Zëvendësministri në detyrë i Mbrojtjes Burim Ramadani ka thënë sot se rinumërimi i votave nga KQZ po dëshmon “avullimin” e votave të tij, për të cilat kishte raportuar ditë më parë. Ramadani në një postim në Facebook ka shkruar se nga rinumërimi i votave në një vendvotim në gjimnazin “Jeta e Re” në Therandë ka dalë se i ka 59 vota, dhe jo zero sa ishte shënuar më parë. “Vullneti i qytetarëve vihet në vend. U shkrua 0 vota, dolën 59 vota. Dua të falënderoj KQZ-në për vendimmarrjen që, ndër të tjera, të rinumërohet vendvotimi 2401A, Dhoma Nr.2, në Gjimnazin ‘Jeta e Re’ në Suharekë. Të dhënat që publikova pak ditë më parë për ‘avullimin’ e votave dolën të sakta. Madje, nuk ishin 58, por 59 vota sipas rinumërimit, derisa në vendvotimin e kishin bërë 0 (zero) vota. Unë asnjëherë, bash asnjëherë, nuk flas pa fakte dhe pa qenë 100% i sigurt për atë që e them. Më vjen keq prej qytetarëve, familjarëve, miqve dhe mbështetësve që u shqetësuan dhe u nervozuan nga denoncimi publik që bëra. U bënë nervoz sepse besuan që kjo nuk mund të përmirësohet. Por, isha i sigurt se do përmirësohet dhe ndodhi kështu! Unë besoj në sistem. Unë besoj në të drejtën. Falënderoj qytetarët e Suharekës për mbështetjen e plotë”, ka shkruar ai.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …