leoni

Jakup Krasniqi: Ngjarjet e vitit 1981 në shkrimet e autorëve të huaj

Jakup Krasniqi: E majta në Kosovë duhet të konsolidohet e të forcohet sepse ajo është shpresa për barazi e zhvillim në vend

Gjatë një bisede në studion e TV-Diellit, ish i burgosuri politik, zëdhënësi i SHP të UÇK-së gjatë luftës, ish-kryetar i Kuvendit dhe aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë për Gjykatën Speciale e cila ka intensifikuar aktivitetin hetues me qëllim që të ngrehë aktakuzat e para kundër eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së, pastaj për dorëheqjen e ngutshme të kryeministrit, Ramush  Haradinaj, e cila ka shkaktuar si pasojë rënien e Qeverisë dhe për zhvillimet që pasojnë pas kësaj dorëheqje si dhe për shumë probleme me të cilat po ballafaqohet vendi.

Duke qenë personalitet tashmë me një përvojë të gjatë, qoftë në Lëvizjen e Rezistencës Kombëtare, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku kishte detyrën me përgjegjësi të zëdhënësit të SHP të UÇK-së, pastaj pas luftës në një aktivitet të dendur dhe të pandërprerë politik, qeveritar e partiak, Jakup Krasniqi, ka qenë dhe është pjesë e pandashme e aktiviteteve politike e luftarake për  çlirimit të vendit, shpalljes së pavarësisë dhe shtet-ndërtimit.

Në postin  e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate,  Jakup Krasniqi, ka folur për problemet e rënda me të cilat po ballafaqohet vendi në mungesë të seriozitetit  dhe përgjegjësisë të atyre zyrtarëve, të cilët kanë qeverisur gjatë viteve të pas luftës e deri tani. Ai ka treguar se Nisma Socialdemokrate si parti i qendrës së majtë është përmbaruese e disa nismave dhe proceseve të reja, jo vetëm në oferta pa mbulesë ndaj qytetarëve, por edhe me veprime konkrete në hapjen e mundësisë së zënies me punë të pjesëtarëve të  familjeve në asistencë sociale duke iu përmbajtur motos, “Një familje të paktën një të zënë me punë”. Duke i qëndruar besnik këtij premtimi nisma ka zënë me punë dhjetëra mijëra qytetarë në vendin tonë.

Ai thekson se Nisma… është e gatshme për bashkëpunim me partitë e tjera, veçmas me ato të majta, me të cilat i bashkon edhe programi për mirëqenie sociale, pastaj për drejtësi e barazi, në mënyrë që qytetarit t’i ofrohet puna, por edhe përgjegjësia dhe serioziteti në punë nga ana e tij.

Nisma Socialdemokrate sipas Jakup Krasniqit, duke qenë se nuk ka të ashtuquajtura vija të kuqe për koalicione  me partitë e tjera, ajo shprehë gatishmëri për bashkëpunim, pse jo edhe me PDK-në e parti të tjera, por këtë bashkëpunim e kushtëzon me disa oferta, të cilat në radhë të parë i referohen qeverisjes serioze dhe janë në shërbim të qytetarëve pa dallime partiake.

Ai thotë:  Në një situatë të tillë, sikur të ndodhte oferta për koalicion me PDK-në apo ndonjë parti tjetër, NISMA Socialdemokrate do të duhej t’i parashtronte kërkesat e saja dhe kërkesat sipas mendimit tim do të ishin:

Kandidati për Kryeministër nga ky koalicion do të duhej të ishte një kandidat ( shumë kompetent e jo si deri më tani) që nuk është Kryetar i subjekteve politike ( kjo  është e preferueshme). Mbase në një situatë të tillë, kandidati duhet të jetë nga NISMA Socialdemokrate, Kandidati duhet të disponoj përvojë politike dhe institucionale të njohur nga publiku ynë.

 

Lista e kandidatëve për deputet duhet të miratohej edhe të nënshkruhej nga kandidati për Kryeministër i cili duhet t’i njeh mirë kapacitetet politike, intelektuale, profesionale e kombëtare dhe jo vetëm të këtyre dy partive politike;

 

Programin Zgjedhor e qeverisës për të ardhmen duhet të miratohet edhe nga kandidati për Kryeministër dhe ai program duhet të ketë frymën dhe përmbajtjen e Socialdemokracisë dhe me kushtin që ai Program ta kishte edhe miratimin e firmën e tij;

Madje, pa pajtimin e kandidat për Kryeministër nuk duhet të ketë asnjë Ministër e as numër të ministrive. Kabineti qeveritar nuk do të duhej ta kalonin numrin prej më se shumti 14 -15 ministrive. Ky numër do të vlente edhe për zëvendës ministrat;

 

Pastaj, Ligji i parë që do t’i dërgohej Kuvendit të ri për miratim duhet të jetë ligji për QEVERINË. Ndonëse, në Kushtetutë duhet të sanksionohet Kabineti Qeveritar; dhe

Se paku një e treta e drejtuesve të ministrive do të duhej të jenë femra, por që të gjithë pa përjashtim gjinie duhet të jenë kompetent/e për përgjegjësitë që marrin.

 

Pra nëse PDK do të pranonte ketë ofertë, unë do t’i propozoja Këshillit Kombëtar të NISMËS Socialdemokrate të hynte në koalicion parazgjedhor me te. Pa një ofertë të tillë publike nga PDK apo ndonjë parti tjetër, unë jo vetëm që nuk do t’i sugjeroja KK të NISMËS Socialdemokrate koalicion e mundshëm, por do ta kundërshtoja fuqishëm.

 

Në publikimet e shpeshta në medie, ku është mjaft i pranishëm dhe pa përtueshëm, Jakup Krasniqi shkruan me realizim të theksuar kritik lidhur me  zhvillimet në vend. Ai thotë “se ndryshimi është në duart e qytetarëve votues, të atyre qytetarëve që e dinë peshën e votës së tyre dhe fuqinë e saj për ndryshim.  Madje edhe keni bërë thirrje që, atyre që i kanë mashtruar gjatë viteve të shkuara, të mos ua japin votën.

 

Atyre që ua kanë vjedhur votën mos t’ua lejojnë më vjedhësve këtë dukuri të shëmtuar, por ta ruajnë votën e tyre të shenjtë si sytë e ballit. Kush ishin këta vjedhës apo përfitues? Disa “komandantë”, që thirren në luftë e gjak dëshmorësh, larg apo afër tyre, apo disa paqësorë që thirren në “akademikë” e “akademi” politike, që thirren në ideologji të djathta e grabiten djathtas e majtas! Të tillët duhet dërguar me votën qytetare në muzeun e vjetërsirave. Ndëshkimi me votë i atyre që gjatë gjithë këtyre viteve të qeverisjeve na dhuruan perspektivën e ikjes, është dënimi më meritor, më i shpejtë dhe më efikas. Është, pra, përfundimisht dënimi i duhur!

Ky ndryshim bëhet vetëm me votën e përgjegjshme të qytetarëve, duke krijuar të gjitha mundësitë e domosdoshme dhe më se të nevojshme për ndërtimin e shtetit të se drejtës. Vetëm në shtetin e së drejtës institucionet kushtetuese i kryejnë funksionet e tyre ligjore.

Kjo nuk do të ndodhë pa u bërë hapi i parë, i shumëpritur për perspektivën e vendit – ndryshimi i përfaqësuesve dhe i qeveritarëve me votën e lirë të qytetarëve!

Bashkimi i qytetarëve me të majtën progresive – NISMËN Socialdemokrate e cila me vendosmëri është shkëputur nga autoritarizmi i cili i ka krijuar probleme të mëdha shtetit e kombit. NISMA SOCIALDEMOKRATE E KOSOVES është shpresa e mbetur e ndryshimit në Republikën e Kosovës!”

 

Kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi,

Gjatë bisedës në studion e TV-Diellit, ka kritikuar keqqeverisjen e deritanishme, papërgjegjësinë e zyrtarëve, krijimin e një qeverie që kishte 21 ministri, pesë zëvendëskryeministra dhe mbi 80 zëvendës-ministra, shumë zyrtarë, të cilët kanë të punësuar edhe numër të madh të këshilltarëve të tyre politikë, pastaj truproja, shoferë si dhe të punësuar të tjerë. Ai mendon se numri i ministrive duhet të reduktohet në nivel që i përgjigjet vendit, buxhetit dhe zhvillimit ekonomik.

Jakup Krasniqi ka adresuar edhe kritika në fushën e arsimit, në themelimin e shumë universiteteve në vend, të cilat nuk i plotësojnë kushtet dhe nuk arrijnë të certifikohen. Po ashtu, mungesa e shprehur e cilësisë në mësim, mungesa e përkushtimit nga institucionet dhe mësimdhënësit, ka bërë që arsimimi të pësojë rënie të theksuar, në vend që të shënonte progresin e duhur kur dihet se kushtet e punës në shkolla janë shumëfish më të mira se ato të paraluftës.

Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve të Kosovës, përmes TV-Diellit,  lidhur me zgjedhjet e parakohshme që po afrohen, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, fton qytetarët që me votën e tyre t’i ndëshkojnë të korruptuarit, uzurpatorët, abuzuesit e parasë publike, dhe të gjitha ata që pushtetin ua kanë nënshtruar interesave të tyre personale, grupore e klanore dhe nuk kanë realizuar po thuajse asnjë nga premtimet e tyre në fushatat zgjedhore…

( Bisedën me z. Jakup Krasniqi në studion e TV-Diellit e zhvilloi kryeredaktori, Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …