Kthehen në vendlindje eshtrat e Rifat Berishës, i zhdukur para 27 viteve në Bosnje

Rifat Berisha (1945), nga fshati Gurbardh i Komunës së Malishevës, 27 vite më parë ishte zhdukur diku në Bosnje, gjatë rrugëtimit të tij për në Slloveni. Pas 27 vite të zhdukjes, janë gjetur eshtrat e tij, dhe janë kthyer në vendlindje, pranë familjes dhe fisit të tij, në Gurbardh. Eshtrat e të ndjerit Rifat Berisha, janë pranuar nga familja, në kufirin e Kosovës me Malin e Zi, ndërsa në pranimin e arkivolit, krahas familjarëve, ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe zyrtarët e Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, të prirë nga Prenk Gjetaj. Nënkryetari i Komunës së Malishevës, e ka përshkruar “si një moment emocionues, gjetjen pas 27 viteve dhe kthimin e eshtrave në vendlindje, por edhe moment i dhimbjes për familjarët, të cilët për 27 vite jetuan në ankth dhe vuajtje në kërkim të familjarit”. Me këtë rast, nënkryetari Berisha, ka bërë të ditur se në Komunën e Malishevës, vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe 38 persona. Ndërsa djali i Rifatit, Driton Berisha, i ka përshkruar momentet e fundit kur e ka parë prindin, kur ishte vetëm 7 vjeç, ndërsa ka treguar se prindi i tij, ishte nisur për të shkuar në Slloveni, në vitin 1992, kur edhe ishte zhdukur diku në Bosnje, gjatë luftës atje. “Nuk jemi ndalur asnjëherë së kërkuari, për 27 vite, derisa e kemi gjetur, prandaj ju bëj thirrje të gjitha familjeve që të mos i humbin shpresat për gjetjen e familjarëve të tyre të zhdukur, por të angazhohen deri në fund”. Ai më pas e ka falënderuar edhe Komunën e Malishevës, për përkrahje.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …