il fEtKuvendi i Republikës së Kosovës u shpërnda. Udhëheqësit dhe aktivistët e partive politike e patën filluar fushatën parazgjedhore edhe para se të shpërndahej Kuvendi, sepse dihej se ai nuk mund të funksionojë në situatën e krijuar. Tash pas shpërndarjes së Kuvendit, ka marrë hov beteja politike për të rritur numrin e anëtarëve të partive, për transferime individuale e kolektive prej një partie në tjetrën, për koalicione parazgjedhore. Në këtë fushatë, morali politik ka rënë në nivelin e çmimit të kastravecave. Secila parti lavdërohet me “prurje të reja”. Fushata parazgjedhore akoma nuk është zyrtare, për shkak se Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, mjeshtër për të krijuar kriza e tensione, po ua tensionon nervat me zvarritjen e paarsyeshme për caktimin e datës së zgjedhjeve. Kur të fillojë fushata zyrtarisht, populli do zbavitet e mërzitet me pallavrat e reja të udhëheqësve të vjetër të partive politike. Gjatë fushatës, kush të mundet do t’i futë ndërskamca e kuja në rrotë partisë tjetër. Me telashet e arsimit në vitin e ri shkollor do të merren vetëm arsimtarët. Bujqit nuk do të kenë kohë të merrën me përgatitjet për mbjelljet vjeshtore, sepse do valëviten nëpër tubime parazgjedhor dhe me shitjen e votave.
E bëra këtë hyrje të shkurtër, për të dalë te koalicionet para zgjedhjeve, dhe ato kryesoret e më të çuditshmet që bëhen pas zgjedhjeve. Vijat e kuqe, të cilat i kishin vizatuar dikur partite, se me cilën nuk do të bëjnë koalicione, tashmë e kanë humbur ngjyrën dhe janë fshirë. Sepse në politikë parimet nuk vlejnë pesë pare. “Lista srpska” që është bërë asht në fytin e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, rri anash deri në momentin e fundit, për të rritur pazarin e saj ultimativ në ndonjë koalicion me shqiptarët e pangopur për pozita. Do të bëhën pazare “xhambaze” për postin e kryeministrit e të kryetarit të Kuvendit, me premtime edhe për postin e kryetarit të shtetit. Prandaj “Lisa srpska” është një levë e rëndësishme manovrimi në këto pazare. Po cili është roli dhe qëllimi i “Lista srpska”-s?
Deri më tash është parë roli dhe qëllimi destruktiv i kësaj force politike serbe në skenën kosovare. Deputetët e asaj liste, por edhe ndonjë serb tjetër jashtë saj, janë si “Kali i Trojës” i Serbisë në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës. Tërë kohën kanë bërë dhe gjithnjë do të bëjnë obstruksione për të penguar funksionimin normal të institucioneve ku marrin pjesë. Këtë detyrë e kryejnë sikur të ishin “misionarë” të Beogradit, e jo përfaqësues të zgjedhur të minoritetit serb të Kosovës.
Politika dhe strategjia e Serbisë kaherë ka qenë, është e do të jetë veprimi destruktiv, për të penguar funksonimin normal dhe konsolidimin e shteteve fqinje. Këtë e kanë në gjak e në gjene dhe e kanë të përpunuar në programe, plane e dokumente zyrtare e jozyrtare, publike e të fshehta, të shtetit e të kishës, të akademisë e të universitetit, të diplomacisë dhe ushtrisë e policisë. Qysh në vitin 1939, ideologu i nacionalizmit hegjemonist serbomadh, akademiku Vasa Çubrilloviq, në një fjalim të mbajtur në Banjallukë (në vitin 1939), e porositi pakicën serbe që jetonte në Kroaci: “Pakica kombëtare serbe në tokat kroate gjithmonë duhet të punojë me përkushtim për pengimin e krijimit të çfarëdo shteti kroat, por nëse për shkak të rrethanave historike kjo megjithatë do të ndodhë, që Kroacia të bëhet shtet, është detyrë e kësaj (pakice serbe,v.j.) të punojë aktivisht për ta dekonsoliduar shtetin e tillë”!
Kjo ide strategjike e kryenacionalistit Çubrilloviq është mishëruar, si vijë e kuqe, në të gjitha programet e memorandumet serbe, ndërsa pakica serbe kudo është manipuluar dhe ka shërbyer si “modus operandi”për kundërshtime, bojkotime, kryengritje, deri në luftë të përgjakshme, sikur ato të dekadës së fundit të shekullit të kaluar, në Kroaci, Bosnje, Kosovë.
Një strategji për destabilizimin e shteteve fqinje: Kroaci, Bosnje, Kosovë, Mali Zi dhe Maqedoni, është përcaktuar në “Memorandumi 2” të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (për atë Memorandum kam botuar një shkrim më të gjatë në vitin 2011; aktiviteteve destruktive të caktuara në atë Memorandum, tash politika dhe diplomacia serbe iu ka shtua edhe veprime të reja, të përshtatura kohës dhe rrethanave). Memorandumi është ruajtur si sekret dhe u është dërguar vetëm përfaqësuesve më të lartë të Serbisë për të vepruar, dhe me porosinë: “Lexoje, por mos e perhap më tutje”.
Në aktrimin e tyre patetik për rrezikimin e popullit serb “nga padrejtësitë, vuajtjet, diskriminimi, dhuna, sulmet, shpërnguljet me dhunë që gjoja po iu bëhet”, pakica serbe në Kosovë po manipulohet për qëllime politike-strategjike të Beogradit. Një “instrument” i fuqishëm manipulues i Beogradit është bërë “Lista srpska”, përfaqësuesit e saj në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës dhe në të gjitha segmentet e jetës publike në Kosovë, në nivelin qendror dhe lokal. Përfaqësuesit e asaj Liste haptas e mohojnë shtetin e Kosovës dhe deklarohen se punojnë për zbatimin e politikës së Serbisë në Kosovë! Ata tërë kohën e keqpërdorin votën paralizuese si minoritet, të cilën ua garanton Kushtetuta e Kosovës, kur është në pyetje votimi i ligjeve.
Është rasti i mirë, por i pabesueshëm, që në zgjedhjet e parakohëshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahën sivjet, nga radhët e minoritetit serb të zgjedhën njerëz të cilët do t’i përfaqësojnë denjësisht interesat e njëmendëta të atij minoriteti, e jo interesat e politikës destruktive të Beogradit; njerëz të cilët e duan dhe krenohen me përparimin e shtetit të Kosovës, në të cilin jetojnë, punojnë, avancojnë pozitën e tyre shoqërore, ekonomike, arsimore, kulturore dhe të bashkëjetesës me të gjithë bashkëqytetarët. Të fillojnë procesin e katarsit të vet, t’ia kthejnë shpinën politikës destruktive të Beogradit i cili po futë përçarje dhe urrejtje dhe kështu po ua keqëson pozitën minoritetit serb.
Vetëm një strukturë të re e përfaqësuesve të minoritetit serb, e orientuar kah bashkëjetesa dhe pranimi i shtetit të Kosovës si shtet edhe i tyre, e gatshme për bashkëpunim konstruktiv për zhvillimin e gjithanshëm të Kosovës, do të ishte e denjë për koalicion me partitë e shumicës dhe të minoriteteve tjera. Nëse nuk do të zgjedhet një strukturë e re, e pranueshme edhe për shumicën, ajo do ta vetizolojë minoritetin serb, do të vazhdojë me politikën e Beogradit dhe do t’ia keqësojë pozitën e shumicës së serbëve të Kosovës.
Koalicionet bëhen me subjektet që kanë qëllime dhe pikëpamje të njëjta ose të afërta për realizimin e programit politik. “Lista srpska” ka pasur platform,vision dhe qëllim parësor dhe kryesor sabotimin e punës dhe funksionimit të Kuvendit, të Qeverisë dhetëgjitha institucioneve të shtetit të Kosovës, mu ashtu sikur e ka përcaktuar “Memorandumi 2,” i përmendur më sipër.
Zoti mos e dhashtë që me një strukturë si “Lista srpska” të bëjnë edhe njëherë koalicion subjektet politike shqiptare, siç ishte rasti me Qeverinë e Isa Mustafës dhe të Ramush Haradinajt.
Ndërsa elektorati shqiptar, duhet t’i hapë sytë mirë në këto zgjedhje, të mos i përsëritë gabimet, duke i zgjedhur të njëjtit njerëz, por të zgjedh forca të reja kredibile e të pakorruëtuara, të cilat dijnë dhe duan ta qojnë përpara zhvillimin ekonomik dhe ta konsolidojnë e forcojnë pozitën e shtetit të Kosovës, në planin e brendshëm dhe të jashtëm. Aminin!