Burim Ramadani

Brenda AAK-së nisin përplasjet për “avullim” votash mes kandidatëve për deputetë

Brenda kandidatëve për deputetë  të AAK-së ka nisur një përplasje rreth votave që disa pandehin se u janë vjedhur. Së fundmi, kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD, Burim Ramadani, ka thënë se gjatë procesit zgjedhor më 6 tetor 2019, janë avulluar votat, e me këtë rast ka publikuar edhe fotografi. “Ja një rast qysh avullohen votat! Qendra e Votimit 2401A, Dhoma nr. 2. Në Fletën Llogaritëse janë 58 vota. Në Formularin Zyrtar janë 0 vota. Pra, 58 qytetarë në Suharekë kanë votuar, por Komisionerja Sh.K ka vendosur që t’i avullojë ato vota. Sigurisht, duhet të ketë rinumërim. Sigurisht, dikush duhet të shkojë në Gjykatë e të merr dënim”, ka shkruar Ramadani.

Në këtë status të tij, kanë komentuar edhe Shqipe Kastrati e Besa Luzha, të dyja kandidate për deputete nga koalicioni AAK-PSD. “Ja edhe rasti im. Një ditë më parë më uruan se për momentin kam 602 vota në Suharekë,të nesërmen u “avulluan” në 34???!!!”, ka shkruar Kastrati. Ndërkaq, për komentin e Ramadanit, kandidatja për deputete Besa Luzha ka thënë se “shembuj si ky, tregojnë, sa i brishtë është ky proces të cilin e lavdëruam të gjithë, sepse nga jashtë, garat në mes partive, vërtet ishin fer. Problemi pra është gara e ndyrë, brenda llojit”. Edhe gjatë ditës së djeshme, kandidati i AAK-së për deputet, Muharrem Nitaj është shprehur i zhgënjyer me procesin zgjedhor, duke pohuar se ‘po thonë se shumë nga kandidatët, me çanta me para kanë paguar për të fituar mandatet e tyre’.

Nga kjo praktikë e kahershme nuk janë kursyer as partitët e tjera, meqë në lista për deputetë fitojnë vota të përzgjedhurit paraprakë të kreut të partisë dhe klanit të tij të ngushtë.

Kontrolloni gjithashtu

Gjykata Supreme e Kosovës publikon udhëzuesin për matjen e dënimeve, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane

Gjykata Supreme e Kosovës publikon udhëzuesin për matjen e dënimeve, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane

Gjykata Supreme e Kosovës ka publikuar udhëzuesin për matjen e dënimeve, një hap i rëndësishëm …