LDK-ja është partia më e vjetër politike, legale, në Kosovë, pse jo dhe “partia mëmë”, nga e cila kanë dalë shumica e elektoratit të partive të tjera politike. Por LDK-ja tanimë nuk është Lëvizje, sikur ‘shitej” se ishte dikur dhe nuk është as partia që mund t’ i fitojë e vetme zgjedhjet, sikur i kishte fituar dikur. Riciklimi i shpeshtë, ikja e kuadrove dhe elektoratit, paraqitja e vetvetes si viktimë qysh nga fillimi, ka bërë që kjo parti të radhitet në mesin e tri partive të mëdha, por kurrsesi nuk e disponon forcën e dikurshme elektorale.
LDK-ja sot, është e bindur në fitore, në radhë të parë për shkak se është trajtuar dhe po trajtohet e vet-trajtohet si viktimë, me apo pa të drejtë. Prishja e njëanshme e koalicionit nga ana e PDK-së, rrëzimi i parakohshëm dhe i panevojshëm i Qeverisë Mustafa, bëri që kjo parti me të drejtë të ndihet e viktimizuar, e përdorur dhe e keqpërdorur. Në një situatë të tillë, LDK-ja u gjend në udhëkryq, meqë me të drejtë kishin ngritur kokë ata që kishin qenë kundër koalicionit me PDK-në.
Bashkëpunimi i LDK-së me partitë e tjera vazhdimisht është bërë mbi kurriz të saj dhe nga të gjitha Qeveritë e pas luftës, kjo parti vetëm njëherë ka marrë drejtimin e Qeverisë, në pazar politik me PDK-në për ta votuar kryetarin e saj, Hashim Thaçi, në postin e kryetarit të Shtetit.
Madje edhe kur ka bërë koalicion me AAK-në, e cila asokohe nuk kishte as dhjetë deputetë, ajo i kishte “dhuruar” qeverinë partnerit të koalicionit.
Në segment të bashkëpunimit me partitë e tjera, LDK-ja në vazhdimësi ka qenë e diskriminuar, jo vetëm sepse është treguar tolerante me qëllim për të mos dështuar rendi dhe Shteti, por edhe për shkak se duke luajtur rolin e viktimës, prej mbarimit të luftës, ajo edhe është trajtuar dhe në një segment mjaft të shprehur vazhdon të trajtohet si e tillë.
Por tani LDK-ja ka fituar një përparësi në të gjitha segmentet. Ajo për dallim nga të gjitha partitë në Kosovë, por edhe në rajon, ka zgjedhur femër, kandidaten për kryeministre, e cila edhe ashtu ka qenë deputetja më e votuar në parti, me siguri se deputetja më e votuar femër, në vend.
Po kështu, kreu i kësaj partie me mjaft mund e maturi organizative arriti një unitet të nevojshëm, i cili nuk u lejua të çonte në një shkizmë të dytë, pas asaj të ndodhi me krahun shkizmatik të Nexhat Dacit, në Kuvendin e Pestë të saj.
Duke qenë se doli fituese në zgjedhjet e fundit vendore, LDK-ja i ka konsoliduar radhët në pjesën më të madhe të vendit dhe me të drejtë pret të jetë partia e parë në vend, edhe pse vota është e fshehtë dhe kurrë nuk i dihet.
LDK-në e ka forcuar shumë edhe “vardisja” që i ka vërë Vetëvendosja për koalicion parazgjedhor, meqë është krijuar bindja se kjo parti do të jetë e para. Po ashtu të gjitha partitë të cilat e kanë stigmatizuar e përçmuar janë treguar të gatshme, deri ne servilizëm të bashkëpunojnë me të.
Kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, u ka numëruar të gjithëve kritikat, denoncimet, urrejtjet, sulmet, mashtrimet dhe dashur pa dashur, ka dalë “i larë politikisht”, pavarësisht të gjitha etiketimeve me vend e pa vend.
Të gjitha sondazhet, para-llogaritjet, parashikimet bëjnë të besojmë se radhitja e fitimtarëve do të jetë: LDK-Vetëvendosje-PDK. Nëse kjo formulë bëhet realitet më 6 tetor, atëherë do të fillojë “beteja” vendimtare për të lidhur koalicion pas-zgjedhor, i cili do të burojë nga forca elektorale e cilës do parti e koalicion.
Koalicioni i shumëpërfolur dhe i shumë dëshiruar nga Vetëvendosja me LDK-në do të jetë një sfidë e pa përballueshme për LDK-në, sepse Albin Kurti nuk do të heq dorë nga kërkesa për ta marrë postin e kryeministrit. Dhe përderisa të dyja partitë kanë vënë vija të kuqe ndaj PDK-së, atëherë ato do të kërkojnë koalicione të tjera me leverdi në pazarin politik, i cili me siguri se do të na marrë një kohë të gjatë derisa të vendosen definitivisht fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019.
Koalicioni, LDK-Vetëvendosje mund ta fitojë shumicën, por do të jetë tepër i vështirë koordinimi i brendshëm, sepse Vetëvendosja hapur ka shfaqur orekset, për ta marrë drejtimin e Qeverisë. Nëse LDK-ja detyrohet ta pranojë kushtin e Vetëvendosjes, fitorja e saj do të jetë sikur ajo që njihet me emrin, “Fitore e Pirros”, e cila arrihet me sakrifica aq të dhembshme, sa që dyshohet të jetë fitore.
Parashikimet në raste të tilla, nuk është e thënë të jenë apo të trajtohen si paragjykime, por një gjë është më se e sigurte, se gara aq e madhe dhe aq fanatike për të korrë fitore, as është bërë as bëhet për të fituar Kosova e Shqiptaria, ( ashtu sikur çirren me hipokrizi të gjithë zhurmuesit dhe konkurrentët) por për ta marrë në “qeverisje” buxhetin e Shtetit, për ta zhvatur atë, jo për qytetarët e vendit të cilët nuk votojnë dhe që janë shumica, por për të rehatuar klanet, militantët, ata që kanë sjellë më shumë vota, ata që janë pehlivanë të lindur e mujsharë të kalitur në ndarjen e buxhetit, në duar të fitimtarëve të zgjedhjeve. Kjo logjikë e qeverisjes autarkike, kjo luftë e pa kompromis për ta përvetësuar e uzurpuar paranë publike, është finalja, të cilën e ëndërrojnë e synojnë dhe me në fund e marrin fitimtarët, kurdoherë mujsharë, kurdoherë plaçkitës, pavarësisht se çfarë emrash kanë dhe cilat parti apo koalicione i përfaqësojnë.
Lufta politike në Kosovë dhe në të gjitha shtetet në tranzicion është luftë për dominim, pasurim enorm të paktën për katër vjet, zhvatje të parasë publike, plaçkë nga tenderët, zënie me punë të militantëve, të akrabave, të farës e të fisit, ashtu sikur ndodh kudo në regjimet kapitaliste, veçmas në regjimet e egra feudo kapitaliste që mbretërojnë në vendet e Ballkanit e më gjerë.
Ata që nuk marrin pjesë në zgjedhje, meqë as u kanë besuar as u besojnë mujsharëve të politikës, të gjithë oligarkë pa dallim, nuk kanë çka humbin as çka fitojnë as për çka të ankohen. Ata mbase presin ditën kur një sistem tjetër, një rend tjetër më i afërt me njeriun, më i përshtatshëm dhe më i drejtë ndaj secilit, do të konkurrojë dhe do të marrë përsipër realizimin e rendit të barazisë, sundimit të ligjit, demokracisë sociale dhe mirëqenies së vërtetë shoqërore kombëtare e njerëzore. Deri atëherë le të hedhin valle, ujqit e politikave grabitçare.