Prof. dr. Hakif Bajrami: Fazli Graiçevci ishte ushtari i parë i Adem Demaçit, i vrarë mizorisht nga UDB-ja jugosllave I

Prof. dr. Hakif Bajrami: Fazli Graiçevci ishte ushtari i parë i Adem Demaçit, i vrarë mizorisht nga UDB-ja jugosllave I

Kisha mësuar kur isha nxënës i gjimnazit nga Ramadan Barjshori, që ishte infermier në spitalin e Prishtinës se “ një djal të ri që quhej FAZLI GREIQEFCI, i kishin mbytë udbashët në burg. Madje Ramadan Brajshori më tregoi hapur se DR. Ali SOKOLI, nuk e kishte nënshkruar se Fazli Greiqefci  ka vdekur nga TBC-ja. Ky tregim ishte sa trishtues, aq edhe i dhimbshëm, ndjesor dhe nxitëse emocione të natyrës morale. Shkurt, të vinte një ndjenjë ta vuash mënyrën e mbytjes si të ishte ajo pjesë,e trupit tënd. Po, në oden tonë, flitej hapur se vdekja në burg është ndërgjegje e vrarë. Ishte ai koncept sepse pesë kushërinjtë e Ramë Vllasës, ( kushëri-HB) pushteti i kishte mbytë në burgun e Mariborit, pesë ditë para se ta  mbarojnë dënimin, më 1938. Kjo bisedë bëhej edhe më e nxehtë kur në Kumanovë u mbytë më 1963 një ushtar nga Bellepoja e Llapit dhe arkivolin e tij nuk e lejuan ta hapin oficerët kriminelë. Kudo nëpër Kosovë ishte grumbulluar urrejtja deri në kupë, sepse vrasa të tilla ishin bërë dukuri. Prandaj pushteti urrehej në mënyra të ndryshme.

Pse po e them këtë?

Sepse në shkurt-mars 1921 Bozhidar Paunoviqi me bandat e tij i ndihmuar nga ushtria dhe xhandarmeria do t` i bëjnë shkrumb e hi 14 fshatra shqiptare. Ky kriminel vetëm në Sharban do të i hedhë në zjarr dhe therë me thika pushke 51 anëtarë të Familjes Braishori, të gjithë civilë: fëmijë, gra, pleq dhe plaka. Ky kriminel më 1938 do t` ia grabitë atin Bajram Ajvazit (humanistë dhe donator për arsimim të shqiptarëve). Me atë at, do të përpiqet më 6 maj 1941 ta kalojë kufirin në lokalitetin Shamalluk. Aty krimineli Bozhidar do të bie në pritë të çetës së Mehmet Xhakës, të cilën e përbënin: Ukë Tovërlani, Rizah Kaçanolli, Ferat Nishefci, Iliaz Bajrami-Xhakja, Jonuz Shamalluku, Ajet Mirofci. I themi këto fakte sepse nipi i Bozhidarit i quajtur Udbashi Naranxhiq, do t` i torturojë deri në vdekje Fazli Greçefcin dhe Shaban Shalën më 1964. (Këtë fakt na e kanë rrëfyer më 1967: Shahin Braishori, Qerim Braishori, Ramadan Braishori, Naman Xhakja, Iliaz Xhakja, Jonuz Shamalluku; A. J. Fondi i “Millan Nediqit 1941-1944-Albanci Lapskog sreza 1941-1944). I thash këto fakte sepse pushteti i Kralit dhe i Titos nuk kishin fare dallime për kah trajtimi dhe qëndrimi ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Ato të drejta që i fituan shqiptarët në Jugosllavinë e pas luftës së Dytë botërore, ishin të kohës dhe të pashmangshme sepse kishin ndryshuar NE.

Kështu , fjala vdekje në burg më nxitëse në çdo hap pastaj në mendime që një ditë për atë vdekje të hakmerrem!. Po si të hakmerrem si fëmijë, madje i varfër, madje i ndrydhur në çdo hap sepse në shkollë 80% të lëndëve mësimore i dëgjoja në serbishte. Lidhur me këtë kisha ngulitur mendjen që të hakmerresha ndaj njëfarë udbashi që quhej Novak Qejoviq, (kolonist në fshatin tim-HB) i cili na malltretonte familjarisht për çdo 3-4 muaj se: “kemi armë, se nuk e kemi larë tatimin, se kemi lidhje me Mehmet Xhakën në Shqipëri, se është ankuar Radisavi kolonist që e shfrytëzonte pronën tonë, se kemi prerë dru në mal të shtetit, se nuk i kemi paguar kullosat e njëqind të zeza tjera”. Dhe një ditë vendosa që ta shkruaj një vjershë “hakmarrëse” kundër atyre kriminelëve që dhunojnë popullin në burgje dhe jashtë tyre, sepse e tërë hapësira jetësore shqiptare ishte shndërruar në burg. Aq kisha mundësi të hakmerrem, për aq isha naiv se do të bëja diçka në ato rrethana të robërisë së thellë kombëtare. Dhe, Fazli Greiçefcin nuk e largoja nga mendja, nga ndërgjegjja. Më ishte bërë diagnozë e vuajtjes shpirtërore. Nuk e dija kah është, por e paramendoja si shqiptar i madh i shkollës Adem Demaçi, si ushtari i parë i tij, i vrarë mizorisht.

Motivet që më drejtuan ta hulumtojë vrasjen mizore të Fazli Greiçefcit

Po, kisha menduar që kundër Novak Qejoviqit të përdori edhe armen në stilin e Avni Rrustemit, për t` ia marrë hakun  vëllaut Fazli. Fazli Greçefcin nuk e njihja fare, as që e dija se kah është. Kështu mendoja, si fëmijë. Duke lexuar literaturë për atentatet, e kuptova se udbash të tillë ka plotë, ama hakmarrjen e rueja për primat të mendimit  sepse Novaku filloi një ditë ta malltretoi edhe Gjyshen (ditën e shtunë) kur prindërit dhe mixhallarët nuk ishin në shtëpi me këto fjalë: “Do t` i vras djemtë , po nuk e dorëzuat pushkën taliankë. Do t` i fus në burg të tre djemtë po nuk erdhën nesër hangari për të punuar në shtruarjen e rrugës në gurë për nevoja të kolonistëve”. E dija se kemi pushkë “italiane”, po nuk e dija kush është hafije . Dhe prapë mendoja se hafijet e kanë dekonspiruar Fazli Greçefcin; hafijet e kanë mbytë në burg pas shumë mundimeve sepse nuk i ka treguar shokët, nuk i ka zbuluar me çmimin e jetës. Këtu e fantazoja heroizmin , këtu e kuptoja se heroizmi do sakrifica dhe nuk duhet të dorëzohemi para shumë “novakëve” sllavë dhe shqipfolës. Nuk e dija se Fazli Greçefci ishte vet dorëzuar pa e zbuluar askush, me të vetmin argument se askush mos të mendojë se ai i ka zbuluar shokët. Këtë burrëri, sot e çmojë si një shkollë, që arrijnë ta bëjnë doktrinë vetëm heronjtë e vërtetë.

Lufta kur je i sinqertë bëhet edhe me ëndrra poetike

Shkrimet letrare në histori shumë herë kanë prodhuar ngjarje madhështore. Këtu po e bëjë një krahasim. Avni Rrustemi bëri atentat mbi tradhtarin vetëm pse ashtu ia thoshte shpirti, ia thoshte robëria dhe copëtimi i tokave shqiptare. Dhe, në gjykatore të Parisit, AVNIU u lirua vetëm pse e bëri atentatin mbi vrasësin e popullit me motive se ishte nxitur nga populli. Për ndryshe, AVNIU, si i njeh ligjet franceze të kohës, do të dënohej me vdekje. Këtë konstatim e thonë të gjithë historianët serioz që janë njëherit në “funksion” të prokurorit, avokatit dhe gjykatësit. Historiani pa këto tri aftësi nuk ka pse t` i hyjë asnjë shkrimi. Po e vërteta duhet të hulumtohet gjithmonë, duke sjellë prova të reja. Shkenca është shkencë, por kërkon risi, njomësi argumentesh të pakontestuara. Për këtë ideal, Fazli GREÇEFCI mbetet i vendosur dhe dorëzohet në pushtetin gjakatar edhe pse e dinte se çka e pret.

Prapë po kthehem te “mënyra” e hakmarrjes kundër xhelatëve që e kishin ndarë nga jeta edhe mësuesin patriot Shaban Shalën. E kishim menduar me disa nxënës që mbi varrin e heroit një ditë ta vejmë Flamurin kombëtar. Duke medituar, më erdhi ideja që ta shkruaj një vjershë që e trajton vdekjen mizore në burg. Sa naiv më dukej pas disa ditësh ai mendim “hakmarrës”. Po çka mund të bëja me një vjershë, madje kur nuk isha kurrfarë poeti. Po, isha nxënës i nderuar në gjimnaz. Atë e dija. Pasi që kisha menduar nja tre muaj, vendosa të shkruaj “poezi”. Unë poet, mendoja me vete, sepse nuk dija se si shkruhet poezia. Dhe ashtu me vështirësi doli kjo strofë që e kam ruajtur për kujtim nga viti 1964:

Ushtari i parë i lirisë

Një dritë fiket e njëqind ndizen,

Terri nuk sundon gjithmonë kur drita eklipsohet,

Liria nuk vonohet kur dielli duket,

Liria asht e ëmbël dhe mbetet gjithnjë e njomë,

Se Fazli Greiçefci nuk harrohet kurrë, ,

Vetëm Avni Rrustemët nxjerrin për Fazliun hak,

Sikur edhe njëqind xhelatë t` i vras, asht pak!

U  ndala dhe dy muaj nuk shkrova strofën tjetër, sepse kisha bindjen se nuk po bëjë asgjë. Ama mellanin e shpërtheva dhe frymoja më lehtë. Kur e fillova për ta shkruar strofën e dytë,befas me erdhi mendimi , çfarë naiviteti po tregoi. Po çfarë hakmarrje është vjersha , madje një vargim që nuk do të botohet e dëgjohet sepse nuk i besoja as hijes sime. Shoqëria (1963-4) ishte mbushë me hafije. Kush të kupton, mendova një ditë. Por hakmarrja në mendjen time nuk përjashtohej. Ajo ishte më e madhe se bjeshka. Pse? Më 1962 së bashku me dy shokë të klasës kishim qenë dëshmitar kundër një profesori që quhej Pertoviq Strahinja. E mbante lëndën e gjeografisë, pasi që Prof. Zeqir Bajrami nuk mund të vinte. Ky Strahinja nga Paraqini një ditë na ofendoi aq rëndë sa që nuk kishim rrugë tjetër vetëm ta largojmë fizikisht nga ora e mësimit. Po, ai na kishte thënë tekstualisht: “Ju duhet të mësoni në gjuhen serbishte, se kjo është gjuhë shtetërore. Nëse dëshironi shqip, shkonin në Shqipëri”. Dhe kundër tij kemi dëshmuar në Gjyqin e formuar enkas për këtë çështje. Dhe ne si rast unikët në Kosovë atëbotë, në saje të përkrahjes së Prof Shefki Sejdiut dhe Ramush Ramës, fituam. Profesori shovinist u përjashtua nga puna arsimore për një vit, por ma nuk erdhi të punoi në gjimnaz kurrë. Kujdestar klase atëbotë e kishim Prof Shefki Sejdiun, i vetmi profesor nga Llapi. Po, krenoheshim me te të gjithë nxënësit e gjeneratës së parë të gjimnazit të Besianës. E thash këtë detal, sepse neve na u rrit mendja se nuk duhet ta durojmë kurrë askënd, pa marrë para sysh çmimin. Robëria nxënë shtat dhe rëndon si plumbi, por liria nuk dhurohet, ajo fitohet vetëm me luftë, madje e ëmbël është kur fitohet me gjak heronjsh. E Fazli Greçefci, dhe Shaban Shala, për të cilët ëndërronim, filluan të na bëhen program si duhet të jetohet dhe si të arrihet deri te liria. Qe besa edhe arsimtarët nuk i kishim hiq më largë se ëndrrat tona rinore-Demaçiane.

Po si të merret haku për krimin monstruoz që kishin bërë udbashët mbi të burgosurin. Prapë, fillova ta shtroi pyetjen, sa Esat Pasha i ka Kosova?. Ka shumë, e mendoja pa pas argumente dhe nuk besoja. Po, mendoja, duhen pak plumba, shumë plumba , sepse shumë gjak gjakësori duhet derdhur e të merret haku. I rënduar në këto mendime , pasi që u bëra student, Ramadan Braishori (daja i babës) te i cili banoja i tregova për çështjen e vjershës “hakmarrëse”. Filloi të qeshë me shpirt. Vërtetë e ke menduar mirë hakmarrjen, më tha si në tallje. Ashtu mu duk, por JO. Me libra merret hakmarrja. Jo, dajo, hakmarrja ndaj tradhtarëve dhe xhelatëve merret vetëm me plumba në lule të ballit. Ma citoi një varg që e kisha dëgjuar nga Prof Shefqet Kelmendi në tetëvjeçare. “Amanet e kem prej të parit, brez pas brezi e djalë pas djalit, në lule të ballit me ra tradhtarit”. Më bindi Ramadan Baraishori. Po e them këtë sepse nga familja ime, Bozhidar Paunoviqi- Merdari në shkurt 1921, ashtu si vrasësit e Fazli Greçevcit i ka djegë në zjarr 51 anëtarë të familjes, prej tyre, 6 fëmijë nën dy vjeç, në djepa. Çka i thonë kësaj. Ka edhe më keq, ma preu Ramadan Barishori nga Sharbani. Po për këtë që të mundon ty, do t` i tregoi Dr. Ali SOKOLIT që nesër”,përfundoi daja talljen” e tij .

Pas një muaji

Pas një muaji në shtëpinë e Ramadan Barjshorit do të gjinden Dr Ali SOKOLI, Bajram PETROVCI, rëntgenolog, Shahin BILALLI, infermier, Ramadan BRAISHORI ndihmës infermieri dhe Hakif Bajrami. I pari e mori fjalën Dr Ali Sokoli. E tregoi tërë historinë e mos nënshkrimit të dokumentit mortor për Fazli Greçefcin. Pas tij foli Bajram Petrovci me emocione. Filloi të çajë si fëmijë, por e qetësuan doktori ALI SOKOLI dhe Ramadan Braishori. Shahin Billalli dhe unë nuk qanim por dënesnim. Edhe më rëndë se me ça. Ishte ashtu sepse doktori e përshkroi një kufomë tmerri që kishin bërë udbashët xhelatë. Pas këtij takimi “vjershën” e lexova edhe një herë në vetmi. U binda se  kisha thënë diçka. Kur erdhi koha dhe u bëra arsimtar i fëmijëve të Dr Ali SOKOLIT, rëntgenolog Bajram Petrovcit, infermier Shain Billit dhe Ramadan Barjshorit në Gjimnazin e Prishtinës prapë në një takim e diskutuam lirisht çështjen e Fazli Greiçevcit. Kësaj radhe folen edhe: Bajrami, Shahini dhe Ramadani, të tre burra me etikë njerëzore shumë të formuar. Që të tre e admironin Adem Demaçin sepse Fazlia thonin ata është ushtari i parë i tij i flijuar për atdhe. Në fund të bisedës Dr Ali Sokoli m` u drejtua: Ti je historian. Duhesh një ditë ta zbardhësh tragjedinë e Fazli Greiçevcit, sepse tragjedi të tilla na kanë përcjellë deri në Plenumin e Brioneve.

Po çka foli Dr Ali Sokoli me shokë për kufomën e Fazli Greiçefcit?

“ Një serbian udbash ma solli një letër që ta nënshkruaja për një rast mortor. Nuk e dija për ken është fjala. E pyeta udbashin , prej çkafit ka vdekë? Heshti pak, dhe mu drejtua –duhesh ta nënshkruash se ka vdekur nga TBC! Është një kufomë mashkull nga Drenica”. I thash, bënë ta shohë kufomën. Ai, jo nuk ka nevojë, sepse vdekja është konstatuar edhe nga !!!? nuk e tregoi emrin. Shkurt ia preva. Pa e parë kufomën nuk e nënshkruaj. Le ta merr përgjegjësinë kushdo qoftë. Pa një, filloi të kërcohet. Për çfarë përgjegjësie është fjala kur ai është i vdekur”. Aliu-shkurt pa e parë kufomën nuk ka diskutim, se do ta nënshkruaj. Pranon dhe shkojmë me te në dhomën mortore. Çka me pa, sytë e përgjakur, buzët e përgjakura me shenja koagulimi që do të thotë se është rrahë një kohë të gjatë, me mjete të “buta”. Veshët dhe hunda të dërmuar. Majën e kokës të nxirë nga koagulimi prej rrahjeve. I drejtohem udbashit: Bën ta shpaloi në gjoks. I nxirë dhe me shenja torturimi. Jo “udbash”, nuk kam punë këtu. Njerëzit që vdesin nga TBC , vdesin me ngjyrë limoni në lëkurë. Kjo kufomë është e natyrës që nuk më takon mua të nënshkruaj dhe u largova pa përshëndetje.” E dëgjuam doktorin dhe bisedën që ishte zhvilluar në spital një kohë të gjatë për atë krim makabër. Aty për aty, vendosa që të shkruaj një ditë për atë vdekje tragjike. Pasi që i solla në depon e Arkivit Kosovës dokumentet e gjyqeve, e hulumtova me kujdes “Dosjen Demaçi”. Eureka, thash një ditë. Dhe , me rastin e rivarrimit, organizatorët , pa më paralajmëruar, ma dhanë fjalën më 1991 para një mase të popullit, kuptohet me insistim të prof Dr Muhamet Pirrakut, i cili e dinte se Dosjen e Fazlisë e kishte hulumtuar. E pranova, por aty më shpërtheu ndjenja e hakmarrjes, sepse kishte edhe atëherë (më 1991) të atillë që kishin ndërruar ngjyrë dhe ishin bërë “patriotë”. Jo duhet të botohen të gjitha dosjet dhe ky POPULLU duhet njëherë e përgjithmonë të lirohet nga mercenarët, vrasësit dhe hafijet. Duhet të filloi një epokë e re. Duhet të ndryshojmë NE, si thotë Adem Demaçi.  Askush nuk duhet të turpërohet për të kaluarën e prindërve dhe të parëve të tij, por duhet të dëshmohet se çka po bëjmë ne, për komb dhe atdhe.

 …

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …