Ilir Muharremi

Ilir Muharremi: Pse të votojmë dhe kujt t’i besojmë?

Liria na çliron dhe të pasurit lirinë absolute në ndjehemi mirë, por nuk jetojmë në botën e lirisë e as të artit, por të politikës, interesit, përfitimit në krahë të varfrit, dhe krejt kjo bëhet nga politikanët të cilët e improvizojnë veten si kalorësit dhe mendojnë që po qëndrojnë mbi shalë, e harrojnë se duhet të dinë se ka po shkojnë. E jo veç të kërkojnë votën e popullit në disa debate të zhurmshme. E kur po prezantohen në emisione me veshje të ylberta, buzëqeshje të shumta, ndërsa agjendat i kanë të njëjta: “Nuk do të vjedhim siç kanë vjedhur të tjerët”.

Zgjedhjet janë një shfaqje kukullash dhe arsyeja pse ka zgjedhje  është se një gënjeshtër është më e leverdishme se sa një e vërtetë. Qytetari s’ka si të besoj, jeton në mosbesim, gishtin e drejton ka politika e politika i drejtohet prapë popullit duke kërkuar votën. Gjithmonë opozitat janë më të zhurmshme se pozitat dhe sipas Mokokoma Mokhonoana, qëllimi i vërtetë i opozitës, është të minimizojë shumën e parave që partia në pushtet do të kishte vjedhur nga populli në fund të mandatit të saj.

Dyshoj se populli prapë bindet sepse po mashtrohet me fjalë të ëmbla, e në thelb është mendje e keqe, atëherë shteti do përjetojë prapë gjëma të mëdha mbi supe. O popull i shkretë, përdore votën si pushkë sepse e ke dobinë. Ose ulu dhe mendo: korrupsionin, shëndetësinë, të pagjeturit, ndotjen e ajrit, krizën ekonomike…

Po përdoret demokracia, mirëpo nëse humbësi duhet ta ngushëlloj veten sepse ka diçka të padrejtë te ai. Lakmia, po kjo është ajo që demokracinë e çrregullon, dhe faji është te shoqëria pasive e cila jeton në tregun e lirë.

Çuditem kur shohë figura publike, të akomoduara mirë në karrige, tërësisht ndjehen të lirë, të çliruar, dhe thonë çdo gjë, pa asnjë verifikim faktesh, batuta, premtime, lodhje menjëherë djersa më mblidhet në ballë, pastaj vërshon sipër kapakëve të syrit. Mbërthehem me një perde të ngrohtë e tejet te dendur. U verbova nga kjo perde lotësh, ndjejë vetëm goditjen e mllefit në ballë dhe në shpirt. Atëherë si mundet të mendohet me zgjuarsi këtu ose për çështje të mëdha?

Pa mbështetjen e popullit, ata nuk mund të fitojnë, por gatuajnë gjellë të shijshme për t’i kënaqur ata, por ja që askush më nuk ka nevojë për këso gjellë të kripura. Andaj, kujt t’i besojmë dhe nuk është që nuk duam t’i besojmë, por është shterur çdo gjuhë e vërtetë tashmë, të gjitha partitë janë të njëjta me synime të njëjta. Votimi në Kosovë qenka shumë i padrejtë, është si mënyrë e përdorur sepse përcakton politikanin, i cili ka aftësinë më të madhe të shpërlajë trutë e qytetarëve.

Si të qeveriset? Qeverisja duhet të ketë parashikim dhe shteti i përkryer bëhet duke dëgjuar së tepërmi ligjet e hiç oratorët. Derisa ekziston ajo se hajdutët e mëdhenj e çojnë në burg të voglin, prej atij shteti nuk ka asgjë. E vërteta në Kosovë është e dhimbshme, Kosova mezi qëndron në këmbët e veta.

Atëherë kjo botë e jona këtu sipas shkrimtarit, Eduardo Galeano varrimin e ka më të rëndësishëm se të vdekurin, dasmat janë më të rëndësishme se dashuria dhe fiziku më shumë se intelekti. Jetojmë në kulturën e ambalazhit, e cila e urren përmbajtjen.

Më mirë te jemi të lirë sepse liria na çliron, por kujt t’i besojmë?

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …