Ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në vendin tonë, Nicholas Abbott ka disa pyetje për kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi. Në tryezën për prezantimin e projektit “Forcimi i Sistemit të Drejtësisë në Kosovë”, ku po merr pjesë edhe Abbott e edhe Lumezi, ambasadori i ri ia ka përkujtuar Lumezit temat që sipas tij ai duhet t’u japë përgjigje. “Dua të shfrytëzoj rastin e prezencës së Kryeprokurorit të Shtetit në këtë tryezë, i cili në supe mban një peshë të rëndë”, ka thënë ai. Abbott menjëherë ka vazhduar me pyetjet që kishte për të. “Pse aktakuzat e profilit të lartë nuk rezultojnë më aktgjykime të formës së prerë? Pse nuk ka konfiskime kur shohim kaq shumë pasuri të pashpjegueshme gjithandej nëpër Kosovë, kryesisht nga njerëz të politikës? Pse kryeprokuror rastet e shpëlarjes së parasë nuk trajtohen si krim në vetvete? Shpëlarja e parasë është krim dhe nuk do të duhej të iniciohej vetëm atëherë kur është e lidhur me një vepër tjetër penale. Si qëndron gjendja me ofrimin e masave të sigurisë për prokurorë të guximshëm?”, e ka pyetur Abbott, kryeprokurorin Lumezi. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi e ka deleguar ‘përgjegjësinë në hallkat e tjera të drejtësisë kur i është përgjigjur pyetjeve të ambasadorit Abbott.