Në dy dhjetëvjetëshit e parë, e veçmas në të dytin e shekullit XXI bisedohet shumë për ndryshim në qeverisjen e vendit, e ndryshimi aq i dëshiruar nuk po ndodh.
Nëse bëjmë një krahasim në mes angazhimeve për ndryshim në gjysmën e dytë të shekullit XX, me dy dekadat e shekullit XXI, ka dallime të mëdha dhe substanciale. Dallime ka shumë, por në këtë rast do të flas vetëm për dallimet në shkallën e rrezikshmërisë.
Çfarë dallime kishte gjatë gjysmës së dytë të shek. XX dhe dy dekadave të fundit, njëra menjëherë pas fitores historike për çlirim nga Jugosllavia e mbetur, respektivisht Serbia, dhe një dekadë pas shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008?
Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, angazhimi për çlirim e bashkim kombëtar shkallën e rrezikshmërisë e kishte të lartë. Të priste vrasja dhe depërtimi i tërë familjes, burgosja dhe dënimi me vdekje, dënim e burgim të përjetshëm, në rastin më të butë, me dhjetëra vite burgu si dhe shumë pasoja të tjera edhe në pasardhës. Gjatë asaj periudhe kombi ynë mbajti mbi 600 shekuj në burgjet jugosllave, vetëm nga Pranvera Shqiptare, intelektualët dhe rinia shqiptare mbajtën mbi 250 shekuj jetë burgjesh. Shqiptarët gjatë atyre viteve, përfshirë edhe luftën e fundit, patën mbi 80.000 të vrarë, mbi 20.000 dhunime e më tepër se një milion njerëz të shpërngulur nga trojet e tyre etnike. Për popullin tonë, që mbeti jashtë trojeve të tij me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913, këto shifra konfirmojnë se politikat serbe në Beograd kanë ushtruar krim dhe gjenocid me qëllim të shfarosjes se pjesërishme të shqiptarëve deri në shfarosje të tërësishme.
Përkundër këtyre politikave të krimit e të gjenocidit, që regjimet e Beogradit ndoqën në kontinuitet ndaj shqiptarëve etnik, këta të fundit përdorën çdo formë të luftës, aktive e pasive deri edhe luftën çlirimtare, por nuk hoqën dora nga e drejta e tyre për liri, çlirim e bashkim. Nga e drejta për ta ndryshuar pozitën e robërisë me të drejtën për liri e pavarësi. Ndryshimet progresive për zhvillim e përparim në jetën e asnjë kombi nuk kanë ndodhur vetvetiu, për ato ndryshime janë bërë shumë forma të organizimit e të veprimit, për disa të tilla u fol më lart.
Për dallim nga ajo që u tha më lart, në liri e demokraci shfaqet autoritarizmi, krimi e korrupsioni nga njerëzit që në pozita vendimmarrëse, si të pushteti qendror, si të atij lokal, kanë ardhur me votën e lirë të qytetarëve.
Për të ndodhur ndryshime sot në Kosovë, nuk ka nevojë për format e angazhimeve e të sakrificave që u përmendën më lart, statistika këto vërtet rrëqethëse, por lypset ndërgjegjësimi i qytetarëve votues për t’i ndëshkuar politikat autoritare, për t’i ndëshkuar me votë të korruptuarit, mashtruesit dhe trafikantët e votave – trafikantët politikë– të cilët për para e interesa krejt personale i ndërrojnë partitë si faculeta letre tualeti, siç ka ndodhur jo pak me deputetë e ministra, gjë që i kemi parë sa e sa herë deri më tani. Ata që lirinë e pavarësinë e kanë sjellë në këtë derexhe duke mashtruar, duke blerë e duke vjedhur vullnetin qytetar, qoftë në emër të Luftës Çlirimtare apo rezistencës pasive, nuk mund të ndërtohet shteti i së drejtës. Ecja në rrugën e deritashme, pas partive apo me partitë e proklamuara si të djathta, destinacion tjetër ky vend e komb nuk ka, përveç këtij që e kemi parë dhe po e njohim gjatë dy dekadave të fundit.
Pra, ndryshimi është në duart e qytetarëve votues, të atyre qytetarëve që e dinë peshën e votës së tyre dhe fuqinë e saj për ndryshim. Dhe kjo nuk është vështirë të arrihet, por duhet ditur disa gjëra. Atyre që kanë mashtruar gjatë viteve të shkuara, kurrë më votën! Atyre që ua kanë shitur votën, të mos ua shesin më sepse me atë veprim kanë shitur dhe shesin të ardhmen e tyre e të fëmijëve të tyre.
Atyre që ua kanë vjedhur votën mos t’ua lejojnë më vjedhësve këtë dukuri të shëmtuar, por ta ruajnë votën e tyre të shenjtë si sytë e ballit. Kush ishin këta vjedhës apo përfitues? Disa “komandantë”, që thirren në luftë e gjak dëshmorësh, larg apo afër tyre, apo disa paqësorë që thirren në “akademikë” e “akademi” politike, që thirren në ideologji të djathta e grabiten djathtas e majtas! Të tillët duhet dërguar me votën qytetare në muzeun e vjetërsirave. Ndëshkimi me votë i atyre që gjatë gjithë këtyre viteve të qeverisjeve na dhuruan perspektivën e ikjes, është dënimi më meritor, më i shpejtë dhe më efikas. Është, pra, përfundimisht dënimi i duhur!
Ky ndryshim bëhet vetëm me votën e përgjegjshme të qytetarëve, duke krijuar të gjitha mundësitë e domosdoshme dhe më se të nevojshme për ndërtimin e shtetit të se drejtës. Vetëm në shtetin e së drejtës institucionet kushtetuese i kryejnë funksionet e tyre ligjore.
Kjo nuk do të ndodhë pa u bërë hapi i parë, i shumëpritur për perspektivën e vendit – ndryshimi i përfaqësuesve dhe i qeveritarëve me votën e lirë të qytetarëve!
Bashkimi i qytetarëve me të majtën progresive – NISMËN Socialdemokrate e cila me vendosmëri është shkëputur nga autoritarizmi i cili i ka krijuar probleme të mëdha shtetit e kombit. NISMA SOCIALDEMOKRATE E KOSOVES është shpresa e mbetur e ndryshimit në Republikën e Kosovës!
Së këndejmi, ndryshimi në këto hapësira kurrë nuk ka qenë më i lehtë!