Beqir Brahim Rexhepi (15.3.1968 - 28.2.1998)

Beqir Brahim Rexhepi (15.3.1968 – 28.2.1998)

Beqir Brahim Rexhepi ishte njëri ndër luftëtarët e bërthamave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Herët kontaktoi me Jasharët e Prekazit, me të cilët kishte edhe lidhje miqësore. Qysh i ri e kishte ndarë mendjen për të luftuar dhe ishte ndër dëshmorët e parë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa së bashku me axhën e tij Rexhep Rexhepi është ndër dëshmorët e parë të Qirezit.

Beqiri lindi më 15 mars të vitit 1968 në fshatin Qirez të komunës së Skënderajt. Babai Brahimi dhe nënë Dinorja, edhe pse në varfëri, me mund e djersë i rritën dhe i edukuan bijtë dhe bijat e tyre. Shkollën fillore e kreu në vendlindjen e tij, ndërsa të mesmen, drejtimin autoteknik, e mbaroi në Skënderaj. Pati dëshirë të vazhdonte shkollimin por, për shkaqe ekzistenciale qysh i ri u detyrua të kërkojë punë për të ndihmuar në ngritjen e familjes. Duke qenë se në Kosovë nuk kishte punë, në fillim të vitit 1987 shkoi për të punuar në Slloveni, te xhaxhai i tij Rexhep Ajet Rexhepi, një kurbetçi i njohur, që kishte punuar më Maqedoni, në Kroaci e më në fund ishte vendosur në Lubjanë të Sllovenisë. Edhe pse merrej me punë të rënda fizike, Beqiri asokohe vë kontakte me disa veprimtarë nga Kosova, që ishin organizuar në shoqatën kulturore “Migjeni”, në Lubjanë, ndër të cilët edhe Naim Maloku dhe Salih Kabashi, dy ndër veprimtarët e shquar të Shoqatës.

Kohë pas kohe kthehet në familjen e tij në Qirez te prindërit e vëllezërit. Në vitin 1989 mori pjesë aktive në të gjitha manifestimet me karakter kombëtar që u zhvilluan sidomos në Skënderaj dhe në Drenas (ish – Gllogoc).

Në shkurt të vitit 1991, me rastin e themelimit të bërthamës së parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Beqir Rexhepi vë kontakt me legjendarin e ardhshëm të UÇK-së Adem Jashari dhe me Hamëz Jasharin. Ai ishte njëherësh edhe dhëndër i Ali Jasharit të Prekazit.

Me rastin e inkuadrimit në radhët e njësitit ushtarak të Adem Jasharit, Beqir Rexhepi jep betimin para flamurit kombëtar, armatoset me automatik dhe me dy bomba dore.

Gjatë viteve 1996/1997, merr pjesë në shumë aksione kundër stacioneve policore serbe, të cilat i kishte komanduar e udhëhequr kryetri mi i Drenicës Adem Jashari me trimat e tij. Me rastin e rrethimit të dytë të Kullës së Jasharëve në Prekaz, më 22 janar të vitit 1998, Beqiri katër ditë qëndroi në Prekaz me detyrë të rojes në rast të rifillimit të luftimeve. Me rekomandimin e Musë Jasharit, ditën e pestë nga Prekazi kthehet në familjen e tij në Qirez.

Asokohe në radhët e UÇK-së ishte edhe vëllai i tij Zeqiri dhe mixha Rexhep Rexhepi.

Shtëpia e Brahim Rexhepit ishte bërë një bazë e rëndësishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës rrëzë Çiçavicës. Në atë kohë forcat serbe e kishin intensifikuar praninë e tyre në disa vende të Drenicës. Ato, përmes lidhjeve që kishin vendosur me disa bashkëpunëtorë të tyre shqipfolës, ishin vënë në dijeni të veprimeve të luftëtarëve të lirisë. Duke qenë se patrullimet e tyre në relacionin Drenas – Likoshan, Qirez – Polac, ishin shpeshtuar sidomos pas Rrethimit të Dytë të Jasharëve në Prekaz, komandant Adem Jashari kishte urdhëruar që të pamundësohej përqendrimi i patrullave serbe nëpër fshatrat e Drenicës.

Më 27 shkurt të vitit 1998, në mbrëmje, një njësit luftarak i komanduar nga Musë Jashari dhe Rasim Kiçina ndodhej në shtëpinë e Beqir Brahim Rexhepit në Qirez. Përveç tyre, atë natë në odë ishin edhe Xhemë Kodra, Beqir Meha, Isë Ferat Beqiri, Skënder Gjeli, Jahir Hajdari, si dhe Beqir Rexhepi dhe vëllai i tij, Zeqiri.

Herët në mëngjesin e 28 shkurtit, Musë Jashari me disa luftëtarë nga Qirezi ishte nisur në drejtim të bazës komanduese. Beqir Rexhepi me disa bashkëluftëtarë, me xhaxha në dhe vëllanë e tij kishin mbetur në odë.

Pasiqë parashihej të kthehej Musë Jashari, Beqiri së bashku me axhën e tij, Rexhepin, nisën në drejtim të arave për ta vëzhguar më mirë terrenin dhe për të pëcjellë lëvizjet e mundshme të policisë serbe.

Ndërkohë dëgjohen krisma në drejtim të Likoshanit dhe përnjëherë të dy kthehen në odë, i marrin armët dhe së bashku me luftëtarët e pranishëm, në mesin e tyre edhe Zeqiri, vëllai i Beqirit, nisen në drejtim të Likoshanit.

Sapo dalin në rrugë, në vendin mes lagjeve të Ahmetajve dhe të Gjelajve, në Likoshan, hasin në patrullën e policisë serbe. Në atë moment fillojnë luftimet ballë për ballë. Sulmi kishte qenë i furishëm, sidomos nga ana e luftëtarëve të lirisë në krye të të cilëve ishte Beqir Rexhepi. Edhe policët serbë, sado që ishin zënë në befasi, kishin arritur të qëllojnë në drejtim të çlirimtarëve. Patrulla e policisë ishte asgjësuar në tërësi, por gjatë dyluftimit një plumb vdekjeprurës e kishte goditur axhën e Beqirit, Rexhep Rexhepin, i cili bie në altarin e atdheut. Bashkëluftëtarët ua marrin armët policëve serbë dhe trupin e dëshmorit e tërheqin në drejtim të Qirezit.

Në të njëjtën kohë kishte filluar një sulm i rrufeshëm në vendin e quajtur Te Lisat Gjashtënjakë, në Likoshan, ku një patrullë tjetër e policisë asgjësohet nga Musë Jashari, Rasim Kiçina dhe bashkëluftëtarët e tyre.

Forcat policore dhe ushtarake serbe kishin filluar të pozicionoheshin drejt Likoshanit dhe Qirezit. Mbi këto dhe fshatra të tjera përreth kishin filluar të patrullonin edhe helikopterët e policisë serbe. Duke qenë se serbët kishin dislokuar dhjetëra tanke, pizgauerë, autoblinda dhe kamionë të shumtë, luftëtarët e lirisë ishin tërhequr drejt maleve. Beqir Rexhepi gjatë luftimeve ishte tërhequr drejt lagjes së Prekazëve të Qirezit, në familjen Sejdiu. Në luftime ishte plagosur edhe luftëtari Sabit Lladrovci, të cilin e tërheqin Musë Jashari dhe Rasim Kiçina me bashkëluftëtarë.

Beqiri kishte luftuar deri në mbrëmje, kur papritmas goditet me një breshëri plumbash nga forcat armike. Bie heroikisht në vendin e quajtur Lugu i Kronit të Vekshit, më 28 shkurt të vitit 1998, rreth orës 19 e 15 minuta. Trupin e tij, të përshkuar me shtatë plumba, bashkëluftëtarët e tërheqin nga vendbeteja dhe e varrosin në Qirez.

Forcat policore dhe ushtarake serbe, në shenjë hakmarrjeje për policët e vrarë, masakrojnë 24 shqiptarë, në mesin e tyre gra, fëmijë dhe pleq.

Beqir Rexhepi ka lënë bashkëshorten, dy bijtë, Beratin dhe Ridvanin si dhe bijën e quajtur Shotë, e cila lindi një natë para rënies së babait dëshmor.

Vepra dhe heroizmi i dëshmorëve të Qirezit të rënë më 28 shkurt të vitit 1998 dhe i të gjithë martirëve, është përjetësuar me ngritjen e Kompleksit Memorial në lagjen Rexhepi të Qirezit.

Dëshmori Beqir Rexhepi është dekoruar nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

Në shenjë respekti dhe nderimi për veprën e tij atdhetare, shkolla fillore “Rilindja” e Drenasit i dha Mirënjohje më 14.10.2001

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …