Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, i cili largohet nga ky post në muajin shtator, Ruairi O’Connell, i ka reaguar ashpër ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, me të cilën u takua sot. Përkundër që ajo tha të kenë biseduar rreth Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, O’Connell e ka mohuar një gjë të tillë. “E vetmja gjë që nuk do të më mungojë në Kosovë është praktika joprofesionale dhe jo miqësore e politikanëve të Kosovës që flasin prej pozicionit tim. Takova sot Ministren e Integrimeve Evropiane, e cila është një mike e vjetër. Pas takimit, Ministria e saj lëshoi një deklaratë për media duke dhënë qëndrimet e mia. Kjo s’u dakordua me Ambasadën time. Në fakt, unë nuk ofrova ndonjë mendim për zbatimin e MSA-së në Kosovë. As nuk e diskutuam atë”, ka shkruar O’Connell.
