Bajram Bekteshi i takon radhës së poetëve të Kosovës, të cilët krijimtarinë e tyre e kanë filluar në vitet e robërisë dhe nuk e kanë ndalur më, kanë ecur me kohën dhe nuk e kanë ndaluar hapin. Duke i mbetur besnik kumtit poetik, frymëzimeve të mbara, gjithnjë në kacafytje me botën e mbrapshtë, poeti zhvillon pandërprerë betejat poetike, të cilat nga njëherë e trazojnë më shumë se sa betejat fizike në luftën çlirimtare, ku kishte marrë pjesë me pushkë e penë, ku ishte plagosur rëndë fizikisht, por asnjëherë shpirtërisht.
E kam përcjellë me vëmendje rrugëtimin poetik të Bajram Bekteshit prej përmbledhjes së parë poetikë, “Këmishë e përgjakur”, botuar në vitin 1994, që ishte si njëlloj preludi i luftës për liri e deri te përmbledhja e fundit e titulluar, “Nën maskë”. Që në fillim kam vërejtur talentin e tij për ta thënë troç fjalën mirë, por mbi të gjitha vullnetin e pakursyer, për ta shprehur botën e ndijimeve, botën komplekse të çasteve jetësore të përditshmërisë, e cila e ka sfiduar dhe e sfidon prore, sepse nuk mund të pajtohet me të ligën, të keqen, nuk pajtohet dot me veset e mbrapshtitë njerëzore, ashtu sikur nuk janë pajtuar dhe nuk pajtohen poetët, krijuesit, artistët e vërtetë dhe të përkushtuar në misionin e tyre vullnetar dhe shpirtmirë.
Në rrugëtimin e tij poetik, ai tashmë ecën lirshëm, si një kalorës i fjalës së lirë, e cili sado që nuk e frenon zemërimin, kur vëren paudhësitë e shumta, pengesat e atyre, ” që rrjeta kanë vënë e prita kanë zënë “, (sikur thoshte poeti i madh hungarez, Ady Endre), ai bën përpjekje të japë edhe kumtin e mirësisë, të lirisë, të cilën aq shumë e kanë nëpërkëmbur dhe po e nëpërkëmbin të paudhët, matrapazët, ata që jetojnë “nën maskë” dhe që botën e tyre e shfaqin me fjalë të mira të mbara, por nën atë maskë të tyre, të skalitur me mjeshtri e kujdes, veprojnë me ligësi e djallëzi dhe po përmes asaj maske pretendojnë t’ i arrijnë qëllimet e veta dhe shumë herë ia dalin. Të tillët “ecin të përgjumur me hapin e çrregullt, rrugëve prush e kohëve pa kohë, pirgjeve të kalbur shkarravisin emrat, t’ ua falin dhuratë profetëve të rremë”, (Pa adresë).
Në një botë të tillë ku antivlerat kanë ngadhënjyer dhe ku ato manifestojnë fitoret e njëpasnjëshme si në karnavalin e maskave, lufta më e është të mbetesh njeri! (Luftë e vështirë) I ndodhur në një pozitë të tillë, i patundur rrugën e së mirës dhe njerëzisë, poeti jo vetëm që nuk dorëzohet, por duke qenë: I rritur pranverave pa diell, për vdekje e urren vetmine, çdo ndeshet me hiena, me kameleonë e matrapazë, dhe në përpjekje për ta ndryshuar botën, stinët i kthen në jetë. (Luftëtar besnik)
Poezia e Bajram Bekteshit përveç meditimit, narracionit të pasur, digresionit dhe detajit është e pasur edhe me motive e figura të latuara artistike, krahasime e simbole, metafora e anafora. Ajo është e shtjelluar me një gjuhë të pasur, të latuar me kujdes, gjithnjë në shërim të idesë dhe materializimit të saj sa më të kuptueshëm për lexuesin, por aq edhe me sulm dhe atak diskret, sepse ai nuk pushon së godituri paudhësitë, ligësitë, maskat, hipokrizinë, servilizmin, fudullëkun, me të cilat është prore në luftë dhe në atë luftë të përhershme nuk është dorëzuar, as do të dorëzohet. Në një ndeshje të tillë,“shqiponjës ia ka marrë guximin dhe është bërë udhëtar i ditëve plot prush, sepse me gjakun e patharë, ka shkruar shkronjat në Abetare”. (Shkrova emrin)
Bajram Bekteshi, për mendimin tim, qëndron në mesin e poetëve bashkëkohorë dhe ndihet fare mirë në mesin e krijuesve si: Zenun Gjoci, Arben Duka, Feride Papleka, Martin Çuni, Lebit Murtishi, Mehmet Bislimi, Avni Dehari, Elife Luzha, Sylejman Mato, Dilaver Goxhaj, Ibrahim Gani, Agim Shehu, Çobo Skënderi, Diana Çuli, Mimoza Ahmeti, Irma Kurti, Luljeta Lleshanaku e të tjerë.