Avokati i Popullit i ka parashtruar Gjykatës Themelore në Prishtinë, padi me kërkesë për masë të përkohshme përkitazi me shkeljen nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të së drejtës për trajtim të barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes. Avokati thotë se KQZ-ja, sipas mandatit që ka, i ka certifikuar listat me emrat e kandidatëve për deputetë të propozuara nga subjektet politike për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2019, por nuk i ka pasur parasysh garancitë kushtetuese e ligjore sa i përket barazisë gjinore, në mënyrë specifike trajtimin e barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.