Eurodeputetja suedeze, me origjinë shqiptare, Arba Kokalari i ka dalë në krah vendit të origjinës gjatë seancës plenare të Parlamentit Europian. Ajo është shprehur thellësisht e shqetësuar për mos çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si një hap që do të mundësojë ndërhyrjen e fuqive të tjera me qasje tjetër nga ajo demokratike e Bashkimit Europian. duke i kujtuar presidentit francez, Emanuel Macron besimin e tij te demokracia europiane, Kokalari tha se BE duhet të veprojë me shpejtësi. Gjatë fjalës së saj, eurodeputetja Kokalari tha: “Dy vite më parë, Macron foli për demokracinë evropiane. Ai tha se rruga e demokracisë duhet të ndiqet. Unë u pajtova me këtë por sot jam e zhgënjyer nga vendimi i tij për mos hapjen e negociatave. Ne duhet t’i mbështesim këto vende, dhe nëse BE heziton, do të jetë Arabia Saudite, Kina, Rusia që do të ndërhyjnë në rajon. BE duhet të veprojë me shpejtësi”.
