leoni

Kryetari i Hanit të Elezit, Refki Suma është i vetmi që ka përmbushur të gjitha premtimet elektorale

Intervistë me luftëtarin e lirisë dhe kryetarin e komunës së Hanit të Elezit, z. Rufki Suma

TV Dielli: Dikur në fëmijërinë Tuaj, Hani i Elezit ishte një qytezë e vogël, dhe një kohë pas luftës u bë edhe komunë, të cilën ju e drejtoni  me sukses. Çka do të na thoni për fillim të bisedës lidhur me familjen, shkollimin dhe angazhimin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Rufki Suma: Jam lindur në vitin 1968. Shkollimin fillor e kam kryer në shkollën “Tefik Canga”, tani shkolla mban emrin e dëshmorit “Ilaz Thaqi”, shkollën e mesme në Kaçanik në shkollën “Skënderbeu” drejtimi Juridik Byro-Teknik. Pastaj në vitin 1987 kam kryer shërbimin ushtarak në Armatën Jugosllave. Mandej vazhdova studimet në Universitetin e Prishtinës drejtimi i Juridikut. Me suprimimin e autonomisë së Kosovës nga pushtuesi serb u larguam nga fakultetet nga konviktet pastaj vazhduam shkollimin në shtëpitë private. Me këtë rast shfrytëzoj rastin ti falënderoj të gjithë ata pronarë që shtëpitë e tyre i lëshuan për mësim. Më vonë u organizuam në organizata rinore që në atë kohë ishte Forumi Rinor, ku isha anëtar i saj dhe njëkohësisht zyrtar për informim. Një kohë kam qenë kryetar i KMDLNJ-së, për Han të Elezit, isha bashkëpunëtorë i gazetave të ndryshme që botoheshin atë kohë në Kosovë. Kam udhëhequr lidhjen komunale në futboll të vogël, kam udhëhequr SHKA “Ismail Qemali” . Asokohe kishim edhe këshillin  për vet financim .

TV Dielli: Hani i Elezit me rrethinë gjatë kohës së luftës së UÇK-së i takonte Zonës Operative të Neredimes, nën-zonës së Kaçanikut. Si ka funksionuar kjo pjesë e vendit gjatë kohës së luftës, kur ju keni qenë edhe komandant i kësaj ane.

Rufki Suma: Me fillimin e luftës në Kosovë konkretisht në Drenicë, edhe ne si të rijnë e dinim se pa luftë nuk do të çlirohej Kosova, edhe ne filluam përgatitjet e para për luftë të armatosur. Shkuam në Drenicë u interesuam për strukturat e UÇK-së, aktivitetet, për mënyrën e financimit. I njoftuam që qëllimi ynë është që edhe në Han të Elezit ti formojmë celulat e para të UÇK-së. Filluam me një grup shokësh të bartim armatim nga pjesa e Maqedonisë, fillimisht në vijën kufitare Radushë, Gorancë, pastaj në vijën kufitare Dimcë Bllacë të Hanit të Elezit. Fillimisht arritëm ti fusim vetëm 14 armë automatike. Gjatë bartjes së armatimit  ramë në pritë në vijën kufitare Bllacë-Dimcë nga forcat serbe, fatmirësisht ne që ramë në pritë tre shokët unë Nesim Curri dhe Zekirja Shkreta shpëtuam, por pas dy tre dite grupi ynë u zbulua dhe disa prej tyre u arrestuan. Ne që shpëtuam u vendosëm në Pustenik në familjen Brava me ç rast i falënderoj me këtë rast, ku ne qëndruam plot në vit nga qershori i vitit 1998 deri me qershor 1999, disa muaj u ushqyem në këtë familje.  Shokët që na u burgosën vuajtën dënimin në burgjet e ndryshme në Kosovë  më vonë edhe në Serbi. Ne kemi pasur ushtarin Suad Brava në burgun e Dubravës, që më vonë është ekzekutuar, është dëshmori më i ri nga Komuna e jonë. Disa të tjerë u dënuam në mungesë. Unë u dënova me 10 vite burg në mungesë.

TV Dielli:  Cili ka qenë organizmi i strukturave ushtarake dhe i njësiteve në këtë pjesë të vendit. Cilat kanë qenë disa nga betejat dhe luftimet e zhvilluara në këtë zonë?

Rufki Suma: Fillimisht ishim një njësit i vogël prej 6 vetash, por merreshim me organizimin e sistemimin e ushtarëve që me vonë na u bashkëngjitën kur edhe filloi mobilizimi më i madh ku edhe u zgjeruam rrjetin tonë edhe me njësitet tjera të UÇK-së, fillimisht në Kaçanik me komandant Agim Bajrami, tani dëshmorë i kombit. Kishim edhe rrjetin tjetër për marrëdhënie civile ushtarake me Shaban Cupin, e Gafurr Loku, tani dëshmor i kombit, dhe kështu vazhduam deri në muajin dhjetor, kur kërkesat për mobilizim nga rinia tani ishin shumë të mëdha që të vijnë dhe të vendosën te Puset e Nikës. Por ka qenë e pamundur të pranohen të gjithë ngase kishim mungesë armatimi por edhe kushte jo të mjaftueshme, mandej një pjesë e konsiderueshme e ushtarëve shkuan për stërvitje në Shqipëri, bashkë me ta ishte edhe Mehmet Ballazhi. Pas stërvitje gjatë kthimit për në Kosovë me 14 dhjetor 1998 bien në pritën e organizuar serbe grupi i UÇK-së, të prirë nga Komandant Mujë Krasniqi Kapuqi, në atë pritë ra dëshmori i parë i Hanit të Elezit Veli Ballazhi, dy ushtarë tanë u zunë rob disa të tjerë i kishim të plagosur.  Në janar e shkurt 1998 ne vazhduam me zgjerimin e radhëve të UÇK –së. Me 26 shkurt serbet tentuan ta fusin në rrethim Pustenikun, aty filloi sulmi, që ne e njohim si Krisma e parë ne Puset e Nikës, asokohe komandant ishte Emrush Suma bashkë me  bashkëluftëtarë të tjerë ne mesin e tyre edhe Xhemsedin Suma tani dëshmorë i kombit, arritën ta zmbrapsin ushtrinë dhe policinë serbe. Pra nga kjo datë ishte edhe fillimi i luftës së armatosur në këtë pjesë. Ne e dinim se ushtria serbe do të ndërmarrë një aksion tjetër andaj edhe filluam përgatitjet. Nga ajo ditë doli hapur UÇK-ja, atëherë u shtuan edhe radhët tona nga 13 ushtarë sa ishim u bëmë qindra. Me 2 dhe 3 mars ndodhi sulmi tjetër serb. Sipas medieve ndërkombëtare që raportonin nga vatrat e luftës shkruanin se kanë marrë pjese diku 7-8 mijë forca serbe. Nga ana jonë ishim 70 ushtarë dhe atë me armatim të lehtë, me 50 armë të lehta, 2 murtaja, tre predha. Krejt kjo ofensivë përfundoi me dy ushtarë të rënë në betejë Xhemsedin Suma dhe Nuri Bushi dhe tre të plagosur. Nga radhët e okupatorit ka pasur më shumë humbje. Nga ajo natë shumë ushtarë erdhën në përforcime të shumta, deri në fund të luftës ishim diku 400 ushtarë duke llogaritur edhe Puset e Nikës por edhe njësiti nga ana Lindore në udhëheqjen e Emrush Sumës. Kishim dy pika të betejës. Pastaj Shtabi i Përgjithshëm pas sukseseve që kishim mori vendim për themelimin e Brigadës 164 të ZO të Neredimës, e cila morri emrin e dëshmorit Gafurr Loku. Ne përveç 400 ushtarëve që kemi pasur në Han të Elezit rreth 100 kemi pasur në fronte dhe luftëra të tjera. Po veçoj me këtë rast fshatin Bllacë  ku gati të gjitha shtëpitë kanë qenë për ne ishte depo armatimi ku furnizohej e gjithë Kosova nga kjo pjesë.  Kemi pasur edhe vijën tjetër të furnizimit nga Radusha , Rafiz Haliti komandant Mësuesi ka qenë personi kyç , logjistikë ishte përgjegjës Habit Loku, i cili është marrë me mjete financiare. Ne kishim një fond financiar ne nuk kishim kriza asnjëherë. Kështu kemi qëndruar deri më 11 qershor 1999, kur  filloi tërheqja e forcave serbe fillimisht nga Hani i Elezit. Në orët e pas ditës ishin në Han të Elezit  ushtarët e UÇK-së,  erdhën serbet me makinerinë e rëndë për të plaçkitur fabrikën e Sharrcem-it, por ushtria jonë i sulmoi dhe ata u tërhoqën. Me 12 qershor hynë forcat e NATO-s, me helikopter Apaq, ne u takuam me ta dhe u dëshiruam mirë se ardhje. Ne ishim të armatosur , ata kërkuan q armatimin por ne e arritëm një marrëveshje që të qëndronim ashtu deri kur ndodhi edhe transformimi i TMK-së.

TV Dielli: Hani i Elelzit ka gjithsej 8 dëshmorë të UCK-së, dhe 15 martir që nga viti 90 e deri në mbarim të luftërave tona. Ju me luftëtarët e lirisë, të parët keni hyrë që qytezën e çliruar  në qershorin e vitit 1999. Si e keni gjetur qytezën dhe fshatrat përreth? Sa dëshmorë e martirë i ka dhënë çlirimit të Kosovës, Hani i Elezit me fshatrat përreth?

Rufki Suma: Realisht ka qenë mjerim, shkatërrime, plaçkitje. Përveç forcave serbe këtu dëmin më të madh e kanë bërë edhe romët, të cilët kanë qenë bashk me serbët. Ushtarët e UÇK-së, kanë pas obligim që të kontrollojnë shtëpitë nga minat. Ne me 12 qershor u bëmë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në Shkup, mos të kthehen por ata nuk  u ndalën erdhën në vatrat e tyre. Ata së pari vinin në Shtabin e UÇK-së, dhe na njoftonin se duan të shkojnë në shtëpitë e tyre, së bashku me ushtarë e kontrollonin shtëpinë dhe vendoseshin në shtëpitë e tyre. Pastaj ushtarët u vendosën në fabrika. Në gushtin e vitit 1999 fabrika veç filloi të prodhoj çimento, furrat filluan të punojnë, qytetarët furnizoheshin pa pagesë, me një fjalë jeta filloi ashtu siç e gjetën.

TV Dielli: Hani i Elezit, në kohën e pushtimin jugosllav e serb mbante emrin e shqiptar vrasësit Gjeneral Jankoviq, i cili me ushtrinë e tij vrastare në vitet 1912 – 1913 kishte masakruar banorët shqiptarë të fshatrave të kësaj ane e deri në Kumanovë. Edhe pas luftës, kishte pretendime që të riktheje emri i Jankiviqit, por ju keni këmbëngulur. Si ia keni arritur këtë?

Rufki Suma: Fatkeqësisht, derisa popullata e Hanit të Elelzit ka menduar se pas lufte nuk do të lejohej jo vetëm përdorimi i emrave por nuk do të lejohej edhe kthimi i kriminelëve në vendet ku ata bënë krimet, ndodhi  e kundërta. Me ndihmën e UNMIK-ut, dhe të tjerëve kriminelet nuk u ndëshkuan as edhe tani pas 20 viteve. Hanin e  Elezit dhunshëm e emërtuan me emrin e kriminelit Jankoviç i cili ka qenë gjeneral i Armatës së tretë serbe i cili më 1912 ka bërë krime gjithandej në Kosovë. Në vitin 1912-1913 gjenerali  Jankoviç ka udhëtuar me tren  deri në Mitrovicë, ata për ta nderuar për krimet që i ka bërë. UNMIK-ut nuk i ka penguar një gjë e tillë. Ne si UCK, por edhe si TMK kudo që kanë hasur emra kriminelësh i kanë shkatërruar. Më e keqja ishte kur çdo dokument që vinte nga Qeveria e Përkohshme por edhe pas saj deri më 2012 zyrtarisht kanë përdorur emërtimin gjeneral Jankoviq,  e ne vazhdimisht i kemi kthyer prapa. OSBE-ja me një farë forme u pajtua se kemi të drejtë të mos e pranojmë një emërtim të tillë. Ne bëmë apele të ndryshme, patëm vendos ti bllokonim edhe kufijtë deri sa e ndërruan emrin e vulës. Kështu ndodhi deri në legjislaturën e parë të Kuvendit Komunal. Ku njëzëri u përkrah ndërrimi i emrit. Fatmirësisht në vitin 2012 u miratua edhe kërkesa e jonë, e tani e tutje përdorët vetëm Hani i Elezit.

TV Dielli: Jeni ndër kryetarët e pakët të komunave në Kosovë që postin e kryetarit e keni fituar me votë popullore dhe jo me emërim partiak. Si ia keni arritur në konkurrencë me mujsharët e partive politike? Madje është thënë se jeni bërë shembull edhe në Ballkan, se si një qytetar i kësaj komunë, i sfidoi të gjitha partitë dhe koalicionet politike në zgjedhjet lokale.

Rufki Suma: Të them të drejtën kur Hani i Elezit është bërë komunë,me 2005 unë jam ftuar nga partitë politike të jem kryetar i parë edhe pa zgjedhje. Por unë mendoja të rrijë në TMK, por pas shpërbërjes së TMK-së prapë ishte kërkesa e qytetarëve për kryetar, por si kandidat i pavarur, nuk pranova të jem pjesë e asnjë subjekti politik, edhe pse mendonin se ishte vështirë të arrija fitore pa qenë pjesë e asnjë partie. Qytetarët vlerësuan punën. Ne punuam bashkë si në luftë po ashtu edhe në TMK, atëkohë ajo shikohej si pushtet. Ne nuk kishim orar pune. Ne punonim 24 së bashku. Ne premtojmë aq sa mund të realizojmë, jam kundër debateve në fushata, pra varësisht nga buxheti ne realizojmë investimet. Kemi përkrahje nga faktori vendor e ndërkombëtar.

TV Dielli: Si ndihet një kryetar komune, i cili merr besimin e qytetarëve pa propagandë,  pa retorikë politike, pa fushatë të kushtueshme, pa reklamë, por vetëm me punë, angazhim dhe aktivitet?

Rufki Suma: Ne duhet të konsiderojmë pozitën tonë sakrificë e jo privilegj. Ne duhet të jemi në shërbim të popullit. Duhet shikuar kërkesat e të gjithë qytetarëve pa dallim. Të mos bëhen klane. Kërkesat janë nga më të ndryshmet. Qytetarët tanë mund të më takojnë nga ora 6 e mëngjesit e tutje, përjashto kur jemi zënë. Pra me një fjalë jemi në shërbim të plotë për qytetarët, edhe të shtunave dhe të dielave. Pra dera e hapur e kryetarit duhet të jete 24 e jo vetëm në kohë fushatash. Të përgjigjemi aq sa kemi mundësi, aq sa na lejojnë kushtet buxhetore. Nuk është në natyrën time të premtoj atë që nuk mund ta realizoj. Por kemi realizuar shumë më shumë se sa është planifikuar

TV Dielli: Sa keni arritur ta përmbushni besimin që ju ka dhënë shumica e votuesve  dhe a mjafton vetëm besimi nëse komuna nuk arrin të realizojë projektet, për të cilat varet edhe nga Buxheti i Shtetit. Si ia keni dalë  gjatë mandateve në krye të komunës? Sa ka bërë komuna Juaj për dëshmorët, martirët, veteranët invalidët dhe përgjithësisht shtresën e varfër të popullatës?

Rufki Suma: Ju e dini që Hani i Elezit, para se të bëhet komunë, nuk e ka pas të shtruar asfalt  as qendrën e qytetit ku tani jemi, d.m.th nuk diskutohet për ndriçim, nuk diskutohet për rrugët lokale. Mirëpo sot Hani i Elezit i ka gati të gjitha rrugët e fshatrave të shtruara me asfalt, mund të ketë ndonjë lagje në ndonjë fshat që ende nuk ka përfunduar, por jemi në vazhdimësi në rrugica me kuba betoni. Ndriçimi publik është gati në të gjitha fshatrat tani këtë vit jemi duke punuar në ato lagje eventualisht ku kanë mbet pa ndriçim, kemi të vendosura kamerat e sigurisë në të gjithë qendrën urbane po edhe në fshatrat e Hanit të Elezit.  Gjendjen në arsim e kemi mirë. Gati të gjitha shkollat janë të  reja bile detyrohemi ti mbyllim, kemi shkollën e re se nuk kemi nxënës. Të gjitha shkollat pos shkollës Ilaz Thaqi në Han të Elezit që punon me dy ndërrime, të gjitha shkollat tjera edhe Paldenicë edhe Gorancë punohet vetëm në ndërrimin e parë. Të gjitha dhomat janë të pajisura me projektor, të gjithë mësimdhënësit janë të pajisur me  llaptop. Për këto kemi pas ndihmën e USAID-it,kemi pasur klasa e shekullit 21,  kemi telefonin mobile në rreth për shërbime për punëtorët e  sektorit publik dhe familjarët e tyre që janë pa pagesë. Për projektet tani kemi realizuar ku kemi ndërtuar edhe sallën e sportit  me ndihmën e Komisionit Evropian  te shkolla fillore “Ilaz Thaqi” . Këtë vit ka filluar edhe ndërtimi i sallës së sportit edhe në Pardenicë, te shkolla “Kështjella e Diturisë”, e vitin tjetër planifikojmë ndërtimin e sallës edhe në shkollën “Veli Ballazhi” në fshatin Gorancë është rindërtuar stadiumi i futbollit të vogël në afërsi të shkollës së mesme Dardania. Është rrënuar dhe ka filluar punimet në ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Han të Elezit. Jemi në bisedime edhe me Ministrin e Mjedisit për rregullimin e shtratit  të lumit Lepenc, edhe disa projekte të vogla që kanë mbetur, mendoj që në të ardhmen me ndihmën e donatorëve vendor, eventualisht donatorëve ndërkombëtar ti realizojmë. Janë në planet tona  që të realizojmë  lidhjen e fshatit me fshat, kemi hapjen e rrugëve   në zonat malore ku nuk kemi asnjë shtëpi, po thjesht me ju krijuar kushte qytetarëve  që të kthehen nëpër vendbanimet e mëparshme dhe thjeshtë ti punojnë edhe tokat që mund të themi se 90% ,  e tokës është braktisur e nuk punohet, ne mundohemi me ju krijuar  kushte që të kthehen e ti punojnë tokat. Për çdo vit kemi pasur organizata e donatorë që i kemi bashkë financuar projekte të ndryshme në hapjen e bizneseve të vogla e të reja, çdo vit si me Caritasin e Luksemburgut tani kemi edhe organizatën Help , në bashkëpunim me USAID-in dhe organizata të tjera  që të ju ndihmojmë qytetarëve tanë në hapjen e bizneseve të reja. Kemi pas bashkëpunim edhe me shoqatën Nënë Tereza edhe në hapjen e bizneseve të reja, gjithashtu e kemi edhe një organizatë. Gjithashtu e kemi edhe një organizatë të re Lab,  laboratori për aktivitete biznesore që është krijuar përmes  fabrikës Shartsem dhe financohet kryesisht nga Shartsemi dhe është kyçë në bashkëfinancim me USAID-in amerikan ku për çdo vjet qytetarët përfitojnë të paktën njëqind mijë euro më tepër në agrobiznes e sidomos në sera, në lopë qumështore në kultivimin e dredhëzës,  mjedrës e të tjera. Nuk kemi arrit të i fitojmë donacionet siç kanë qenë pas lufte që kanë qenë miliona mos të them edhe miliarda, por në kohën e fundit nuk janë ato shuma por megjithatë kur kemi pas raste kemi bërë kërkesë, e  në shumicën e rasteve kemi përfituar nga donatorët ndërkombëtar. Fillimisht kemi pas nga Llogosi zviceran, d.m.th. si donator të rregullt e kemi pas nga viti 2010 e këtej, në atë kohë ka qenë Llogosti e tash është  Demosi zviceran, mandej kemi pas edhe Caritas-in e Luksemburgut, USAID-in, Komisionin Evropian, Habitatin e shumë organizata të tjera.

TV Dielli:Sa ka bërë komuna Juaj për dëshmorët, martirët, veteranët invalidët dhe përgjithësisht shtresën e varfër të popullatës?

Rufki Suma: Sa i përket kategorive të luftës ne jemi mundu që ti ndihmojmë, sidomos një kategorie që është më e prekur më e ndjeshme e shoqërisë të ndihmojmë me aq sa kemi mundësi. Ne edhe para se të jemi kryetar komune menjëherë pas lufte kemi rregulluar Kompleksin Memorial të Dëshmorëve, nga viti 2003,  vetëm ka qenë e përfunduar çështja e kompleksit të varrezave të dëshmoreve në Han të Elezit,  ku asokohe  qe pranuar  nga kryeministri i ndjerë  Bajram Rexhepi dhe kryetari i kuvendit ka qenë Jakup Krasniqi. Nga 29 gusht 1999  kemi rivarros të gjithë dëshmorët që kanë qenë të varrosur nëpër fronte të luftës aty ku kanë ra, pastaj kemi pas edhe luftën e Maqedonisë gjithashtu edhe varrosjen e dëshmorëve në atë pjesë. Familjet me gjendje të vështirë janë ndihmuar jemi kujdes që vazhdimisht të ju ndihmojmë, familjet nga Foljoku kanë qenë në gjendje shumë të vështirë  menjëherë pas luftës me ndihmën e qytetarëve dhe bizneseve të Hanit të Elezit i është ndërtuar  shtëpia. Më vonë i është ndërtuar shtëpia edhe familjes së dëshmorit  Imri Currit, pastaj i është ndërtuar shtëpia edhe vëllait të dëshmorit Imri Currit që është i hendikepuar, janë ndërtuar shtëpi aty ku ka pas nevojë jo vetëm kategorive të luftës por rasteve të tjera sociale. Mund të themi se më shumë  se 30 shtëpi humanitare, janë ndërtuar vetëm këtë vit. Nga shoqata “Jetimat e Ballkanit” i kemi pas pesë shtëpi. Prej pas luftës  ne vazhdimisht i vizitojmë familjet e dëshmorëve sidomos  në festa fetare nuk mund të i vizitojmë familjet tona pa i vizituar të gjitha  familjet e dëshmorëve.  Kjo ka qenë që nga viti 1999. Aso kohe ishim me ushtarët e UÇK-ës, dhe TMK-së. Tani si komunë në bashkëpunim me ushtarët e FSK-së, bashkërisht shkojmë i vizitojmë varrezat, familjet e dëshmorëve. Për të gjitha familjet për çdo vit nga një anëtar të familjes e dërgojmë në Banjë të Kllokotit. Në bashkëpunim me shoqatën Familjet e dëshmorëve dhe shoqata tjera, për  çdo vit nga një anëtarë të familjes, qoftë familje e dëshmorëve apo ushtar ne e dërgojmë në bregdetin shqiptar . Meqenëse ne kemi edhe pesë familje të dëshmorëve që kanë rënë në luftën e Maqedonisë dhe kanë qenë pa trajtim pa përkujdesje,  deri sa i ka marr në përkujdesje qeveria, ne kemi ndarë pensione për ta me nga 150 euro, për familjet e dëshmorëve qe kanë ra në Maqedoni. Kuptohet kanë benificione kanë lehtësira në shkollim, në subvencione. Fëmija i dëshmorit merr pa kriter nëse ka nevojë për fakultet apo diçka tjetër, në një far  mënyre çfarëdo që i nevojitet, kemi qenë pranë tyre. Nëse një familje dëshmorëve ka pas një rast mortor kemi ndihmuar edhe me ushqim,  me  kryerjen e shpenzimeve gjatë atyre ditëve, pra çka do që është kërkuar nga ana e jonë ne jemi munduar  të ju ndihmojmë. Menjëherë pas lufte,  edhe kur nuk kemi pas komunë, për çdo familje që kanë fëmijë të rritur, i kemi punësuar nga një edhe në institucionet e Hanit të Elezit, nga një shitore do të thotë nga një lokal e kanë në afërsi të pikës kufitare, që është ndarë për familjet e dëshmorëve. Megjithatë çka do që ka pas nevojë edhe kemi pas mundësi, besoj që e kemi dal në ndihmë, nuk i kemi lënë në harresë.

TV Dielli: Komuna e Juaj  edhe për ceremoninë e vdekjes i heq shpenzimet

Rufki Suma: Po, përpara ka qenë e dalluar kjo çështja për familjet e dëshmorëve, por ka vite të tëra që komuna i hequr të gjitha shpenzimet për të gjithë qytetarët e Hanit të Elezit, në rastet mortore, gjithashtu me një vendim  me propozim timin edhe të kuvendit, edhe për çdo lindje që ndodh në Han të Elezit, ne paguajmë nga 100 euro, pra një ndihmë simbolike që të paktën me i hequr disa shpenzime të lehonave, dhe çka do që është kërkuar nga komuna që kemi pas mundësi është realizuar. Një falënderim për të gjithë këshilltarët komunal, sepse këtu kemi përfaqësues të subjekteve të ndryshme, kur është fjala për familje të dëshmorëve pa dallim i miratojnë vendimet për ta. Përgjithësisht vendimet që janë në të mirë të qytetarëve aprovohen.

TV Dielli:Cili është niveli i papunësisë në komunën Tuaj dhe a ka shpresë për përmirësimin e gjendjes sociale të kategorive me të ardhura të ulëta?

Rufki Suma: Tani, gjendja e papunësisë është si në krejt Kosovën. Më herët ka pas ndryshime sepse Hani i Elezit ka pas fabrika industriale, para lufte kanë qenë mbi 2 mijë punëtor, po të kishim ende atë gjendje për ne nuk do të kishte krizë. Pas lufte kemi pasur një privatizim jo real nga ana e AKP-së. P.sh. Çimentorja ka pasur më shumë se 700 punëtor tani ka rreth 300 punëtor, janë larguar disa për pensione të parakohshme. Pastaj fabrika e Kosova Plastit u shndërrua në biznes familjar, e fabrika të tjera. Kemi kompani private që operojnë me biznese të vogla. Por këto nuk mjaftojnë. Ne mundohemi tu krijojmë kushte për punësim. Por edhe vet duhet të angazhohen për të gjetur një punë. Rinia po del jashtë por kjo nuk është zgjidhje. Por kemi edhe kriza për punëtor në disa fusha të ndryshme në bujqësi. Ata hezitojnë sepse nuk kanë sigurime shëndetësore. Disa paga janë të vogla që nuk ia dalin dot mbanë nga muaji në muaj. Ne kemi diku rreth 30% në botën e jashtme që ju ndihmojnë familjeve të tyre.

TV Dielli: Cila ka qenë ndihma e ministrive dhe Qeverisë, për komunën Tuaj dhe a janë përmbushur ato  duke qenë se, sipas praktikës një  komunë e vogël merr më pak mjete nga buxhetin e Shtetit, edhe pse një praktikë e tillë duket se nuk është në rregull.

Rufki Suma: Buxheti ndahet për kokë banori. Por edhe këtu ka të meta. Në Han të Elezit në shëndetësi vijnë këtu nga Bllaca e nuk shkojnë në Shkup. Problemi qëndron në buxhetin shtesë. Nuk kemi buxhet proporcional. Mandej qeveritë që janë në pushtet orientojnë projektet në komunat që i qeverisin. Ne si komunë nuk mund të ankohemi sepse nuk jemi bojkotuar në projekte, edhe pse nuk kemi pasur projekte milionëshe. Në vitin 2020 do ta kemi më të vogël buxhetin. Problemi është edhe te rënia e Qeverisë, sepse nuk do të kemi rishikim buxheti, mandej nuk kishim numër të mjaftueshëm në parlament për ti quar përpara shumë projekte. Pastaj edhe ri destinomi i mjeteve në këtë kohë është i pamundur. Pra do të kemi suficit të gjitha komunat por jo me fajin tonë. Ligjet në fuqi e favorizojnë kompaninë me çmime më të lira por jo kompaninë më serioze. Edhe gjatë implementimit të projekteve kemi shumë procedura që mund të mos janë pozitive deri në realizim të punës përfundimtare.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …