të plotë, sikur ndodhi në mars të vitit 1989.
Lidhja Komuniste, Lidhja Socialiste, Lidhja e Rinisë, Lidhja e Gruas, konferencat aksionale, aktivitete në Bashkësi Lokale, në shkolla e në fakultete, në Fabrika dhe në organizatat e punës ishin përqendruar në luftë të ashpër ideologjike kundër kërkesave për krijimin e Republikës së Kosovës.
Në këtë luftë, jo vetëm ideologjike, por në esencë një luftë e pa kompromis dhe tërësisht antishqiptare, ishin inkuadruar të gjithë komunistët në nivel jugosllav, por edhe komunistët e Kosovës, të cilët ishin gjendur krejtësisht të befasuar dhe asnjëri prej tyre nuk kishte marrë një pozicion të qartë, mbrojtës, në interes të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Komunistët shqiptarë, dashur pa dashur mendonin se duhej ta mbështetnin “komitetin” ose të diferencoheshin, të përjashtoheshin nga partia. Dokumentet e kohës, shkrimet, materialet nga mbledhjet, prononcimet dhe deklarimet e tyre, me përjashtime të rralla, mbështesnin kreun politik të RSFJ-së. Pavarësisht nga mbështetja unanime, gjatë shkoqitjes së platformës në terren dhe të ballafaquar me realitetin një pjesë e komunistëve shqiptarë me kohë kishte vërejtur se Demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, komunistëve të Serbisë po iu shërbente si pretekst për një luftë të pa kompromis kundër autonomisë së Kosovës, mirëpo komunistët shqiptarë nuk u treguan unikë në mbrojtjen as edhe te asaj autonomie, të cilën e kishin shfrytëzuar vetëm për qëllime të veta karrieriste për një kohë të gjatë.
Duke qenë se disponojmë tërë materialin faktografik lidhur me rrjedhat politike në komunën e Lypjanit ( edhe të disa komunave të tjera) prej vitit 1981 e deri në vitin 1991, pas analizës së tërë kësaj faktografie, kemi ardhur në përfundim se brenda komunistëve të kësaj komune ishte fuqizuar krahu pro-jugosllav, i cili përbëhej nga militantët partiakë shqiptarë serbë e malazezë si: Tefik Llugiqi, Metush Ballabani, Faik Dedushi, Muhamet Shabani, Pera Jakshiqi, Tomo Sekuliqi, Milosh Zhoriqi, Millan Sharenac e të tjerë. Përderisa komunistët serbë ishin unikë dhe të gjithë, pa përjashtim, synonin ta thellonin luftën kundër shqiptarëve, sidomos në institucione, madje duke i akuzuar se ata vetë qëndronin prapa demonstruesve, komunistët shqiptarë, të komunës së Lypjanit, nuk ishin unikë në qëndrime dhe përgjithësisht, madje në disa raste edhe verbërisht u shërbenin komunistëve serbë dhe programit të RSFJ-së. Nga ky mes kishte edhe komunistë që konsideroheshin si oportunistë, dhe që akuzoheshin se po bënin përpjekje ta minimizonin aktivitetin e rinisë studentore dhe kërkesat për barazi e vetëvendosje.
Pas analizës së hollësishme që i kam bërë kësaj lënde me vite të tëra, kam arritur në përfundim se edhe në komunën e Lypjanit, ku bënin pjesë edhe disa fshatra të Drenicës, të ndara nga kompaktësia etnike e kësaj pjese të Kosovës, për qëllime që dihen, kishte disa komunistë të cilët bënin përpjekje të ruanin, aq sa mund të ruhej, por gjithnjë duke u mbrojtur dhe asnjëherë duke kritikuar represionin, dhunën e milicisë kundër demonstruesve, dënimet e rënda deri në 20 vjet burg, që iu shqiptoheshin studentëve dhe intelektualëve liridashës shqiptarë.
Në mesin e komunistëve, të cilët bënë sado pak përpjekje për ta fshehur dhe për ta minimizuar ndonjë paraqitje publike të grupeve ilegale bien në sy komunistët si: Fehmi Jupa, Hasan Lekiqi, Abdurrahman Konjufca e ndonjë komunist tjetër, që nuk qonte peshë.
Për dallim nga Ferizaj ku klasa autonomiste ishte shumë e fuqishme, madje në disa raste edhe me oportunizëm dhe kundërvënie sidomos nga Zenun Beqa, dhe përkrahësit e tij, komunistët shqiptarë të Lypjanit, qysh në fillim iu nënshtruan politikës diskredituese të Beogradit, edhe për faktin se në radhët e veta ishte një grup militantësh projugosllavë, të cilët edhe në mbledhjet e partisë kurrë nuk ishin dëgjuar të flisnin në gjuhën shqipe, edhe pse këtë e garantonte Kushtetuta e Kosovës, por edhe ajo e Jugosllavisë.
Për dallim nga rrethet e tjera ku mbledhjet janë mbajtur në gjuhën shqipe dhe serbe, në komunën e Lypjanit, mbledhjet janë mbajtur fillimisht në gjuhën serbe me ndonjë diskutim edhe në gjuhën shqipe, ndërsa katërshi famoz: Tefik Llugiqi, Metush Ballabani, Faik Dedushi, Muhamet Shabani, as edhe në një rast të vetëm gjatë afro 10 viteve nuk kishin folur shqip në aktivet dhe në mbledhjet e kryesisë. Kjo shihet më së miri nga proces-verbalet, ku proces-mbajtësi ka shënuar fjalët e secilit veç e veç. Ky pretendim për t’u treguar besnikërinë e verbër dhe uloke, vetvetiu kishte diferencuar edhe qëndrimet e tyre, jo vetëm për t’ u treguar sa më shumë besnikë, por edhe për ta përfaqësuar sa më mirë vijën militante të partisë në luftë kundër irredentizmit shqiptar, kundër barazisë së Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë. Dhe diferencimi ideo-politik kishte shkuar aq larg sa edhe fjalimet në gjuhën shqipe konsideroheshin irredentiste. Në një mbledhje diferencuese, komunisti pro serb, i cili aktualisht jeton në Beograd, Tefik Llugiqi nuk kishte lejuar nënshkrimin e konkluzave, vetëm sepse ato ishin shkruar në gjuhën shqipe.
Në mesin e komunistëve të Lypjanit në vitet 80 dallojmë edhe një specifikë shumë interesante, jo edhe aq karakteristike për tërë vendin. Aty kishte komunistë që në përpjekje për ta treguar besnikërinë e tyre uloke, i vërsuleshin njëri tjetrit, sikur ishte rasti i Tefik Llugiqit, i cili ishte i pa kompromis si kundër nacionalistëve, por edhe kundër komunistëve, që merrnin guxim të flisnin nëpër mbledhje në gjuhën shqipe, sepse edhe fjalimet e shokëve të tyre në këtë gjuhë i pengonin. Ai asnjëherë dhe në asnjë rast nuk i kishte kritikuar as kishte marrë qëndrim kundër atyre që flisnin serbisht, ose që ishin serbë. Fjalimet e tij në mbledhje përshkruhen me një gjuhë kërcënuese, diskredituese, me një fjalor rrugësh me një prepotencë vulgare, ngjashëm me dialogjet e kozakut rus, Mishka Koshevoi në romanin “Doni i qetë” të Mihail Shollohovit. E njëjta nuk mund të thuhet për asnjë komunist tjetër, të paktën jo për nga paraqitja vulgare dhe uloke, përveç disa agjentëve të UDB-së, të cilët brohorisnin dhe shanin nëpër mitingje nacionalistët shqiptarë me emër e mbiemër madje edhe Shqipërinë dhe Enver Hoxhën.
Në një shkresë zyrtare të Organizatës bazë të LSPPJ-së të datës 6. mars 1986, me titull: “propozimi për anëtarët e Komitetit të Lidhjes së Komunistëve në Lypjan”, janë radhitur emrat e të propozuarve për funksione në Kosovë, Serbi dhe në Federatë. Në një rekapitullim të këtij dokumenti jepen të dhëna për anëtarësinë e komunistëve në këtë qytet të Kosovës. Lypjani kishte në evidencë 2988 anëtarë aktivë. Prej tyre 1951 ishin komunistë shqiptarë ndërsa 876 ishin serbë dhe 85 malazez, 47 kroatë, 15 romë dhe 9 të padeklaruar në pikëpamje kombëtare. Komiteti komunal kishte 43 anëtarë të zgjedhur nga të cilët 28 ishin shqiptarë 13 serbë dhe 2 të tjerë.
Kjo strukturë organizative kishte celulat e veta të organizimit në çdo lagje të qytetit në të gjitha fshatrat dhe lagjet. Përfaqësimi i komunistëve në pikëpamje kombëtare në rrethin e Lypjnait, në vitin 1986 dominohej nga serbët, më shumë se një të tretën edhe psenë numrin e përgjithshëm të popullatës, ata nuk përbënin me shumë se 20 për qind. Ndërsa pakica malazeze në krahasim me numrin kishte shkallën më të lartë të përfaqësimit. Me 1 për qind pjesëtarë të popullatës, ajo përfaqësohej me 5 për qind në strukturat politike, disa herë më tepër sesa popullata kroate. Të saktësojmë me këtë rast se malazezët në Kosovë janë kolonë, ashtu sikur edhe shumica e serbëve, ndërsa popullata e vjetër sllave-serbe e cila zakonisht quhet “raja” në komunën e Lypjanit ka qenë e pranishme qysh nga koha e Mesjetës, jo vetëm në Lypjan por edhe në disa fshatra të pastra etnike serbe të këtij lokalitet të dikurshëm ilir-romak.