Këshilli i Sigurimit

Sot në KS të OKB-së diskutohet lidhur me raportin tremujor për zhvillimet në Kosovë

Raporti më i ri për Kosovën i Sekretarit të OKB-së, Ban Ki Mun, i publikuar në fillim të këtij muaji do të diskutohet sot në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të bashkuara. Në seancën  e sotme diskutohet raporti, që përfshin periudhën e zhvillimeve nga 16 tetori i vitit të kaluar deri më 15 janar të këtij viti. Raporti i Sekretari Ban Ki mun, megjithëse nuk përfshin zhvillimet nga gjysma e janarit dhe shkurti i këtij viti, ai është shprehur mjaft kritik ndaj partive opozitare duke i akuzuar drejtpërdrejt për dhunë në rrugë dhe në Kuvendin e Kosovës. “Vazhdimi i përdorimit të dhunës dhe retorika nxitëse nga partitë opozitare, të cilat rezultuan me ndërprerje të punimeve të Kuvendit dhe përshkallëzuan tensionet në rrugët e Kosovës, përbën një shqetësim serioz”, thotë z.Mun. Në raportin e tij ai vlerësuar edhe vendimin, lidhur me vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese në procesin e krijimit të Asociacionit të komunave serbe si një hap të rëndësishëm, duke veçuar se procedurat rreth krijimit të Asociacionit nuk po përmbushin afatet e caktuara kohore. Kosovën, në Këshillin e Sigurimit edhe kësaj radhe do ta përfaqësojë ambasadorja në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, një vendim ky i Qeverisë së Kosovës që të ulë nivelin e përfaqësimit nga kryeministri apo ministri i Jashtëm në përfaqësimin me ambasador edhe për arsyen e rolit të  UNMIK-ut në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …