Intervistë më ish pjesëtarin e Njësisë Speciale “Tigrat e Zi” të UÇK-së, Hidaim Rama, kandidat i PDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës.
RKL: Ju keni qenë pjesëtar elitar i UÇK-së, pse deri tani nuk keni qenë pjesë e politikës?
Hidaim Rama: Fillimisht, me lejoni të them se pjesëmarrja në luftë nuk është diçka që e kam dëshiruar unë apo shokët e mi të luftës. Lufta nuk është diçka për të cilën kam dëshirë të flas, ngase kjo më kthen në një kohë kur kam humbur shokë të afërt, djem të rinj që nuk kursyen as jetën për këtë vend. Mirëpo, meqë po pyesni, unë si shumë të rinj e të reja të këtij vendi, i jam përgjigjur thirrjes së atdheut dhe jam krenar që isha pjesëmarrës i etapës më të lavdishme të historisë së re të Kosovës. Pra, jam krenar qe kam pasur mundësi të jap kontributin tim modest në mbrojtje të vendit tim. Pas lufte, unë i jam kthyer familjes dhe profesionit të inxhinierit të telekomunikimeve, duke shërbyer fillimisht në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, e më pastaj në shumë projekte zhvillimore në Telekomin e Kosovës. Mirëpo, duke parë trendin e zhvillimit të këtij vendi, pozicionin aktual dhe momentumin para të cilit ndodhet Kosova, kur përveç problemeve të shumta të grumbulluara ndër vite, ndodhemi para vendimeve të mëdha dhe vendimtare për ardhmërinë e këtij vendi, kam vlerësuar se është e nevojshme që të kyçem në jetën aktive politike në ngritje dhe forcim të shtetit.
RKL: Pse keni vendosur për t’i hyrë garës për deputet?
Hidaim Rama: Pas çlirimit, vendi ynë ka njohur shumë zhvillime pozitive në të gjitha aspektet, si në ndërtim të institucioneve shtetërore, në ekonomi, në arsim, shëndetësi, siguri, etj. por që megjithatë pothuajse në të gjitha fushat mbetet për tu dëshiruar. Për më tepër, mendoj se vendi ynë prapë ndodhet para sfidave të mëdha, ku vendimmarrja e drejtë është edhe determinuese e ardhmërisë së këtij populli. Konsideroj se është koha që karshi këtyre sfidave asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të rrijë indiferent, por të jap kontributin e tij aty ku mundet dhe i jepet mundësia. Unë, te familja, te shokët, te kolegët e punës dhe te të gjitha ata me të cilët kam bashkëjetuar dhe bashkëpunuar, gjatë gjithë kohës, jam munduar të përçoj mesazhin e njeriut që jeton dhe punon drejt, me nder dhe dinjitet. Në fakt, këto janë edhe vlera që duhet t’i kultivojmë dhe reflektojmë edhe në vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës në veçanti, dhe në politikë-bërjen në Kosovë në përgjithësi.
RKL: Cili është programi i juaj?
Hidaim Rama: Në këto zgjedhje parlamentare unë konkurroj si kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila për këtë mandat qeverisës ka zhvilluar një program konkret dhe të zbatueshëm, program që garanton ndërtimin dhe fuqizimin të mëtejmë të shtetit të Kosovës. Synimi im është që ky program mos të mbetet vetëm premtim elektoral, por të zbatohet me përpikëri. Për këtë unë i garantoj qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vë në dispozicion tërë përvojën time jetësore, me gjithë kapacitetin tim personal dhe profesional.
RKL: Zëri i kujt do të jeni në Kuvendin e Kosovës?
Hidaim Rama: Vërtetë vendi ynë ka arritur një shkallë të konsiderueshme zhvillimore nëse krahasohemi me vetveten, ku kemi qenë vetëm para 20 vitesh e ku jemi tani. Fatkeqësisht, këtë nuk mund të themi nëse krahasohemi me të tjerët, sidomos nëse marrim parasysh potencialin zhvillimor që ka pasur dhe ka vendi ynë. Për të shfrytëzuar këtë potencial, ne duhet të bazohemi në asetin më të madh që kemi, e që është rinia jonë e mrekullueshme. Ne duhet të zhvillojmë programe të veçanta ku të rinjtë tanë të mund të shfrytëzojnë zhvillimet moderne informatike dhe telekomunikuese në funksion të punësimit në vend, pa pasur nevojë të migrojnë në vendet tjera. Kosova me doemos duhet të fokusohet në ngritjen perspektivës për të rinjtë, duke ju treguar të rinjve tanë se ky është vendi i tyre, vendi i mundësive të barabarta, vendi i shpresës dhe i drejtësisë, vendi ku të rinjtë tanë marrin shkollim të dobishëm dhe ku punësohen me paga të dinjitetshme, vendi ku të rinjtë tanë mund të krijojnë familje dhe të realizojnë ëndrrat e tyre për jetë të qetë e të mirë. Këtë sikurse e synoj për fëmijët e mi, e synoj për fëmijët e krejt Kosovës, pa dallim, përfshirë këtu edhe fëmijët e komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovën tonë. Ndërtimi i një Kosove të tillë ka qenë edhe ëndrra e jonë kur kemi hyrë në luftë kundër okupatorit, e kjo ka qenë ëndrra dhe amaneti i të rënëve për liri
RKL: Pse mendoni që programi i PDK-së është më i miri?
Hidaim Rama: Partia Demokratike e Kosovës është pjesëmarrës dhe faktor kyç në vënien e themeleve të dhe ndërtimin e të gjitha institucioneve shtet-formuese në Kosovë. Për këtë mandat qeverisës, qeveria në ardhje e kryesuar nga zotëri Kadri Veseli, do të zbatojë programin për zhvillim të bazuar në prioritetet e deklaruara dhe të njohura tashmë për publikun. Këto prioritete janë përcaktuar duke analizuar mirë problemet që e ngulfatin zhvillimin e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve. Me pak fjalë, programi jonë bazohet në luftën ndaj korrupsionit dhe nepotizmit duke bërë vetingun në organet e sigurisë dhe ato të drejtësisë; ngritjen e përgjegjësisë civile për zyrtarët publik; zbutjen e papunësisë përmes tërheqjes së investimeve strategjike; dhe në shfrytëzimin e fondit të konfiskimeve. Rendësi e veçantë do t’i kushtohet ngritjes dhe avancimit te të rinjve bazuar në meritokraci.
RKL: A do të jetë PDK përcaktuese e qeverisë së re të Kosovës?
Hidaim Rama: Sigurisht, pritjet tona janë që Partia Demokratike e Kosovës të dalë bindshëm fituese e këtyre zgjedhjeve. Tashmë është dëshmuar, e që besoj se edhe qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë të qartë që Partia Demokratike e Kosovës është e vetmja parti që ka kapacitetin dhe guximin e nevojshëm që ti qojë proceset përpara. Fjala nuk është këtu vetëm për prioritetet e cekura më lartë, por edhe për finalizimin e proceseve të paqes në rajon. Ne do t’i presim dhe do t’i analizojmë rezultatet e zgjedhjeve. Besojmë se qeverinë do ta bëjmë me partinë apo koalicionin që është e gatshme të punojë bashkë me ne në zbatimin e prioriteteve dhe programit tonë qeverisë.