Tomë Gashi

Tomë Gashi: Marrëveshjen e Jahjagës me Holandën duhet ta aprovojë dhe ta vërtetojë edhe Kuvendi i Kosovës

Avokati, Tomë Gashi ka thënë për “Epokën e re” se ratifikimi i marrëveshjes për Gjykatën Speciale nga kryetarja, Atifete Jahjaga, ka qenë njëra  prej punëve të fundit ajo e ka kryer me përkushtim. Në bazë të dispozitave ligjore, këtë marrëveshje me Holandën duhet ta aprovojë dhe ta vërtetojë edhe Kuvendi i Kosovës. “Kjo është një prej punëve të fundit që ky Kuvend duhet ta bëjë dhe, në fakt, do ta bëjë për funksionalizimin e Gjykatës Speciale. Mendoj se deputetët që e kanë ngritur dorën lart vitin e kaluar për ta themeluar Gjykatën Speciale e kanë ditur se kjo gjykatë nuk do të merret me krimet e supozuara, por ata faktikisht e kanë pranuar se do të ketë lëndë dhe do të ketë të akuzuar. Kështu që, ky është një hap për përshpejtimin e punës së Gjykatës Speciale dhe tani do të ketë ritëm të shpejtë të funksionalizimit të saj për shkak të vonesës që ka qenë më tepër se gjashtë muaj, pra ngërçit politik që ishte derisa është formuar koalicioni qeverisës PDK – LDK”. Arsyeja e vetme pse është bërë koalicioni PDK – LDK ka qenë themelimi i Gjykatës Speciale. Po ashtu, ky koalicion sigurisht se do të vazhdojë edhe me të ashtuquajturat negociata me Serbinë, që faktikisht janë nënshtrim ndaj Serbisë në dëm të Kosovës dhe për të mirë të Serbisë, ka thënë mes tjerash Tomë Gashi në intervistën e tij.

***

Avokati Tomë Gashi ka shtuar  se aktakuzat e para nga Gjykata Speciale do të bëhen publike për disa muaj. Ai thotë se përafërsisht dihen edhe emrat e parë të cilët do të jenë të akuzuar. “Ka aludime në emra të caktuar, ku disa prej tyre janë edhe funksionarë të lartë. Mirëpo, përveç të tjerave, e keqja është se ngritja e aktakuzave të para nga Gjykata Speciale nuk do të thotë se janë aktakuzat e fundit. Ne si Kosovë do të jemi të shantazhuar nga pesë deri në dhjetë vjet, sepse secili në të ardhmen mund të jetë i akuzuar nëse nuk ka qenë pjesë e aktakuzave të para. Kjo posaçërisht vlen për politikanët, të cilët nuk mund të deklarohen se nuk do të jenë të akuzuar nga Gjykata Speciale. Pavarësisht supozimeve se themelimi i Gjykatës Speciale ka qenë arsyeja e përçarjes ndërmjet pozitës dhe opozitës, avokati Gashi mendon se ngritja e aktakuzave të para do të ndikojë në stabilitetin politik në vend. “Ngritja e aktakuzave të para do të ndikojë në stabilitetin politik, por nuk do të ketë destabilizim aq të madh në fillim, sepse sigurisht do të shkohet me disa emra të ish-komandantëve, ndoshta të shquar, pastaj do të kemi aktakuza të niveleve shumë të ulëta që do të tentohet të ruhet stabiliteti në Kosovë, por jo edhe përjetësisht”, ka deklaruar Tomë Gashi.

Kontrolloni gjithashtu

Hykmete Bajrami: Buxheti i 2025-ës është anti-Kushtetues

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka konstatuar se buxheti për …