Ministri i Arsimit, në Qeverinë Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga Nisma Socialdemokrate. Ai me rastin e dorëheqjes thotë se një kohë të gjatë kishte menduar se kjo parti do të ruante vlerat socialdemokrate, për të cilat thotë se kishte qenë shumë i interesuar. Një prej shumë shkaqeve të dorëheqjes, sipas tij ishte edhe largimi nga Nisma i emrave të “kalibrave të mëdhenj” si Xhevat Bislimi, Bajram Ajeti, Izet Ibrahimi e të tjerë, por ai me kohë nuk iu kishte bashkuar atyre. “Asgjë nuk mund të ndreqet me një të rënë lapsi, aq më pak, kur duart partiake shohin kapjen e institucioneve siguri përqendrimi, hapësirë rritjeje pushteti e hiseje elektorale! Vlerat e një institucioni rriten e dëmtohen në secilin e nga secili segment i tij, dhe kur ato nuk kanë harmoni hierarkie dhe substancë përmbushjeje prodhojnë deformitete jo funksionaliteti e letargji institucioni! Gjendje të tilla bëhen parajsë kapjesh e vesesh”, ka shkruar veç tjerash, Shyqiri Bytyçi.
