Luigj Gurakuqi ka qenë njëri ndër personalitetet kryesore të Lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike. I përkushtuar tërësisht ndaj çështjes së Atdheut, veprimtaria e tij lidhet me ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Luigji u lindi në Shkodër, në vitin 1879. Mësimet e para dhe një pjesë të shkollës së mesme i bëri në vendlindje, pastaj shkoi në Itali. Aty mbaroi kolegjin e Shënmitër Koronës, në Kalabri, ku ishte nxënës i De Radës. Pastaj vijoi studimet e larta në shkencat biologjike, në Napoli. Që kur ishte student, bëri emër në shtypin shqiptar si poet dhe publicist (me pseudonimin Cakin Shkodra dhe Lekë Gruda).
Më 1908, u kthye në Shqipëri dhe u bë shpejt një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare. Nuk kishte ngjarje të rëndësishme të kohës ku të mos ishte dora e Gurakuqit. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte drejtori i parë i Shkollës Normale të Elbasanit dhe një nga udhëheqësit e kryengritjeve të Veriut (1911-1912). Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit në gjithë atë punë të madhe për shpalljen e Pavarësisë. Më 1916 ishte nga themeluesit e Komisisë Letrare në Shkodër.Më 1912 zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit dhe në Shpalljen e Pavarësisë (nëntor), ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i I.Qemalit.Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës (dhjetor 1912) u zgjodh ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, me pushtimin e Shkodrës nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi internohet, në Podgoricë. Gjatë pushtimit austro-hungarez, duke shfrytëzuar postin e drejtorit të përgjithshëm të Arsimit dhe koniunkturat politike, hapi shumë shkolla shqipe. Qe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916, ku u tregua një lëvrues i zoti i gjuhës shqipe duke krijuar përveç të tjerash edhe një varg fjalësh të reja që hynë në fondin e saj. Mori pjesë në Kongresin e Durrësit më 1918 ku zgjidhet ministër i Arsimit në qeverinë e përkohshme e anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris. Më 1921-1924 qe deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar ku si një nga udhëheqësit e opozitës demokratike luftoi për demokratizimin e jetës së vendit, për lehtësimin e gjendjes së bujkut nga shtypja e rëndë, për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për mbrojtjen e pavarësisë nga synimet skllavëruese të fuqive imperialiste. Mori pjesë gjallërisht në Revolucionin demokratiko-borgjez të Qershorit 1924 duke qenë një nga frymëzuesit e udhëheqësit kryesorë të tij. Në qeverinë e kryesuar nga Fan S.Noli u emërua ministër i Financave. U dallua për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe për vendosmërinë e përpjekjet për krijimin dhe forcimin e shtetit demokratik shqiptar. Me armë në dorë, me artikujt programatikë e me fjalimet e tij të zjarrta, Luigj Gurakuqi luftoi jo vetëm për një Shqipëri të lirë e të pavarur, por edhe për një shtet modern, i cili nëpërmjet reformash demokratike të zhdukte prapambetjen, të ndryshonte me shpejtësi pamjen e tij, të fitonte kohëne humbur gjatë shekujve të robërisë.
Në vitet 1921-1923, Gurakuqi si deputet i Shkodrës u gjend vazhdimisht në opozitë me Zogun dhe gjithë feudalët e tjerë. Bashkëluftëtar i Fan Nolit, Gurakuqi ishte ndër udhëheqësit më aktivë të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të Qershorit të vitit 1924.
Pas kundërevolucionit emigroi në Itali, dhe më 2 mars 1925 u vra pabesisht në Bari nga njerëz të vënë nga Zogu. Noli e vlerësoi lart figurën e këtij biri të shquar të Shqipërisë me vjershën e njohur “Syrgjyn-vdekur”, kurse populli pas luftës ia soli eshtrat në atdhe dhe e nderoi me titulin e lartë “Hero i Popullit” dhe “Mësues i Popullit”.
Krijimtaria poetike e Gurakuqit përfshin vitet 1898-1907. Më pas, krijimtaria e gjerë politike nuk e lejoi të merrej më poezi. Për herë të parë vjershat e tij u përmblodhën në një vëllim më 1941.
Në poezinë e parë, që është përgjigje për vjershën “Shko dallëndyshe” të F.Shirokës, Gurakuqi flet për gjendjen e mjerë të Shqipërisë.
Krijimi më i njohur i tij është vjersha “Qëndresa“, ku gërshetohen edhe elemnete autobiografike. Me theks filozofik, jepet zgjimi i poetit nga ëndërrimet romantike, në emër të qëllimeve të larta, qëndresa për plotësimin e idealit. Poezia është një kredo e gjithë jetës dhe e veprimtarisë së Gurakuqit.
Është ndër krijuesit dhe pedagogët e parë, që parashtroi kërkesën të ngrihet mjeshtëria artistike në letërsinë amtare. Në vjershën “Deka e zanave” thekson se Shqipëria është vendi i poezisë, çerdhja e zanave, ndaj atdheut i duhet kënduar me nivel të lartë artistik.
L.Gurakuqi shkroi edhe vjersha për të vegjëlit, të cilat i botoi në “Këndimet” (1912).
Interes të veçantë paraqet libri “Vargnimi në gjuhën shqipe” (1906), si përpjekja e parë për hartimin e metrikës sonë.
Edhe si publicist L.Gurakuqi bëri emër të shquar, duke trajtuar problemet më të rëndësishme të kohës. Botoi te revista “Albania”, te “Kalendari Kombtar”, në gazetat “Drita”, “Liria e Shqipërisë”, “La Nacione Albanese”. Si stilist i shquar, ai ka lënë modele të prozës publicistike në dy dialektet.
L.Gurakuqi dha ndihmesë me vlerë në letërsinë e në kulturën tonë si poet, publicist, orator, hartues i parë i metrikës shqipe.
(Denis Zavalani)
Tri poezit të Luigj Gurakuqit
T falun atdhetarit të Kosovës
(Për të mira qi â tuj u-përpjekë me bâ për gjuhë shqipe)
Sado nen êmën i t’Kosoves je mblue
Po m’dan prej Shkodrës s’ime;
Vllaznisht po t’falem pra qi ke fillue
Me i prû giuhës s’on ‘ lulzime.
Me t’ dreit’ sot ka përse m’u-gzue Shqipnija,
Sot ka kê me thirr’ bír;
Pse me irrit’ êmnin po punon djelmnija,
E giuhën me i a dlír.
Kety gjuh’ t’ tingllueshme, t’ambel e trimnesh’
Ket gjuh’ plot bukurí;
Qi né t’mjerve na e çon gjith zêmrën pesh’
N’ dhé t’huej lark tuj e ndí.
Por prap sot jan’ disa qi edhe s’kuptojnë
I gjuhës ç’âsht përparimi;
Tuj ndrrue gjuhën t’falitunit mendojnë,
Se vjen qytetënimi.
Ktyne njerzve qi mbahen gjind me krye,
Sa t’dalin prej gzhoj’s s’vet,
E t’ rrîn jashta do dit, kur kan’ me kthye
S’ke shqip mâ pse ju flet.
Por n’mos e paçim prap faret harrue,
E flasin tan’ perzije;
Me i pvet’ : « Ej ç’keni bâ, si keni shkue ? »
T’thon « Dobro, kako vije? »
« Ma jena già merzit; ktû as dreqi i s’rrî ;
Halà jan ‘ rozzi ed empi;
Nder vende t’jera kem, la Dieu merci,
Shum qefe e passatempi .»
« Del nieri me shtetit’ , shkon al Caffè;
Merr bash’ la sua ragazza
Mblidhna per nat’ nder balli e soirée
Si gode e si gavazza.
Ktu invece s’dijn neanche per idea
Ç’ka do me than’ progresso ;
Jan’ gjind t’egjer ancora, gente rea
S’nderojn il debol sesso. »
Kshtu flasin, bisedojn, kshtu djekt e vet
Pezmojn t’mjeren shqipní;
Dy fjal’ s’mund t’ thon’ jrejt shqip, pse Zoti vret
Fjal’t t ‘thueja mbrend’ pa shtî.
S’po flasim per buongiorno e buonasera
Kto fjal’ i ndijm pa dá :
Do m’u-përshndet’ thon’ tash deri kali imera,
Guttmorgen herren, disá.
Ah t’falitun! Ku e xût ket diturije?
Fort jeni tuj gabue !
Se njallet poplli, der sot kush s’ka ndije ,
Gjuh’ e zakon tuj ndrrue !
Si t’bjerr’ gjuhën nji popull shqim mbaron ;
N’shum çeta ka me u-dá :
Gjuha njerzt e nji kombi i bashkon,
I lidh si vllan me vllá.
Si t’lam zakonet qi kem’ pas’ ne e par’ ,
Prindt t’on’ si t’i mohojm,
Fisnik’ mâ s’jemi, s’jemi mâ Shqiptar’
S’kem mbrapa kuj t’i shkojm.
Pra ju Shqiptar’t e rí pade m’diftoni
Ku e xût ket far’ njerzijet
Qi mbaheni si t’ardhun nga Londoni,
Prej Francës o prej Austrijet.
Kjet ndoshta der n’ Triesht’ o n’ Dobrovnik,
Der n’Vjen’ o der n’Trebin’;
O shkuet n’Ismir, n’ Paris o n’Venedik,
O der n’t’ vorfnën Cetin’
E me ‘i her’ ndrruet; me ‘i her’ filluet me than’
Qi na s’kemi njerzí;
Qi s’nderojm grat, qi dorën s’dijm me e dhan’.
Qi s’dijm me ndej’ n’shoqní !
Une pra kam sa dit qi rrî n’dhé t’huej
E s’munden me e zan’ bes’
Qi t’ jen’ njerzî kto pun’ ; qi i thrras , n’gjuh’ t’ huej :
Affectée politesse.
T’kqyrim, gjithsa mundohna, për Atdhé,
Mos m’e marrue Shqipnín;
T’marrim prej tjerve çka t’jen mir’ për né,
E t’lam’ m’njen’ ân’ teprín.
E ty, i Kosoves Shkrimtar, qi jé tuj krye
Mbi gjuh’ shum zbukurime,
T’lutem mos me u-marzit’ e me pelqye
Nyi shndet prej zêmrës s’ime.
Qëndresa
Me gusht shkon vapa, e me djelmni kalojnë
Gjithë përrallat e kohës së re,
Si n’dimen bora dhenë, kryet na zbardhojnë
Vjetet e kujdeset ne !
Me lule t’ershme e larca më dukej shtrue
Bota sa ishe i ri ;
N’gaz m’shkonte jeta, s’m’epej kurrëm’u ankue
Kurrë zemra s’m’ndjellte zi.
Por ! andrrat sot kaluen, prrallat djelmore
Janë zhdukun e kanë tretë ;
Idevet t’bukura, shpresavet lulzore
Veç emni u ka mbetë.
Veç një qëllim i naltë t’ban me durue,
E zemrën ta forcon ;
Ndër kundërshtime s’vyen kurrë me u ligshtue
Mjer’ ai që nuk qindron !
Shtëpisë sime
Te ti m’flutron mendimi,o shpiza e ime ,
Kur vjen ma i thershëm malli me m’trazue;
Te ti,ku nisa s’parit me jetue,
Ku qela sytë, ku u reva ,e pata gzime.
Gjith her’ ndër mend t’ kam ty,ku laq kujtime
T’ ambla,qi jetën m’ pan nji ditë gazmue;
Vetëm n’ dhe t’ huej,tue vuejt e tue largue,
T’kam n’zemër ty,ku ndieva t’ parët dashtnime.
Ai skaj ma i vogli i yt,ma e vogla skut
E jotja ka për mue aq ambëlsi
Sa veq kujtimi i ynë shpirtin m’ kputë
E kur me ra shkoi n’mbramje,me mjeri
Ty t’ mendoj, e i thom vedit:oh a ma i butë
Shtrati e ma i kandshëm a pushimi n’shpi !