Kosovës i duhet zgjidhje! Zgjedhjet nuk do të sjellin zgjidhje. Së pari vota nuk është e garantuar, as në mes partive, por as brenda partive. Ky është shkaku kryesor që në Kuvendin e Kosovës nuk vijnë të zgjedhurit e popullit por të partive dhe kjo tregon se nuk i mbrojnë interesat e popullit, por të partive e të grupeve klanore. Ky fakt sjell në Parlament njerëzit pa dinjitet e pa vullnet për të përgjithshëm, por gjithmonë në interesin personal e partiak. Dhe krejt kjo ndodh deri sa nuk ka ligj të mirëfilltë zgjedhor, një votë një njeri, nuk zgjidhen të duhurit. Njëkohësisht mungon profilizimi i partive dhe pozicionimi i tyre kryesisht, qendër e djathtë, qendër e majtë! E djathtë e majtë, realisht s’kanë të bëjnë me përcaktimet e tyre as me origjinën dhe rrugëtimin e deri këtushëm. Po si duket ata që hanë gjellën me dorë të djathtë, e quajnë veten të djathtë. Ndërsa ata që hanë supën me dorën e majtë e quajnë veten të majtë. Asnjë program asnjë parim e kriter nuk i ndalon të bëjnë koalicione mes veti dhe paturpësisht e gënjejnë elektoratin gjoja se i kanë përafruar programet?! S’kanë asgjë parimore e asnjë karakter që nuk e ndryshojnë brenda nate, vetëm për të qenë në pushtet.
Tani me këto zgjedhje, në katër grupime të përafërta as njëra ndryshe nuk i banë numrat e mjaftueshëm për Parlament edhe një treshe e vogël duhet të bashkohet sërish meqë nuk arrihen 2/3 dhe lista e Beogradit pastaj kushtëzon luan me ne. Mbi 100 projekt-ligje mbeten pa u votuar për dy vitet e shkuara. Sa do mbeten vitin e ardhshëm. Parlamentarët nuk duan ta aprovojnë rregulloren e duhur të Parlamentit. Deputetet si të nënshkruajnë e kanë garantuar mëditjen pastaj s’ka rëndësi që nuk marrin pjesë në seancat vijuese dhe ikin nga Kuvendi si ata të opozitës, ashtu dhe të pozitës. Duke mos qenë të pranishëm në sallë, kuorumi i pamjaftueshëm bllokon punën e Parlamentit, në mënyrë të paturpshme, vetëm për interesat e tyre partiake.
Kushtetuta bëri “bidat” duke definuar se ajo parti që ka ma shumë vota e bën qeverinë. Mbase kjo është si rregull, por duhet një shumicë vërtet e konsiderueshme dhe jo vetëm një për qind më shumë se i dyti, në radhë. Duhet ndryshuar ligji dhe Kushtetuta. Partia që del e para me një përqindje të vogël, duhet të ketë të drejt t’i tërheqë nga partia e vet edhe 20 deputetë sipas renditjes me vota. Kështu asnjëherë s’do të ketë kriza politike. Ndoshta do të ishte zgjidhja ma e mirë të krijohet një qeveri e zgjeruar apo gjithëpërfshirëse, kështu mund të them zgjedhjet qenë krejtësisht të pa nevojshme në këto rrethana, zgjedhjet e parakohshme, nuk do të na sjellin zgjidhje!