Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Çmimi “Nobel” për letërsi dhe legjitimimi i gjenocidit serb

Dhënia e Çmimit Nobel për letërsi për vitin 2019 shkrimtarit austriak, Peter Handke dhe “argumentet” apo “arsyetimet”, duke filluar nga zyrtarët e Akademisë Mbretërore Suedeze të Nobelit, përfshirë dhe çdo “argument” tjetër “intelektual” kudo në Botën Perëndimore, në botën që shquhet për demokraci, humanizëm e vlera apo te “zogjtë” e vërtetë të “qyqes” në Kosovë e Shqipëri, janë jo vetëm të pabaza e të paqëndrueshme, por janë rrena të kulluara që edhe derrin e bëjnë të plasë!

Ndoshta dikush mund të ma shohë për të madhe përse e përdora fjalën rrenë për Nobelin më të ri, austriakun Peter Handke, tok me argatët e tij, mbështetës të himnizuesit të politikave të gjenocidit. E përdora jo pa qëllim, por kjo fjalë nuk është asgjë për të gjithë ata që jo vetëm nuk e kanë dënuar gjenocidin e Serbisë, por janë bërë mbrojtës të paskrupull të politikës së krimit të gjenocidit në një anë, ndërsa në anën tjetër, viktimën e gjenocidit serb, shqiptarët i quan “zogj të qyqes”, të cilët, sipas nobelistit duke mos pasur atdhe, u janë vërsulur tokave të huaja për grabitje!!! Kjo temë, tema e “Zogjve të Qyqes”, e cila trajtohet në një nga romanet e shkrimtarit të sapo lauruar me Çmimin Nobel për Letërsi, nuk mund të heshtet. Këtë fakt nuk mund ta mohojë askush, as Akademia Mbretërore Suedeze e Nobelit. Nuk mund të besoj sesi ajo Akademi, e cila prioritet ka vlerat humane në veprat e të lauruarëve, ka “ekspertë” të atij niveli sa t’ia ndajnë çmimin një shkrimtari dhe pamfleteve të tij kui thuren lavde një politikani si Millosheviqi, i cili ka udhëhequr politika të gjenocidit ndaj tre popujve që kanë bashkëjetuar për dekada nën një kulm të përbashkët, kuptohet pa dëshirën e tyre! Kush mund të thotë se drejtuesit e Akademisë Mbretërore Suedeze të Nobelit nuk e paskan pas ditur se shkrimtari Peter Handke në librin “Qyqet e Hoçës së Madhe”, të cilin botuesit e cilësojnë si vepër artistike, nuk është asgjë tjetër pos një dëshmi e “vrerit artistik” të këtij shkrimtari kundër shqiptarëve. Kushdo që e lexon reportazhin e tij që përfundon si roman, do të bindet për urrejtjen që bart ky autor kundër shqiptarëve, të cilët, gjithnjë sipas Peter Handke, e paskëshin pushtuar “Kosovën serbe”! A mund të besohet se alamet akademikët e Nobelit nuk e kanë vërejtur gjuhën e urrejtjes së autorit?

Një gjë është habitëse: përse njerëzit e artit, të shkencës, njerëzit që e duan drejtësinë e humanizmin, njerëzit që thirren në vlera e krenohen me to, nuk e ngrenë zërin ndaj këtij akti të shëmtuar, dhënies së Çmimit Nobel për Letërsi një autori që ka mbrojtur gjenocidin serb të Millosheviqit? Atëherë, përse të mos i jepej Çmimi Nobel për Humanizëm Millosheviqit dhe njëkohësisht të legjitimohet shtrembërimi i historisë së shqiptarëve dhe i territorit të tyre! Sipas nobelistit Handke Millosheviqi e paskërka mbrojtur “tokën serbe” nga “Zogjtë e Qyqeve të Hoçës së Madhe”, që paskan pas bërë agresion në tokat e huaja! Do të ishte kulturë, e humanizëm, do të ishte njerëzi, për popullin suedez dhe popujt e botës perëndimore e demokratike, që të vihen në mbrojtje të popujve që iu nënshtruan një padrejtësie të madhe, mbi të cilët qe ushtruar gjenocid i tmerrshëm në fund tëshekullit XX! Apo Evropa vazhdon të jetë imune nga politikat ekspansioniste, shoviniste, nazifashiste e gjenocidiste?!

Kujt i duhet një Evropë e Bashkuar nëse aty shfaqen shenja dobësiee mbështetëse ndaj politikave të krimit e të gjenocidit, nga ajo politikë, tmerret e së cilës janë tepër të gjalla, që kullojnë gjak, dhimbje të mëdha e të pashërueshme te shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët!

Mos vallë edhe në Evropën e shekullit XXI, në elitat e saja intelektuale e letrare, si në ato politike po përhapet fryma e heshtjes dhe e tolerancës për krimin dhe gjenocidin? Në prag të Luftës së Dytë Botërore, një shkrimtar gjerman thoshte: “Nëse nuk bëhemi bashkë për të luftuar fashizmin, bashkë do të varemi në litar”! Edhe serbi Ivan Stamboliqi nuk e luftoi me kohë shovinizmin e Millosheviqit, edhe pse kishte deklaruar se veprimet e Millosheviqit po ia përgatitin “in memoriamin” Jugosllavisë, por edhe ai, në vitin 2000 iu bashkua viktimave të krimit e të gjenocidit serb.

Reagimi im vjen pas përpjekjeve të disa mendjeve të “ndritura” si në Evropë, e sidomos në  Kosovë e Shqipëri, për të ndarë mendjen letrare nga mendja politike të të njëjtit njeri, që s’janë gjë tjetër pos përpjekje Sizifi për t’u rreshtuar e mbështetur himnizuesin e kriminelit Millosheviq dhe argatëve të tij, kudo qofshin ata.

Heshtja ku më së paku do të duhej të ndodhte tregon se mbështetësit e krimit e të gjenocidit nuk janë të pakët as në vendet më demokratike!

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …