Gjeneral Rrahman Rama e pret në vizitë gjeneralin Phillips nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë

Gjeneral Rrahman Rama e pret në vizitë gjeneralin Phillips nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti sot në vizitë në Ministrinë e Mbrojtjes, gjeneral brigade John H. Phillips, zëvendësshef i Departamentit të Komunikimit (G6) në kuadër të Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë. Në takimin e përbashkët, komandanti i FSK-së dhe gjenerali amerikan, biseduan për  marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet  Kosovës dhe SHBA-ve, përkatësisht Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë, në fusha konkrete dhe bashkëpunime të frytshme. Me këtë rast, gjeneral Rama vlerësoi lart rolin e trupave ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it, marrëdhëniet dypalëshe me Gardën Kombëtare të Ajoves, donacionet e pareshtura të Qeverisë dhe popullit amerikan për zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së dhe ngritjen e kapaciteteve të saj. 

Gjatë takimit të dy gjeneralët biseduan edhe për sigurinë kibernetike, shkëmbimin e përvojave në mes dy ushtrive dhe në veçanti folën për objektivat e FSK-së dhe të Kosovës për ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale të fushës kibernetike, funksionalizimin e sistemit të sigurisë kibernetike në përballje  me kërcënimet eventuale si në vend, ashtu edhe në rajon dhe me gjerë, bashkëpunimin  me shtetet mike dhe partnere etj. Gjenerali Phillips se bashku me stafin e tij vizitoi edhe Kompaninë e Komunikimit, ku u mirëprit  nga komandanti i kësaj kompanie, kapiten Fatmir Kajtazi, i cili pasi e  falënderoi për vizitën, e  njoftoi në pika të shkurtra rreth detyrave, pajisjeve  dhe misionit të  kompanisë që ai drejton.  Më pas, të gjithë se bashku ndoqën  trajnimet e pjesëtarëve  të FSK-së,  në fushën e IT-së (“Cyber TCT”) dhe  në  fushën e  radiosistemeve,  të cilat janë duke u realizuar falë bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …