Rexhep Ajet Rexhepi (10.9.1935 - 28.2.1998)

Rexhep Ajet Rexhepi (10.9.1935 – 28.2.1998)

Në fillim të vitit 1998, masakrat e kolonizatorëve serbë në Qirez dhe në Likoshan paralajmëruan fillimin e egërsisë dhe të brutalitetit njerëzor, që kishte ndërmend ta ushtronte regjimi i kriminelit serb, Milosheviq. Banorët e Qirezit dhe të Likoshanit përjetuan tragjedinë mizore sllave, e cila shqiptarët liridashës i mbushi pezëm dhe mllef, për ta luftuar dhe për ta shporrur njëherë e përgjithmonë regjimin barbar nga trojet tona.

Rexhepi ishte djalë i luftëtarit të mirënjohur Ajet Rexhepi, i cili në dimrin e vitit 1945 luftoi heroikisht në radhët e formacioneve çlirimtare të Shaban Palluzhës. Rexhepi lindi më 10 shtator të vitit 1935 në fshatin Qirez të Skënderajt.

Në kushte dhe rrethana të njohura të luftës dhe të barbarisë, që asokohe ishte ushtruar kundër shqiptarëve përgjithësisht e në veçanti kundër liridashësve në Drenicë, Rexhepi nuk arriti të shkollohet. Megjithatë, ai kishte mbaruar shkollën fillore dhe më pas ishte aftësuar në mjeshtërinë e muratorisë.

Familja po shumohej. Punë nuk kishte, sepse ishte djali i një kundërshtari të përbetuar të regjimit titist. Për të siguruar ekzistencën, Rexhepi qysh në vitin 1957 shkon për të punuar në Maqedoni. Meqë puna ishte e rëndë dhe nuk shpërblehej si duhet, ai pas disa vitesh kthehet në Qirez. Pas një kohe shkon për të punuar në Slloveni. Gjithnjë në luftë për të siguruar ekzistencën për familjen, e cila për shkak të veprimtarisë atdhetare ishte në shënjestër të regjimit titist komunist, bën punë të ndryshme ndërtimtarie kudo ku arrinte. Në vitin 1974, shkoi në Gjermani dhe zuri punë në firmën e mirënjohur automobilistike “Mercedes”, në Shtutgart. Atje punoi disa vjet, por sërish u kthye në vendlindje.

Në vitin 1977 zë punë në ndërmarrjen ndërtimore “Kosova” në Vushtrri, së bashku me shokun e tij Habib Sejdiu nga Prellovci. Pasi kishte siguruar dokumentacionin e nevojshëm dhe punën, Rexhepi, i mësuar tanimë me kurbetin dhe jetën e rëndë, sërish shkon në Gjermani.

Pas demonstratave të studentëve në mars dhe prill të vitit 1981, Rexhep Rexhepi merr anën e demonstruesve, duke përkrahur kërkesat e tyre të drejta për liri dhe barazi. Merr pjesë në organizimin e demonstratave të punëtorëve militantë dhe nuk bashkëpunon me klubet e punëtorëve, që i mbante nën kontroll policia politike e pushtuesit.

Me rastin e themelimit të klubit “Jusuf Gërvalla”, Rexhepi bëhet anëtar i klubit dhe jep kontribut në zhvillimin dhe përparimin e këtij klubi militant kombëtar.

Ka marrë pjesë në aktivitete patriotike, që janë zhvilluar kundër politikës antishqiptare të regjimit të Beogradit, në Frankfurt dhe në qytete të tjera të Gjermanisë.

Në prill të vitit 1996, nga Gjermania kthehet në vendlindjen e tij, në Qirez. Besnikët e regjimit, duke qenë se ishte denoncuar veprimtaria e tij atdhetare, e ftojnë në polici dhe ia marrin pasaportën. Ai më nuk do të mund të kthehej në Gjermani ku kishte punuar shumë vjet. Si militant i shquar i Lëvizjes kombëtare anëtarësohet në radhët e Partisë Nacionaldemokratike Shqiptare.

Përmes nipit të tij Beqir Rexhepi, ai njoftohet me shtrirjen dhe konsolidimin e radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Meqenëse qysh herët e kishte siguruar një automatik, ai bën sigurimin e grupeve që shkonin për armatim në Shqipëri, sipas sugjerimeve të djalit të vëllait të tij, Beqirit, i cili mbante lidhje me bërthamën e UÇK-së, që e komandonte kryetrimi, Adem Jashari.

Beqiri e kishte përcjellë me sukses një grup vullnetarësh prej Drenicës deri në fshatin Zllapuzhan të Therandës, (ish – Suharekë). Në atë grup militantësh ishin: Avni Zymeti nga Klina e Poshtme, dhe dy nipat e tij Zeqir Rexhepi dhe Beqir Rexhepi. Nga Sllapuzhani, në drejtim të maleve të Pashtrikut këtë grup, gjatë rrugës, e kishin siguruar Aziz Elshani me të birin, Samiun. Rexhepi kishte pritur në Zllapuzhan derisa kishte marrë vesh se luftëtarët e ardhshëm të UÇK-së kishin kaluar kufirin pa pasoja.

Shtëpia e Rexhep Rexhepit dhe e Brahim Rexhepit ishte bërë strehëe sigurt e luftëtarëve të lirisë. Ata kishin marrë të gjitha masat për të mos rënë në sy të armikut dhe të bashkëpunëtorëve të tij.

Në mbrëmjen e 27 shkurtit të vitit 1998, njësiti sulmues, i komanduar nga Musë Jashari, vendoset në odën e Brahimit, vëllait të Rexhepit, në Qirez. Atë natë, përveç Musë Jasharit, në odë ishin edhe luftëtarët: Rasim Kiçina, Xhemë Kodra, Beqir Meha, Isë Beqiri, Beqir Rexhepi, Zeqir Rexhepi, Skënder Gjeli dhe Jahir Hajdari.

Më 28 shkurt të vitit 1998, Rexhep Rexhepi dhe djali i vëllait të tij, Beqiri, nisen për në arë, gjoja për të punuar, mirëpo kishin dalë me qëllim që të vëzhgonin terrenin, meqë e dinin se do të sulmohej patrulla e policisë serbe. I dëgjojnë rafalet e armëve që vinin nga Likoshani dhe pa vonuar kthehen në odën e tyre në Qirez, ku ishin edhe disa bashkëluftëtarë. I kapin armët dhe nisen për t’ iu shkuar në ndihmë komandantit Musë Jashari dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, të cilët kishin sulmuar policinë armike, te vendi i quajtur Lisat Gjashtënjakë, në Likoshan. Këtij grupi luftëtarësh i bashkohet edhe Zeqir Rexhepi, vëllai i Rexhepit.

Në vendin në mes të lagjeve Gjelaj dhe Ahmetaj në fshatin Likoshan, Rexhep Rexhepi, Beqir Rexhepi, Zeqir Rexhepi dhe bashkëluftëtarët e tjerë, i dalin përballë patrullës së policisë serbe dhe e shpartallojnë në tërësi. Gjatë luftimeve ballë për ballë bie në altarin e atdheut, Rexhep Ajet Rexhepi, ndërsa Beqir Rexhepi do të luftojë edhe disa orë më vonë kundër bandave serbe edhe në Qirez. Trupin e dëshmorit nga vend luftimi e tërheqin bashkëluftëtarët dhe po atë natë e varrosin në Qirez.

Rexhepi ka lënë bashkëshorten Hanife, djemtë Ahmetin e Sylejmanin dhe bijat Havën e Salën. Vepra e tij heroike është përjetësuar në Kompleksin Memorial për dëshmorët dhe martirët e Qirezit, të rënë për lirinë e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …